"Të Pandehurit Ende Mund të Ndikojnë në Dëshmitarë"

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, me të cilin është liruar nga paraburgimi në arrest shtëpiak Ilir Tolaj, ish-sekretari i Përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë.

Vendimi është marrë më 10 janar 2013 nga kolegji i përbërë prej gjykatësve Conerlie Peeck, Vladimir Mikula dhe Shemsi Hajdini.

Sipas këtij vendimi, Tolaj nuk guxon të lëvizë nga vendi ku ai banon dhe mund të komunikojë vetëm me personat me të cilët jeton së bashku.

Por, përmes këtij vendimi gjykata ka pranuar që të pandehurit mund të kenë ende interesim në ndikimin e dëshmitarëve.

Sipas vendimit, “në mënyrë që t’iu ndalohet ndikimi në dëshmitarë, të pandehurve Kuçi, Fejza dhe Fusha, iu shqiptohet masa e ndalimit të afrimit ndaj personave dhe vendeve të caktuara”.

Por, duke pasur parasysh faktin që Tolaj ka luajtur rol më të rëndësishëm në këtë rast, ai duhet të qëndrojë në arrest shtëpiak, thuhet më tutje në vendimin e gjykatës.

Ish-sekretari dhe të tjerët nuk kanë të drejtë të kontaktojnë direkt ose indirekt në mes tyre, me dëshmitarë apo palët e dëmtuara nga ky rast.

Tolaj nuk do të mund të kontaktojë as me ndonjë ish-koleg nga Ministria e Shëndetësisë, ngasë gjykata e ka privuar nga kjo e drejtë.

Me të njëjtin vendim, të pandehurit e tjerë, Zenel Kuçi, Hajrullah Fejza dhe Bekim Fusha janë liruar nga paraburgimi dhe do të mbrohen në liri.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se “rreziku i shkeljes së ligjit është minimal pasi që të pandehurit janë suspenduar nga punët e tyre dhe nuk lejohen të hyjnë në Ministrinë e Shëndetësisë”.

Pastaj, mundësia që Tolaj të largohet nga Kosova, sipas vendimit të gjykatës, është e vogël.

“Ilir Tolaj ka udhëtuar gjatë fazës së parë të procedurës dhe është kthyer në Kosovë, prandaj gjykata beson se rreziku i ikjes mund të minimizohet, duke konfiskuar pasaportën kosovare dhe britaneze të të pandehurit”, arsyeton vendimi i gjykatës.

Ilir Tolaj, Zenel Kuçi, Hajrullah Fejza dhe Bekim Fusha ishin arrestuar më 12 janar 2012.

Pas një muaji, Kuqi Fejza dhe Fusha ishin liruar në arrest shtëpiak, ndërsa Tolaj kishte qëndruar në paraburgim për një vit të tërë.

Masat e shqiptuara me këtë vendim vlejnë deri më 12 shkurt 2013, ndërsa prokuroria ka të drejtë të ankohet ndaj këtij vendimi.

Aktakuza e këtij rasti është ngritur nga prokurorja angleze, Maria Bamieh, ku përfshihet Bujar Bukoshi, Ilir Tolaj, Arbetina Pajaziti, Nexhat Shabani, Ismet Hyseni, Hajrullah Fejza, Zenel Kuçi, Bekim Fusha, Alban Thaçi dhe Imer Ajeti.

Akuza përfshin veprat penale  të shpërdorimit të pozitës zyrtare ose autoritetit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve ekonomike, lidhje të kontratave të dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, kërkim ryshfeti-përpjekje për të marrë ryshfet, evazioni fiskal dhe pengim i provave.