Qentë endacakë në sheshet e kryeqytetit, Foto: KALLXO.com

Subvencionimi me 50 euro në muaj, komuna njofton për kërkesat për adoptim të qenve endacakë

Komuna e Prishtinës përmes faqes ‘Shtëpi për çdo qen’ në të cilën jepen njoftime për iniciativën e pagesës me 50 euro në muaj për adoptim të qenve endacakë bëri të ditur se janë adoptuar edhe 10 qen, derisa, gjatë javës presin të shqyrtojnë edhe 40 kërkesa tjera.

“Janë adoptuar edhe 10 qen endacakë! Kjo javë parashikohet të sjellë gëzime të tjera, me pritjen e shqyrtimit të 40 kërkesave për adoptime të reja”- thuhet në njoftim.

Procesi për pagesën me 50 euro për secilin qen endacak që adoptohet ka nisur në fund të vitit 2023, por deri tani nuk ka pasur shumë kërkesa nga ana e qytetarëve.

Kryeqyteti po ashtu mbulon kontrollet e rregullta mjekësore, trajtimin e çdo sëmundje apo lëndimet që mund të ndodhin dhe vaksinimet e nevojshme.

Zyrtarë komunal patën deklaruar se do bëjnë më shumë fushatë dhe informim për këtë iniciativë.

Më përzgjedhjen e qenve, qytetarët nënshkruajnë kontratë me komunën më pas bëhen pjesë e pagesës. Qytetarët mund të adoptojnë deri në 5 qen.

Aktualisht komuna ka një qendër për trajtim e qenve endacakë në Hajvali si dhe një tjetër pritet të ndërtohet në fshatin Slivovë, derisa janë edhe rreth 20 pika ushqyese për qentë endacakë në zona të ndryshme në kryeqytet.