Bartja e shamisë në shkolla, ministrja Nagavci thotë së asnjë vajze nuk po i mohohet shkollimi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka qenë e ftuar në emisionin “Kallxo Përnime” ku është pyetur në lidhje me çështjen e vajzave me shami në shkolla.

Nagavci u përgjigj se momentalisht nuk ka asnjë vajzë që i është mohuar e drejta e shkollimit

“Unë kam dy obligime. E para: që vendimet i marrë me përgjegjësi të plotë në interesin më të mirë të institucionit, qeverisë, shtetit tim. E dyta: që të sigurohem si Ministre e Arsimit, si profesioniste, si nënë, si grua që asnjë vajze të mos i mohohet e drejta e shkollimit. Sot që po flasim nuk kemi asnjë vajzë që i është mohuar e drejta e shkollimit”- u shpreh ajo.

“Ne kemi pasur raportime për dy-tre raste që natyrisht i kemi shqyrtuar dhe nuk kemi vajza që nuk shkojnë në shkollë”-shtoi Nagavci.

Tutje, ministrja u shpreh se është angazhim të gjithëve që të punohet për edukimin dhe mirë-arsimimin e të rinjve në Kosovë.

“Diskutimi për këtë duhet të jetë shumë më përmbajtjesor. Udhëzimi administrativ që ka të bëjë me shkollat e mesme të larta e rregullon mbarëvajtjen e punës në shkollat e mesme të larta. Ndër disa kufizime e përmend që është e ndaluar uniforma fetare. Tani shoqëria jonë duhet ta ketë një diskutim, e para “çka janë uniforma fetare? A jemi ne të gatshëm që në shkollat tona të kemi vajza e djem të veshur me uniforma fetare në shtetin tonë që i përcaktohet karakteri i vet me kushtetutë, ashtu siç i garantohet edhe e drejta e shkollimit. Ky është një diskutim shumë përmbajtjesor që nuk mund të bëhet me kushtëzime  e me imponime dhe që duhet të jetë në interesin më të mirë të fëmijëve tanë”- tha ajo.