Foto: Atdhe Mulla

Haxhiu - Haradinajt: Nuk ke guxim m'e ndalë Thaçin

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës i është drejtuar kryeministrit Ramush Haradinaj duke i thënë se nuk ka guxim ta ndalë presidentin Thaçi që ai mos ta udhëheqë fazën finale të dialogut me Serbinë.

“Kur Haradinaj ka ardhur në pushtet ka theksuar se nuk merr vesh nga kjo punë. Kjo është një deklaratë skandaloze, por nuk besoj që nuk merr vesh, po nuk ka guxim me ndalë Thaçin që në mënyrë jokushtetuese e ka kidnapu procesin e dialogut. Kosova është Republikë parlamentare e jo presidenciale”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka tërhequr një paralele me kohën kur Atifete Jahjaga ka qenë presidente e Kosovës dhe dialogun e ka udhëhequr atëherë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Cili ka qenë roli i Jahjagës në dialog? Në atë kohë Thaçi ka qenë kryeministër dhe e ka përfaqësuar Kosovën në dialog. Thaçi po bën shkelje kushtetuese. Kush me evidentu këtë? A Gjykata Kushtetuese që atje i keni dërguar njerëzit e juaj?”, ka thënë Haxhiu.

Kjo deklaratë e Haxhiut erdhi pasi kryeministri Haradinaj deklaroi në Kuvend se nëse nuk u pëlqejnë veprimet e presidentit Thaçi ata të nisin një mocion për shkarkimin e tij.

Por Haxhiu iu përgjigj kryeministrit Haradinaj duke e pyetur nëse deputetët e tij do ta votojnë mocionin për shkarkimin e presidentit Thaçi.

“Zoti Haradinaj ju thatë që ne të nisim një mocion për shkarkim për presidentin por a jeni në gjendje me kërku nga njerëzit tuaj me votu shkarkimin e Hashim Thaçit?”, e ka pyetur Haxhiu kryeministrin Haradinaj.

Haradinaj doli në foltore dhe kërkoi nga Kuvendi që të nxjerr konkluzione të qarta në këtë seancë të jashtëzakonshme.

“Nëse vazhdon kjo seancë, ju lus nxirrni konkluzione të qarta, lehtësojani punën atyre që na përfaqësojnë. Sot, nëse mundeni, veproni në këtë temë, po e shoh që sonte s’mundemi, por shfrytëzone këtë momentum dhe vendosni. Sido që të voton Parlamenti qëndrimet e mija nuk ndërrojnë. Sado që kritikohem a kërcënohem nga dikush, unë i mbaj qëndrimet e mia”, ka thënë Haradinaj.