Punëtori i sigurimit fizik në KRU 'Prishtina' ankohet se U. D. menaxheri i Administratës po i hakmerret, ky i fundit e mohon
Astrit Raçi, punëtor në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” u ankua në këtë ndërmarrje publike-lokale se Qëndrim Ahmeti, Ushtrues Detyre i Menaxherit të Administratës “përmes disa veprimeve po hakmerret ndaj tij”.
Krejt kjo sipas tij filloi më 11.10.2023, derisa Raçi ishte në ndërrimin e natës si sigurim fizik në kampusin e KRU “Prishtina” së bashku me dy kolegë të tij dhe një veturë hyri brenda pa u ndalur tek laura.
Vetura sipas tij pas një lëvizje brenda oborrit të KRU “Prishtina” kthehet nga punëtorët e sigurimit fizik. Sipas ankesës, shofer i veturës ka qenë U. D. i Menaxherit të Administratës Qëndrim Ahmeti dhe një pasagjer.
Në ankesën e dorëzuar tek menaxhmenti i kompanisë, Raçi thotë se Ahmeti iu drejtua me fjalët “Ku janë ata qen, se thash t’i vras nja 2 a 3” dhe më pas ishte larguar rreth orës 19:40.
Raçi pretendon se Ahmeti ka qenë i armatosur dhe se rasti është evidentuar në fletoren e punës së sigurimit fizik.
Ankesa e Raçit më 21.02.2024 u refuzua si e pabazuar nga Komisioni që shqyrtoi këtë ankesë.
Raçi për Kallxo.com thotë se ndihet i frikësuar nga fuqia politike e Ahmetit për shkak se ai është djali i kryetarit të Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.
Qëndrim Ahmeti iu shmang pyetjeve ndaj këtij pretendimi të Raçit, por se konfirmoi se babai i tij është kryetari i Lipjanit Imri Ahmeti, por thotë se kjo pozitë nuk ka asnjë lidhje me menaxhimin e KRU “Prishtina”.
Kallxo.com ka kontaktuar me Qëndrim Ahmetin për të marr qëndrimin e tij rreth pretendimeve të Raçit.
Ai thotë se e ka pranuar ankesën dhe atë e quan shpifje, Ahmeti mohon se ka kërcënuar punëtorët e sigurimit në natën e 11.10.2023.
“Normalisht që jo, sepse nuk kam pas asnjë arsye për ta bërë një gjë të tillë, madje në vet raportin ditor zyrtar të dorëzuar nga ankuesi (Raçi) shkruan që vizita ishte në rregull dhe nuk kishte asgjë për të veçuar, andaj si është e mundur qe tek pas dy muajsh e në kundërshtim me vetveten të pohon diçka tjetër”- deklaroi Ahmeti.
Raçi në anën tjetër thotë se ka dëshmitarë sa i përket deklaratës së Ahmetit gjatë asaj nate.
“Në raportin zyrtar nuk shënohen bisedat mes personave të ndryshëm, aty mund të ceket hyrja dhe dalja e çdo personi jashtë orarit zyrtar si dhe për çështjet e sigurisë gjatë ndërrimit, por assesi bisedat, kërcënimet dhe ofendimet direkte përndryshe nuk do të ishte raport profesional. Për këtë çfarë ka thënë dhe si na është drejtuar, unë kam dëshmitarin tjetër Skënder Dervishaj, i cili gjithashtu e ka dëgjuar atë se çfarë ka thënë z.Ahmeti”- deklaroi Raçi për Kallxo.com.
Kallxo.com ka kontaktuar edhe me Dervishajn (sigurim fizik në KRU “Prishtina”).
“Ka ardhur në atë kohë, rreth orës 07:30 nëse nuk gaboj dhe ka kontaktu me kolegun tim, unë kam qenë prapa nja 4 apo 5 metra nëse nuk gaboj dhe ka qenë ajo fjali nëse nuk gaboj që ka thënë “a ka naj qen këtu?”. Apo çka po di unë qysh e ka cek ai aty. Derisa ai i ka përmend ata qen nuk po di çka me thënë. Unë se kam ditë për kënd ka fol sepse kam qenë më larg”- deklaroi Dervishaj.
Tutje Dervishaj tregoi pse nuk u evidentuan fjalët e Ahmetit në fletoren e punës.
“Në fletoren e punës nuk evidentohen fjalët se çka thuhet por vetëm hyrje-daljet, hyrjet e njerëzve pas orarit të punës, personat që nuk janë të autorizuar dhe hyrje-daljet pas orarit të punës. Çdo fjalë nuk evidentohet në librat e punës. Që atëherë nuk kam pas kontakt me Qëndrimin, ne nuk kemi asgjë personale me të, kemi pas marrëdhënie shumë të mira, po qysh ka ardh deri tek ajo fjalë e tij nuk e di”- shtoi Dervishaj.
Në vendimin e Komisionit të KRU “Prishtina” thuhet se ankesa për mbajtjen e armës nga Ahmeti nuk qëndron, duke iu referuar edhe dëshmisë së kolegëve të Raçit që ishin në ndërrimin e natës më datë 18.10.2024.
Tutje në vendim thuhet se “komisioni ka konstatuar se ankesa e z.Raçi është bërë pas më shumë se dy muajsh duke pohuar diçka tjetër edhe pse në vet raportin e tij 24 orësh të po njëjtës datë nuk kishte raportuar diçka të tillë”.
Tutje në ankesën e tij, Raçi thotë se më 06.12.2023, pa përmendur arsye nga 22-23 punëtorë të sigurimit fizik ai së bashku me tre kolegë të tij u larguan nga kampusi i “KRU Prishtina”, sipas tij kjo ndodhi pa procedurë apo kriter dhe se vendimi u mor duke u anashkaluar shefi i shërbimit të sigurimit.
Për këtë çështje, Qëndrim Ahmeti thotë se vendimi për dërgimin e katër punëtorëve të sigurimit fizik tek diga në Badovc është marr nga Kryeshefi Ekzekutiv pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Në përgjigjen zyrtare për pyetjet drejtuar Kryeshefit Ekzekutiv, Arsim Fetahu, nga KRU “Prishtina” thuhet se transferimi i Raçit dhe një punëtori tjetër është bërë përkohësisht dhe se ata do të kthehen në kampusin qendror pas pranimit të dy zyrtarëve të sigurimit fizik sipas konkursit të datës 19.02.2024.
Qëndrim Ahmeti ka dërguar tek Kallxo.com si dëshmi emailin me kërkesën e Ministrisë si dhe vendimin e Kryeshefit Ekzekutiv, Arsim Fetahu për transferimin e Raçit dhe tre punëtorëve tjerë tek Penda e Liqenit të Badovcit.
Në këtë vendim nuk theksohet se transferi është i përkohshëm, ashtu siç u tha në përgjigjen zyrtare të KRU “Prishtina”.
Në anën tjetër, Raçi thotë se nuk ka informacion se transferi është i përkohshëm dhe se për shkak të gjendjes së tij shëndetësore dhe me mungesën e tualeteve dhe ujit në Badovc puna i është vështirësuar.
“Po Kryeshefi Ekzekutiv vetëm e ka nënshkruar vendimin, por nga kush janë inicuar pikërisht emrat tanë? Pikërisht nga z.Ahmeti. Po cila ishte arsyeja e përzgjedhjes tonë? Unë e kuptoj që z.Ahmeti mundohet ta manipulojë situatën dhe mundohet ta kthejë në favorin e tij, por veprimet e tij e tregojnë të kundërtën. Ai e ka personale me mua, dhe me 3 personat e tjerë të cilët së bashku me mua na ka dërgu në Badovc duke mos e respektuar asnjë hierarki, por duke i propozuar vet emrat”- tha Raçi.
Në vendimin e Komisionit të KRU “Prishtina” thuhet se “pakënaqësitë lidhur me kushtet e kontratës trajtohen përmes një procedure tjetër, përmes padisë e cila mund të dorëzohet në Gjykatë”.
Aty tutje thuhet se transferi është bërë përkitazi me Ligjin e punës që mundëson sistemimin e punëtorëve nga një vend në një vend tjetër tek i njëjti punëdhënës në pajtim me kontratën e punës dhe kontratën kolektive.
Raçi shkruan se kontrata nga ndihmës teknik iu kthye në punëtor të sigurimit fizik me arsyetimin se kjo pozitë nuk është e paraparë me rregulloren e organizimit të brendshëm.
Sipas tij, “është e çuditshme” sepse ai nuk është personi i vetëm me këtë pozitë. Tutje shton se pa komision disiplinor dhe pa vërejtje po dëmtohet financiarisht.
Për këtë çështje, Ahmeti thotë se Raçi asnjëherë nuk ka punuar si ndihmës teknik por gjithmonë si punëtor i sigurimit fizik.
“Përmes një vendimi të ish-Kryeshefit ekzekutiv për punën e njëjtë është paguar padrejtësisht më shumë se sa kolegët e tij në sigurim. Andaj vendimi që është marr ka pasur për qëllim që trajtimi i të punësuarit të jetë i barasvlershëm me kolegët e tjerë të sigurimit”- deklaroi Ahmeti.
Ahmeti thotë se ka kërkuar që të kthehen në kontratën bazë edhe dy punëtorë tjerë të sigurimit fizik.
Megjithatë Raçi thotë se dy punëtorë tjerë (jo ata që ka përmendur Ahmeti) ende po punojnë në atë pozitë.
Ahmeti thotë se Raçi u favorizua në pagë kur u vendos të jetë ndihmës teknik në vend të sigurimit fizik.
Sipas tij, përmes dajës së tij që është shef i sigurimit, Raçi ka punuar vetëm në ndërrimin e natës duke i shkuar paga deri në 983 euro.
Raçi në një deklarim për Kallxo.com thotë se janë edhe gjashtë punëtorë tjerë që kanë punuar vetëm natën për katër vjet radhazi, e që nuk kanë lidhje familjare me shefin e sigurimit.
“Shpifjet dhe manipulimet nga ana e z. Ahmetit për t’i arsyetuar vendimet skandaloze dhe jo profesionale që i ka ndërmarrë ndaj meje më saktësisht ndaj një personi me shëndet të dobët dhe pengesa të mëdha në të ecur nuk kanë të ndalur. Vlen të theksohet prapë që unë gjithmonë e kam respektuar me përpikëri punën dhe detyrat që më janë deleguar, dhe për këtë nuk kam pas asnjë herë vërejtje dhe as komision disiplinor”- deklaroi Raçi.
Ai shton se nuk ka marr dyfishin e pagës ndonjëherë.
“Asnjëherë nuk ka ndodh që nga punësimi im në ujësjellës që unë të marr dyfishin e rrogës time, edhe kjo është shpifje. E mbaj mend se një herë kam dal me rrogë shumë lartë, por në atë rrogë është përfshirë bonusi i fundvitit prej 300 eurove e cila i jepet të gjithë punëtorëve, si dhe një stimulim prej 100 euro për shkak të intervenimit tim në shuarjen e zjarrit që e kishte kapluar ndërmarrjen KRU “Prishtina”. Orët e mia i nënshkruan vetë Qëndrim Ahmeti dhe i kontrollon”- shtoi Raçi.
Kallxo.com ka kontaktuar edhe me Naim Azemin, shef i sigurimit në KRU “Prishtina” si dhe daja i ankuesit Astrit Raçi. Megjithatë Azemi deklaroi që për shkak se ka probleme shëndetësore nuk mund të deklarohet.
Komisioni i KRU “Prishtina” në vendim thotë “punëtori me vetëdëshirë dhe pa presion e ka nënshkruar kontratën e datës 14.12.2023 dhe të njëjtën nuk e ka kundërshtuar”.
Tutje në vendim thuhet se nuk janë gjetur prova se ndaj punëtorit është bërë shkelje apo ushtruar dhunë pasi që sipas tyre kontrata u nënshkrua me vetëdëshirë.
Në ankesën e tij, Raçi ka treguar se për shkak të një aksidenti që kishte pësuar më 28.02.2023 ka kërkuar ndërrimin e vendit të punës për shkak se nuk mund të kryente detyrat e punës. Raçi ka bashkangjitur në ankesë edhe dokumentet për gjendjen shëndetësore.
Ahmeti në anën tjetër thotë se pas ankesës nuk e ka takuar e as nuk ka biseduar me Raçin.
“Nuk kam asgjë personale me ankuesin, raportet e mia janë kolegiale dhe s`kam asgjë kundër ankuesit, unë veçse kam zbatuar ligjin dhe kështu do të vazhdoj të veproj”- deklaroi Ahmeti.
Nga KRU “Prishtina” thonë se Ahmeti i ka kundërshtuar pretendimet e Raçit.
“Po, i ka kundërshtuar me arsyetime dhe fakte me anë të emailit zyrtar dhe ka kërkuar formimin e komisionit disiplinor lidhur me vërtetimin e kësaj çështje”- thuhet në përgjigje.
Raçi në një përgjigje për KALLXO.com thotë se nuk do të bëjë ankesë në Gjykatë për të ankimuar vendimin e KRU “Prishtina”.
“Njëjtë si në Ujësjellësin Regjional “Prishtina” që nuk gjeta drejtësi, njëjtë mendoj që do të veprohet edhe nga gjykata për shkak të lidhjeve dhe fuqisë politike që e ka”- tha Raçi.