Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pasuria që kreu i Ferizajt e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit

Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, i cili njëkohësisht është edhe kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës dhe kryetar dege i Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj i ka deklaruar mbi 147 mijë euro pasuri të paluajtshme.

Bazuar në formularin e publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit, rezulton se Aliu posedon shtëpi në vlerë prej 24 mijë e 640 euro, banesë (në emër të bashkëshortes) në vlerë prej 63 mijë euro, si dhe oborr, truall, ara, pyll e tokë të cilat së bashku kapin vlerën prej 59 mijë e 711 euro.

Aliu ka deklaruar se ka veturë të tipit Volkswagen në vlerë prej 4 mijë e 200 euro.

Më të shtrenjtë e ka regjistruar veturën e bashkëshortes. Vetura e saj është vlerësuar 6 mijë e 800 euro.

Kreu i Komunës së Ferizajt i ka deklaruar 35 mijë e 198 euro e 74 centë, si të hyra nga paga vjetore, mëditjet dhe kursimet. Por, si para Cash ka thënë se i ka 650 euro. E, për bashkëshorten e tij ka deklaruar se i ka 786 euro e 52 centë në bankë.

Si të hyra vjetore nga pozita e tij si kryetar komune, i pari i Ferizajt i ka deklaruar 15 mijë e 818 euro e 52 centë, si dhe mëditje në vlerë prej 3 mijë e 489 euro e 34 centë.

Ai ka deklaruar se prindi i tij merr pension mujor në vlerë prej 100 euro, kurse bashkëshortja e tij ka pagë vjetore si mësimdhënëse në vlerë prej 6 mijë e 240 euro dhe pagë mujore prej 200 euro si ligjëruese jo e rregullt në një Kolegj.

Linku për qasje në deklarimin e pasurisë së Agim Aliut.