Hamza: 2018, Rritje Ekonomike prej 4.6%

Buxheti i vitit 2018 është baza e një reforme më afatgjate, efektet e të cilit do të ndihen në një periudhë afatmesme, ka thënë ministri i Financave, Bedri Hamza para deputetëve të Kuvendit të Kosovës me rastin e leximit të parë të Projektbuxhetit për vitin e ardhshëm.

“Me këtë buxhet do të kemi rritje të vazhdueshme ekonomike, do të financohen politikat me prioritet të Qeverisë, do të ketë rritje të pagave dhe financim të qëndrueshëm për kategori të caktuara dhe të dalët nga lufta”, tha Hamza.

Ai ka premtuar se pas miratimit të leximit të parë do të merren parasysh të gjitha vërejtjet e qëndrueshme që do t’i marrin nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Hamza ka thënë se buxheti siguron një rritje ekonomike reale prej 4.6%, ndërsa rritja nominale do të arrijë deri 6%. Sipas tij, është paraparë një stabilitet të çmimeve në vitet pasuese.

Sipas tij, të hyrat në vitin 2018 do të arrijnë në 1 miliard e 829 milionë euro, ku pjesa më e madhe do të vijnë nga Dogana e Kosovës.

Ministri i Financave ka thënë se shpenzimet janë rritur për 270 milionë euro krahasuar me buxhetin e rishikuar të vitit 2017.

Për paga dhe mëditje do të shpenzohen 589 milionë euro, në të cilin janë përfshirë edhe kosto e rritjes së pagave.

Për subvencione dhe transfere janë planifikuar shpenzime në vlerë prej 525 milionë euro. Nga këto mjete pritet të financohen të gjitha skemat shoqërore duke përfshirë edhe kategoritë e dala nga lufta, duke përfshirë edhe viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Për mallra dhe shërbime shpenzimet do të arrijnë në 247 milionë euro, ndërsa shpenzimet kapitale pritet të arrijnë në vlerën prej 678 milionë euro.

KALLXO.com është duke e transmetuar LIVE seancën e sotme të Kuvendit.