Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, Foto: Bedri Hamza/Facebook

Kryetari i Mitrovicës viziton të lënduarit nga shpërthimi i bombolës së gazit në Kçiq

Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ka vizituar personat që janë lënduar si pasojë e shpërthimit të një bombole të gazit në një shtëpi në fshatin Kçiq të Mitrovicës.

Ai e ka konsideruar si një një moment shqetësues dhe të dhimbshëm dhe u ka uruar shërim sa më të shpejtë të lënduarve ndërsa ka thënë se do të vazhdojnë t’u qëndrojnë pranë familjes.

“Një shpërthim, fatkeqësisht ka shkaktuar pasoja tek familja Brahimi nga Kçiqi i Mitrovicës ku 14 anëtarë të familjes janë të lënduar. Është një moment shqetësues dhe i dhimbshëm! Unë vizitova familjen dhe institucionet shëndetësore të cilët janë duke e dhënë maksimumin për të i’u dalur në ndihmë personave të lënduar. Unë uroj në përmirësimin sa më të shpejt të gjendjes shëndetësore të të lënduarve dhe do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë familjes”- thuhet në postimin e Hamzës.

Sipas njoftimit të SHSKUK-së, pacientët kanë djegie të shkallës së dytë dhe të tretë, në gjymtyrë të ndryshëm të trupit, përfshirë, fytyrë, duar, këmbë dhe pjesë të tjera të trupit.

Në njoftim thuhet se pas trajtimit në Klinikën Emergjente të QKUK-së, pacientët janë transferuar për mjekim të mëtutjeshëm në klinika të ndryshme të QKUK-së.

Katër nga ta janë operuar në sallat emergjente ka njoftuar ShSKUK-ja, kurse tek të tjerët janë kryer ndërhyrje në sallën e vogël të ndërhyrjeve kirurgjike.

“4 pacientë janë transferuar për mjekim të mëtejshëm në Mjekimin Intensiv Qendror, meqë kanë gjendje më të rënduar shëndetësore nga djegia. 8 pacientë janë transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike, ku po e vazhdojnë trajtimin dhe mbikqyrjen nga stafi shëndetësorë. 2 në Kirurgjinë Abdominale dhe 1 do të transferohet në Kirurgji Torkale”- thuhet në njoftim.