Haxhiu: Haradinaj po i ofron shtesa prokurorëve që po hetojnë rritjen e pagës së tij

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu ka kritikuar idenë e kryeministrit Ramush Haradinaj për shtesa të pagave të prokurorëve specialë.

Haradinaj, dje kishte paralajmëruar se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të  të vendosin për shtesë financiare në pagë për prokurorët specialë, ‘me qëllim të fuqizimit të Prokurorisë Speciale, si hap i rëndësishëm për luftën kundër korrupsionit’.

Këtë ide Haxhiu e cilësoi si tendencë për t’ia mbyllur gojën prokurorëve specialë që sipas saj po hetojnë edhe vendimin e këtij kryeministri për rritjen e pagësë së vet dhe vartësve të tij.

“Sipas i informacioneve që i kemi, kallëzimin penal që e kemi deponuar për vendimin e paligjshëm të Qeverisë Haradinaj, për ngritjen e pagave për vete, është duke e trajtuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.Paralajmërimi i Haradinajt, për shtesa prokurorëve të Prokurorisë Speciale përveç tjerash është edhe tendencë për t’ia mbyllur gojën prokurorëve special”, shkroi Haxhiu në Facebook.

Ajo shtoi se ‘për t’a dëshmuar të kundërtën prokuroria duhet të veproj menjëherë karshi shkeljes penale të Kryeministrit dhe ministrave që e kanë votuar atë vendim të paligjshëm’.

Kryeministri i Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar kishte marrë vendim për ngritjen e pagave për 100 për qind për ekzekutivin.

https://kallxo.com/haradinaj-shtesa-per-prokuroret-qe-e-luftojne-korrupsionin/