Komunën e Ferizajt e ‘mbulojnë’ përmbarimet, Thesari ia ndalon qasjen në pagesa

Nga data 6 nëntor 2023, Thesari i Shtetit i ka ndërprerë qasjen aktive zyrtarëve financiarë të Komunës së Ferizajt.

Kjo Komunë, nga java e kaluar nuk ka mundësi të kryej pagesa drejt operatorëve ekonomikë me të cilët ka kontrata të lidhura.

Deri tek ndërprerja e qasjes erdhi pas urdhrave përmbarimor drejt Komunës së Ferizajt.

Në një përgjigje me shkrim nga Thesari thonë se ndërprerja është e përkohshme.

“Pas pranimit te këtyre urdhrave përmbarimore Thesari ka njoftuar debitorin, në këtë rast Komunën Ferizajt për këto obligime dhe kemi kërkuar propozimin e tyre se prej cilave fonde mund të bëjmë ekzekutimin e tyre. Meqenëse nuk kemi pranuar përgjigje lidhur me propozimin e tyre, ua kemi marrë qasjen përkohësisht deri në sigurimin e fondeve për ekzekutimin e këtyre urdhrave përmbarimore” – thuhet në përgjigjen e Thesarit.

Drejtoresha e Financave në Komunën e Ferizajt, Sebahate Ajeti-Sadiku thotë se ndërprerja e qasjes erdhi për shkak të procedurave përmbarimore që po dalin nga kontrata kolektive në arsim.

“Përmbarimet kanë qenë në Thesar, në pritje për ekzekutim. Kryesisht paga të mësimdhënësve me vlerë mbi 1 milion euro që presin ekzekutimin nga muaji korrik. Ne si Komunë nuk kemi pas mundësi për planifikim buxhetor dhe për shkak ligjit të ri për paga në kategorinë e pagave nuk kemi mund me planifiku pagesën e këtyre shpenzimeve” – deklaroi Ajeti-Sadiku.

Obligimet nga kontrata kolektive sipas Ajeti-Sadikut do të duhej t’i kryente Qeveria e Kosovës.

“Na është konfirmuar që Qeveria nuk do të bëj kompensimin e këtyre shpenzimeve dhe si rrjedhojë ne mund të kemi keqklasifikime sepse pagesat do të ekzekutohen nga kategoria e investimeve kapitale apo e mallrave dhe shërbimeve. Kjo mund të ndikoj edhe tek mendimi i auditorit. Ne nuk mundemi të kryejmë asnjë pagesë ndaj palëve të treta, që mund të shkaktoj tejkalimin e afateve ligjore për pagesa” – shtoi Ajeti-Sadiku.

Nga Thesari tregojnë se obligimet kapin vlerën prej 923,779.76 euro.

“Pas këtij njoftimi për marrjen e qasjes në SIMFK, Komuna Ferizaj ka dërguar kërkesë për sigurimin e fondeve për ekzekutimin e këtyre urdhrave përmbarimore. Andaj sipas kësaj kërkese jemi në procedurë të vërtetimit të këtyre mjeteve prej të cilave do të fillojmë  me ekzekutimin e obligimeve. Nëse ka mjete të mjaftueshme do të fillojmë në ekzekutimin e obligimeve dhe do ta njoftojmë menjëherë Debitorin – Komuna Ferizaj dhe besoj se brenda kësaj jave do të ua rikthejmë qasjen aktive për regjistrime”, thuhet në përgjigjen e Thesarit.