Lirohet nga detyra Sokol Xhafa, në vendim thuhet se nuk ofroi zgjidhje për manganin në liqenin e Badovcit

Sokol Xhafa, Ushtrues i Detyrës së Drejtorit Teknik në KRU ‘Prishtina’ është liruar nga kjo pozitë me vendim të Kryeshefit Ekzekutiv, Arsim Fetahu më datë 29 dhjetor 2023.

Në dokumentin që ka siguruar KALLXO.com, në nenin II të vendimit për lirim nga detyra, thuhet se Xhafa nuk ka treguar performancën e pritur dhe se mosveprimet e tij kanë ndikuar që ndërmarrja të ketë ngecje.

Në vendim, tutje thuhet se Xhafa kthehet në punët dhe detyrat e mëhershme si Inxhinier i Hidroteknikës.

Një nga arsyet e lirimit nga detyra të Sokol Xhafës, sipas vendimit është edhe vlera e lartë e manganit në liqenin e Badovcit. Në vendim thuhet se ky problem nuk u menaxhua si duhet dhe se Xhafa propozoi “zgjidhje imagjinare dhe të pamundura teknikisht”.

Xhafa sipas vendimit është përgjegjës edhe për mosrealizimin e projekteve kapitale të vetëfinancuara nga KRU “Prishtina”.

Arsye tjetër është edhe mosrealizimi dhe mosmenaxhimi i duhur i projekteve kapitale të financuara nga donatorët me ç’rast këto projekte janë të papërfunduara dhe të paregjistruara si asete.

Në vendim thuhet se Xhafa pati moskomunikim dhe moskoordinim me kolegët dhe zyrtarët e lartë të ndërmarrjes, tutje thuhet se Xhafa pati edhe raportim joreal në raportet mujore/tremujore.

Sokol Xhafa pati afat deri më 31 dhjetor në ora 16:00 të dorëzoj veturën kurse ka kohë deri më 5 janar të bëjë pranim-dorëzimin e zyrës.

Kallxo.com ka kontaktuar me Xhafën për të marr një qëndrim të tij rreth këtij vendimit të KRU “Prishtina”.

Xhafa në një përgjigje për Kallxo.com tha se nuk dëshiron të komentoj këtë çështje.

Vendimi më ka ardh zyrtarisht të premten. Po çuditem pse juve ju paska ardh, nuk po e disha që ju qenkeni në informim të brendshëm të Ujësjellësit. Interesant po më vika kjo punë. A kam me apelu a s’kam me apelu ajo është çështje e imja personale dhe nuk është në interes të kërkujt me i tregu unë a kam me apelu a jo. Nëse e apeloj, e apeloj për veti, nëse s’e apeloj s’e apeloj. Faleminderit shumë për interesimin por nuk kam asnjë koment me dhënë”- deklaroi Xhafa.

Sokol Xhafa ishte ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv i KRU “Prishtina” nga muaji prill 2020 deri në muajin shtator 2022 kur Kryeshef u zgjodh Arsim Fetahu.

Në konkursin që Fetahu u zgjodh Kryeshef Ekzektiv, Xhafa doli i treti në renditje.

Pas caktimit të Xhafës si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në prill të vitit 2020 u raportua se ai ishte anëtar i partisë Lëvizja Vetëvendosje. Kjo ishte mohuar nga vet Xhafa, KRU “Prishtina” ashtu edhe nga partia në pushtet.

Kallxo.com në një hulumtim pati marr vesh se pak ditë pasi që Xhafa ishte zgjedhur si U.D. i KE-së pati vendosur ta avancojë kandidaten e PSD-së për deputete, Dardane Sadikun, në një pozitë më të lartë në këtë ndërmarrje.

Me vendim të kryeshefit ekzekutiv të ndërmarrjes – Sokol Xhafa, Dardane Sadiku u vendos të jetë ushtruese e detyrës së menaxheres për kontabilitet dhe thesar në KRU “Prishtina”.

Gjatë kohës sa Xhafa ishte U.D. i Kryeshefit në KRU “Prishtina”, Qëndrim Ahmeti, djali i kryetarit të Lipjanit, Imri Ahmeti ishte caktuar Ushtrues Detyre i Shefit të Zyrës Ligjore në këtë ndërmarrje.

Xhafa, në një bisedë për KALLXO.com e pati përjashtuar mundësinë që emërimi i djalit të kryetarit të Lipjanit të LDK-së lidhet me ndikime politike.

Po, ka dy tre javë që është pozita vakante që e ka liruar sekretari, tash Qëndrimi është ushtrues detyre i shefit të zyrës ligjore, pra ka qenë pozitë vakante dhe ka kalu ky derisa të hapen konkurset. Nuk ka ndikuar askush. Qëndrimi duhet t’i ketë më shumë se dy vite që është KRU Prishtina”- pati deklaruar Xhafa në nëntorin e vitit 2020.

Në kohën e Xhafës edhe nipi (djali i vëllait) i Hashim Thaçit ishte graduar brenda KRU “Prishtina”.

Qëndrim Thaçi nga pjesa e faturave ishte bërë koordinator për mbrojtje në punë.

Lëvizja e Thaçit ishte konfirmuar edhe nga vet Xhafa. Ai pati thënë se lëvizja e Thaçit nuk është bërë me ndikime politike.

Unë nuk kam mujtë me i zgjedhë të punësuarit që janë zgjedh në ujësjellës, siç janë zgjedhur në të kaluarën, të gjithë e dimë sesi janë punësuar. Por unë e di me iu garantu juve dhe të gjithë të tjerëve se për mua, politika është zero dhe s’ka pasë asnjë rëndësi. Mua herë më akuzojnë për militant të Vetëvendosjes, dikush më thotë je anëtarë i LDK-së, unë nuk merrem me parti, po vazhdoj me punu”- pati deklaruar Xhafa.

Këta të punësuarit, a qëllojnë nipa a dajë të dikujt, unë nuk mundem me zgjedhë, se ata që janë, janë, unë s’e kam punësu kërkënd”- deklaroi ai në nëntor të vitit 2020.

Në vitin 2021, KRU “Prishtina” ishte gjobitur nga ATK-ja me afër 1.4 milionë euro.

Janë çështje që sipas Inspektoratit të ATK-së është bërë gabim trajtimi i borxheve të këqija në vitet 2011, 2012 dhe 2013 dhe të njëjtat janë paraqitur në pasqyrën financiare të vitit 2014 – janë paraqitur si humbje të matura. Sipas ATK-së janë gabim të trajtuara sipas neve nuk janë gabim sepse kemi pasur një rast gjyqësor për inspektimet e ATK-së në vitin 2010 dhe e kemi fituar si rast gjyqësor në vitin 2015 ose 2016, nëse nuk gaboj”- pati deklaruar Xhafa në atë kohë.