Dhjetëra mijëra euro grante për disa të rinj të lidhur me PDK-në në Ferizaj

Lidhje familjare e partiake mes përfituesve, anëtarëve të komisionit e zyrtarëve komunalë janë gjetur në shpërndarjen e granteve në Ferizaj për projektin “Komuna për të Rinjtë”.

Hulumtimi i KALLXO.com nxjerr në pah se disa prej përfituesve të këtyre projekteve kanë lidhje mes vete dhe i kanë konfirmuar ato, por kanë mohuar se kanë ndikuar në procesin final.

Të rinjtë e 10 komunave në Kosovë përfituan nga grantet e projektit “Komuna për të Rinjtë”.

771 mijë e 460 euro u ndanë për grantet për të rinjtë. 85% e këtyre mjeteve u ndanë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe 15% nga komunat përkatëse. Nga 771 mijë e 460 euro, 152 mijë e 337 euro u ndanë për 16 grante në Komunën e Ferizajt.

Nga 16 përfituesit e fazës së parë që vijnë nga komuna e Ferizajt, katër nga ta kanë lidhje në një mënyrë apo tjetër me pushtetin lokal në këtë komunë, kurse një përfitues tjetër ka lidhje me anëtarët e komisionit vlerësues.

Shëndrit Aliu, që ka fituar grant 12 mijë e 50 euro është djali i vëllait të nënkryetarit të Komunës së Ferizajt, Lulzim Aliut.

Në profilin e tij në Facebook, Shëndri Aliut shihet në disa fotografi me nënkryetarin e Ferizajt.

Në njërën nga fotografitë që ka shpërndarë Shëndriti shihen në fotografi nënkryetari aktual i Ferizajt si dhe kuvendarja e PDK-së, Arbnore Salihu.

Shëndrit Aliu në një përgjigje për KALLXO.com thotë se nuk ka dijeni që ka pasur ndikime politike që ai të jetë përfitues teksa tregon se projekti i tij ka qenë për fotografimin falas të nxënësve në 32 shkolla apo 848 nxënës.

“Nuk jam në dijeni që projekti ka pasur lidhje partiake apo politike, gjatë trajnimeve na kanë thënë që projekti duhet të jetë në të mirë të komunitetit dhe siç ua shpjegova, mendoj që projekti im është storje suksesi” – tha Shëndrit Aliu për KALLXO.com.

Nënkryetari i Ferizajt, Lulzim Aliu, thotë se komisionin e ka caktuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

“E rëndësishmja është që komisionin e ka caktuar Ministria. Në mënyrë formale, herën e parë e ka nënshkru kryetari, për fazën e dytë tash e kemi shkru që këtë komision e ka caktu Ministria por me kërkesën e saj po e nënshkruajmë ne” – deklaroi Aliu për Kallxo.com.

“Unë e di se interesimi juaj është për djalin e vëllait që ka qenë fitues i një prej projekteve. Pas nënshkrimit, kur e kam marrë vesh, unë jam interesu për procedurat. Edhe procedura, edhe konkurrimi nuk kishin qenë me emra dhe mbiemra. Sado që them se nuk e kam ditë, unë e di që për juve është e pakuptimtë që unë nuk e kam ditë që një djalë i vëllait tim ka konkurru por e vërteta është që nuk e kam ditë. Edhe po ta kisha ditë nuk e kisha pengu sepse kur konkurrimi është përmes Ministrisë nuk mundesh me ia mohu të drejtën askujt prej anëtarëve të familjes me konkurru. Duke qenë që mjetet që i ndan Komuna shkojnë për projektin nuk mund të jetë konflikt interesi” – shtoi Aliu.

“Unë garantoj që ana jonë, e kryetarit dhe nënkryetarit, nuk ka pasë ndikim dhe nuk kemi pasë asnjë njohuri rreth procedurave” – tha Aliu.

Jeton Selimi është po ashtu përfitues i një granti prej “Komuna për të Rinjtë”, duke fituar grant në vlerë prej 14 mijë e 450 eurove. Projekti i tij ishte për ofrimin e shërbimeve psikologjike-sociale te të rinjtë.

Përfituesi i grantit, Jeton Selimi është bashkëshorti i motrës së kuvendares komunale të PDK-së, Arbnore Salihu.

Jetoni Selimi në profilin e tij në Facebook ka të shënuar që është i martuar me Arbresha Salihun, e cila është motra e kuvendares së PDK-së, Arbnore Salihu.

Selimi për KALLXO.com thotë se nuk e sheh të arsyeshme të penalizohen të rinjtë për shkak se kanë familjarë pjesë të qeverisjes.

“Po, jam i martuar me motrën e Arbnore Salihut dhe nuk mendoj se kjo ndërlidhje ka ndikuar në përzgjedhjen e grantit, sepse granti është vlerësuar e rivlerësuar nga komisione të ndryshme dhe kontratat janë trepalëshe. Është totalisht e paarsyeshme të penalizohemi apo të akuzohemi në këto mënyra, kisha menduar se këso lloj pyetjesh apo qasje gazetareske kanë përfunduar por me sa duket qenkemi ne të penalizuar nga sukseset e bashkëfamiljarëve” – tha Selimi për KALLXO.com.

Në anën tjetër, asamblistja Arbnora Salihu thotë se është jashtë kompetencave të ndonjë individi ndikimi në proces.

“Konkursi ka qenë i hapur për të gjithë të interesuarit. Unë vetëm pse jam asambliste në Komunën e Ferizajt nuk mund t’ia ndaloj asnjë të afërmi aplikimin në konkurse të ndryshme, është e drejtë e çdo qytetari të aplikojë, ekziston një komision vlerësues që e vlerëson nëse një projekt i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton të aprovohet ose jo. E gjithashtu, është jashtë kompetencave të ndonjë individi të ndikojë në proces” – tha Salihu.

Lorik Hashani është përfitues tjetër i këtij projekti. Hashani përfitoi grant në vlerë 6 mijë e 990 euro. Lorik Hashani është djali i xhaxhait të asamblistes së PDK-së, Erëza Hashani.

Nga fotografitë në Facebook të Lorik Hashanit shihen fotografi familjare që dëshmojnë lidhjen e tij me asamblisten e PDK-së.

Lorik Hashani ka fotografi në Facebook edhe me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun, dhe asamblisten Arbnore Salihu. Kjo fotografi ka të shënuar “RDK” (Rinia Demokratike e Kosovës – Forumi rinor i PDK-së).

Në një përgjigje për KALLXO.com, Lorik Hashani thotë se grantin e ka fituar në emër të organizatës “Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt” edhe pse në listën e përfituesve ai figuron si përfitues individual.

“Kemi pasë trajnime të ndryshme, trajnime për aftësi të buta, për qasje në dokumente publike, seminar dhe work-shop për të drejtat e punëtorëve. E kemi edhe një aktivitet që nuk e kemi përfundu. Ne në Kuvend (Kuvendi i të Rinjve të Ferizajt) kemi qenë para se me u zgjedhë vajza e mixhës tim asambliste. S’është që ka pas naj farë ndikimi të madh, ose hiç” – tha Hashani.

Asamblistja Erëza Hashani thotë se nuk ka pasur dijeni se djali i xhaxhait të saj do të aplikojë, sepse, sipas saj, kjo nuk kishte diçka të bënte me të.

“Grantet të cilat janë shpërndarë ashtu edhe si më ka njoftuar Loriku, nuk ka qenë ndokush i përzier nga asamblistët në këtë proces pasi që me këtë gjë janë marrë organizatat partnere të cilat e kanë implementuar projektin. Dhe duke marrë parasysh që në komisionin përzgjedhës kanë qenë anëtarë të atyre organizatave ose edhe persona të tjerë, por që në asnjë moment nuk kam qenë e përfshirë unë ose ndokush tjetër për të ndikuar te ky proces që Loriku të përfitojë nga kjo” – tha Hashani për KALLXO.com.

Yllora Mehmeti nga ky projekt përfitoi grant në vlerë 6 mijë e 873 euro.

Më 10 shkurt 2021, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Elmi Reçica, kishte publikuar në Facebook disa fotografi ku edhe zyrtarizonte bashkëngjitjen e Yllorës në Partinë Demokratike të Kosovës.

Yllora Mehmeti në profilin e saj në Facebook ka shpërndarë fotografi të takimeve të Rinisë Demokratike të Kosovës.

Ajo thotë se nuk beson që ka ndikuar përcaktimi i saj politik në përzgjedhjen e saj si përfituese e grantit.

“Unë kam qenë aktiviste edhe më herët. Shumicën e aktivistëve unë i kam njohur edhe më herët. Unë aplikimin e kam bërë anonim, Erisin nuk e kam as në rrjete sociale, edhe aderimi është bërë rastësisht atë ditë, mua më kanë thirrë prej shkollës dhe e kemi bërë (aderimin). Unë me PDK-në i kam shkëputë, më nuk jam aktiviste sepse edhe jam jashtë shtetit duke studiu” – deklaroi Mehmeti.

“Aplikimin e kam pasë për pika ushqimore për qentë endacakë. Unë kam aplikuar me shumë më të madhe por më është përgjysmuar shuma, kur kam shku në Komunë dhe kam pyet pse më kanë thënë që janë përgjysmu shumat e krejtve që me mund me u përfshi krejt që kanë apliku” – shtoi Yllora Mehmeti.

Komisioni vlerësues i këtyre granteve ishte caktuar nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, më 1 qershor 2022.

Kryesues i këtij komisioni ishte Agon Zhinipotoku.

Zhinipotoku ka konfirmuar për Kallxo.com se ai nuk kishte të drejtë vote në këtë komision.

“Nuk kam pasë thirrje prej ndonjë partie politike apo dikujt që ka pasë të njofshëm. Të gjitha aplikimet kanë qenë me kode, nuk ka mund me e ditë askush. Unë nuk kam pasë të drejtë vote, unë vetëm kam monitoru procesin e nuk jam përfshi në asgjë. Asnjë i afërm i imi nuk ka qenë përfitues, këtë e garantoj” – deklaroi Zhinipotoku.

 

 

Eris Berisha, anëtar i këtij komisioni, është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës. Në shkurt të vitit 2021, deputeti Elmi Reçica kishte zyrtarizuar bashkimin e Erisit me PDK-në dhe të Yllora Mehmetit.

Berisha në një përgjigje për KALLXO.com thotë se nuk ka pasur ndikim politik në përzgjedhjen e përfituesve.

“Procesi ka shkuar shumë mirë në bashkëpunim kolektiv dhe mendim individual nuk ka pasur as edhe një ndikim, presion apo edhe fjalë nga as edhe një parti politike. Ato vlerësime kanë qenë nga mendimi apo vlerësimi i secilit anëtar individualisht” – tha Eris Berisha për KALLXO.com.

Era Bytyçi, anëtare tjetër e këtij komisioni, është vajza e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Gazmend Bytyçi.

Gazmend Bytyçi në vitin 2021 kishte publikuar fotografi me vajzën e tij dhe të rinj të tjerë gjatë një takimi për zgjedhjet e përgjithshme të atij viti.

Era Bytyçi thotë se edhe pse është vajza e ish-deputetit, kjo nuk ka ndikuar në vlerësimin e saj.

“Konsideroj se përfituesit kanë qenë shumë meritorë, pasi që kanë përmbushur kriteret e paracaktuara. Nuk ka ndikuar afërsia politike në dhënien e granteve, nuk kam mundur ta shoh as emrin e aplikantit përgjatë procesit të vlerësimit. Nuk kam pasur as presion e as këshilla që grantet t’ua ofroj personave të afërt me PDK. Kam qenë e lirë në procesin e vlerësimit” – tha Era Bytyçi për KALLXO.com.

Edhe anëtarë të tjerë të këtij komisioni kanë lidhje me fituesin tjetër të këtyre granteve Gentrit Sadikun, që ka fituar grant 4 mijë e 805 euro përmes kësaj thirrjeje.

Në një përgjigje për KALLXO.com, ai thotë se ende nuk ka filluar me implementimin e projektit për shkak të kërkesave për ndryshim në buxhet.

Ai vendosi të mos komentojë në lidhje me afërsinë e tij me anëtarët e komisionit.

“Për shkak të ndryshimeve që m’i kanë kërkuar vazhdimisht në buxhet dhe tani po e mendoj me anulu pasi që ka pasë vonesa që prej fillimit, dhe kërkesa vazhdimisht përmes email të cilat me javë dhe muaj i vonojnë. Pothuajse me çdo të ri që merren me aktivitete njihemi secili me secilin, nuk kam ndonjë koment. Jam siguru që projekti t’i prekë të gjitha kriteret e kërkuara në thirrjen e hapur për aplikime” – tha Sadiku.

Gentrit Sadiku ka edhe lidhje familjare me anëtarin e komisionit, Ardian Sadikun.

Ardian Sadiku thotë se janë kushërinj me Gentrit Sadikun por që, sipas tij, kjo nuk ka ndikuar në vlerësim.

“Kemi qenë 5 pjesëmarrës në komision dhe mund të flas vetëm për votimin tim, që besoj që ka qenë votim i saktë. Disa projekte veç i kam parë duke implementuar sa që mendoj që jam krenar që i kam votuar. Kam qenë shumë i lirë në votim. Jo nga PDK-ja, por nga askush s’kam pasë presion. Gentritin e njoh, por jo nuk kam qenë i ndikuar në vlerësim, sepse mendoj që kam votuar projektet që janë shkruar mirë, kanë pasur qellim të mirë për komunitetin. Edhe një kriter gjatë konkursit, askush nuk ka mundur me i pa emrat pasi kanë qenë të mbuluar me ngjyrë. Me Gentritin jemi kushërinj” – deklaroi Sadiku.

Në anën tjetër, anëtarja e komisionit Era Bytyçi thotë se njohja me Gentritin nuk ka ndikuar në vlerësim.

“Po me Gentritin njihemi mirëpo po e ripërsëris, përgjatë procesit të vlerësimit të projekteve ne nuk kemi mund me i pa emrat e aplikantëve, gjë e cila e ka mundësuar që ne si vlerësues mos të favorizojmë as individ dhe as parti politike” – tha Bytyçi.

Ky komision vlerësues kishte mbajtur takim më 16 qershor 2022 ashtu edhe siç faktohet nga fotografia e shpërndarë në Facebook nga kryesuesi i komisionit.

Shuma totale e granteve që u përfituan nga personat të cilët ishin pjesë e këtij hulumtimi është 45 mijë e 168 euro.

Ministria e Adminstrimit të Pushtetit Lokal në një përgjigje për KALLXO.com ka thënë se as Ministria, as CDF dhe Banka Botërore “nuk kanë të drejtë të përzihen në përzgjedhjen e projekteve dhe i ngel panelit të respektojnë etikën e punës”.

“Secili anëtar i komisionit është i obliguar që ta nënshkruajë deklaratën e konfliktit të interesit para se të fillojë procesin e vlerësimit, gjë të cilën e kanë bërë të gjithë dhe janë pjesë përbërëse e raporteve të bashkëngjitura për komunat relevante, dhe të dërguara në MAPL” – thuhet tutje në përgjigjen e MAPL-së.

Kriteret për dhënien e këtyre granteve u vendosën nga Banka Botërore dhe nga MAPL.

MAPL tregon se Qeveria e Kosovës mori grant prej 2.79 milionë dollarësh nga Fondi Japonez për Zhvillim Social, grant ky që u administrua nga Banka Botërore.

Sipas thirrjes së publikuar për këto grante, kriteret ishin mosha, vendbanimi, përfundimi i trajnimit për menaxhimin e projekteve apo dëshmi të aftësive për menaxhimin e projekteve.

Për OJQ-të aplikuese kriteret ishin që të jenë të formuara ligjërisht, të kenë certifikatë regjistrimi dhe numër fiskal, historik të aktiviteteve për të rinjtë, udhëheqësit të përbëhen nga të rinjtë si dhe OJQ-ja të ketë përvojë në menaxhimin e projekteve për të rinjtë.

Kallxo.com ka kontaktuar rreth kësaj çështjeje edhe me Bankën Botërore, e cila ka qenë administratore e financimit dhe e ka ndihmuar teknikisht dhe për implementim MAPL-në për zbatimin e projektit.

Nga ky institucion vendosën të mos i komentojnë gjetjet e Kallxo.com.

“Në rast se Banka Botërore merr një ankesë formale, ka procedura që duhen ndjekur për të hetuar dhe/ose për të ndërmarrë veprime përkatëse. Është përgjegjësi e agjencisë zbatuese të sigurojë që mekanizmi i shqetësimeve dhe ankesave të Projektit të jetë i disponueshëm dhe i qasshëm, në mënyrë që ankesat/shqetësimet nga publiku ose personat e prekur nga projekti të mund të regjistrohen dhe adresohen në mënyrë adekuate” – thuhet në përgjigjet e Bankës Botërore.

“Roli i Bankës Botërore është të sigurojë që projekti të zbatohet në përputhje të plotë me kërkesat e besueshmërisë dhe masave mbrojtëse, që përfshin gjithashtu kërkesën për të pasur një mekanizëm të qasshëm për shqetësime dhe ankesa” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e Bankës Botërore.

 

Sqarim: Kjo video është edituar për shkak se në materialin e publikuar më datën 24.01.2024, rreth orës 10:00 është publikuar një fotografi e ngatërruar e Gentrit Sadikut me një person tjetër me emrin e njëjtë, që në video është përmendur si përfitues i granteve. (Koha e editimit: 10:20 – 29.01.2024)