Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tenderi i dyshimtë për Stacionin e Autobusëve në Ferizaj

Konsorciumi “VMM-Group dhe Al-Ber” kishte dorëzuar ofertën 132 mijë euro më të lirë në tenderin e Komunës së Ferizajt për fazën e dytë të ndërtimit të Stacionit të Autobusëve, por e njëjta ishte eliminuar nga gara pasi nuk i është përgjigjur Komisionit vlerësues në kërkesën/shkresën për pranueshmëri.

Në mungesë të përgjigjes, Komuna e Ferizajt ka vendosur që për kontratë të rekomandojë konsorciumin “B-Bardhi dhe Linda”, të cilët kishin ofertuar 929,154.09 euro. Kontrata për ndërtimin e Stacionit të Autobusëve (faza e dytë) i është dhënë konsorciumit që e kishte edhe kontratën e parë për të njëjtin projekt. Konsorciumi “B-Bardhi dhe Linda” e kishte nënshkruar kontratën në vlerë 487 mijë euro me Komunën e Ferizajt më 30 qershor 2020.

Kërkesa për përshtatshmëri parashihet në nenin 25, pika 9 e Rregullores për Prokurim Publik.

Kurse pika 45.31 e të njëjtës Rregullore thotë se kërkesa për përshtatshmëri është hapi i fundit para se Autoriteti Kontraktues të rekomandojë për kontratë një operator ekonomik.

“Raporti i vlerësimit përmban diskutimet, vlerësimet e ekzaminimit të tenderëve dhe i njëjti i dorëzohet ZPP për aprovim. Para se Raporti i vlerësimit të aprovohet, ZPP kërkon nga OE i rekomanduar për dhënie të kontratës dëshmitë për përmbushje të kërkesave të pranueshmërisë të specifikuara në Dosjen e Tenderit dhe në Njoftimin për Kontratë. Pas pranimit të dëshmive të pranueshmërisë, ZPP nënshkruan raportin e Vlerësimit dhe e ngarkon në platformë” – thuhet më pikën 45.31 të Rregullores për Prokurim Publik.

BIRN e ka kontaktuar kompaninë “VMM-Group dhe Al-Ber” për të kuptuar arsyet pse është tërhequr nga ky tender, duke mos iu përgjigjur Komunës së Ferizajt në dorëzimin e dëshmive për pranueshmëri.

“Nuk ka pas kurrfarë kërkese me u tërheq nga oferta dhe as kurrfarë kërcënimi nga askush. Nuk i kemi dorëzuar dëshmitë e pranueshmërisë për shkaqe personale familjare” – deklaroi Mërgim Iseni nga VMM Group.

BIRN ka kontaktuar edhe me Komunën e Ferizajt, për të parë nëse ka ndërmarrë ndonjë masë ndaj OE, i cili nuk i është përgjigjur komunës dhe për pasojë kjo komunë është obliguar të shpërblejë me kontratë ofertën që ishte për 132 mijë euro më e lartë.

“Duke marrë parasysh që në atë kohë ka qenë inflacioni shumë i lartë nuk kemi marrë ndonjë hap lidhur me konfiskimin e sigurimit të tenderit, pasi që në atë kohë edhe shkëputjet e kontratave në shumicën e Autoriteteve Kontraktuese janë bërë duke mos ndërmarrë ndonjë masë ndaj OE, mirëpo prej këtij viti çdo mos dorëzim i dokumenteve të pranueshmërisë është bërë me konfiskim të sigurimit” – deklaroi me shkrim Zyra e Prokurimit të Komunës së Ferizajt.

BIRN ka kontaktuar me kryetarin e bordit të KRPP-së, Osman Vishaj, i cili ka thënë se legjislacioni i prokurimit i ka dhënë mundësi autoriteteve kontraktuese që të marrin masa ndaj Operatorëve Ekonomikë që në fund nuk i dorëzojnë dëshmitë e kërkuara.

“Nëse OE që me rastin e ofertimit ka deklaruar se i plotëson kriteret e pranueshmërisë, por nuk i dorëzon dëshmitë pas vlerësimit të ofertave, atëherë AK ka mundësi me ia tërheq sigurimin e tenderit dhe njëkohësisht bazuar në nenin 99.2 me i propozu OSHP-së që të njëjtin me fut në listën e zezë” – ka thënë Vishaj.

Kontrata në vlerë 929 mijë euro

Komuna e Ferizajt e ka nënshkruar kontratën me kompaninë “B-Bardhi” dhe “Linda” në vlerë prej 929 mijë euro, e cila parasheh që punimet të finalizohen deri në vitin 2024, pra brenda 3 viteve.

Kjo kontratë, Komunës së Ferizajt po i kushton 929 mijë e 154 euro, ndërsa “VMM-Group dhe Al-Ber” kishte ofertuar 796 mijë 921 euro.

Këto dy oferta kanë dallim në secilën sferë të ndërtimit.

Përshkrimi i dyshimtë i faturave

Që nga nëntori i vitit 2022, kontraktorët “B-Bardhi” dhe “Linda” kanë zhvilluar punime tek dy objektet e Stacionit të ri të Autobusëve në Komunën e Ferizajt.

Sipas kontratës, punët duhej të fillonin pesë ditë pas nënshkrimit të kontratës, pra më 29 tetor 2022, megjithatë sipas Ditarit Ndërtimor punimet kanë filluar tek më 24 nëntor 2022 pra rreth një muaj më vonë.

Koha e fillimit të punimeve është në raportin e mbikëqyrësit të punimeve, i cili tregon se punimet filluan më 24 nëntor 2022, por nuk jepet ndonjë sqarim për vonesën e fillimit të punimeve apo ndonjë vërejtje për këtë shkelje.

Meriton Hajdini, drejtor i Infrastrukturës në Ferizaj ka thënë se vonesat në fillimin e punimeve janë bërë për shkak të nevojës që të koordinohen punët në mes të projektit të parë dhe të dytë për Stacionin e Autobusëve.

“Kontraktori ka qenë i gatshëm me i fillu punimet menjëherë, por përderisa dy fazat kanë qenë të ndërlidhura nuk kanë mund me fillu me fazën e dytë për shkak se ka pasur edhe disa punime të fazës së parë të ndërtimit të Stacionit të Autobusëve, që janë ndërlidhë dhe pa u përfundu ato nuk kanë mund me fillu me fazën e dytë” – deklaroi Hajdini.

Më 14 dhjetor 2022, kompania e kontraktuar ka dërguar një faturë në vlerë 50 mijë euro  për punët e kryera deri në atë moment tek Komuna e Ferizajt.

Faturën, punëkryesit e dërguan me arsyetimin se kryen situacionin e parë në kuadër të kësaj faze të  ndërtimit të stacionit të ri.

BIRN ka marrë qasje edhe në urdhër-pagesat e kryera nga Komuna e Ferizajt për këtë kontratë, të cilat janë bërë shtatë ditë pasi që pranuan faturën.

Në kërkesën për qasje në pagesat që janë bërë për këtë tender, Komuna e Ferizajt i ka dërguar në BIRN 18 urdhër-pagesa të lëshuara më 21 dhjetor 2022, apo 10 ditë para përmbylljes së vitit fiskal.

Të gjitha së bashku prekin saktësisht shumën e 50 mijë eurove, aq edhe sa u kërkuan nga punëkryesi.

Në emrin e OE që i janë bërë pagesat është OE “B-Bardhi” që përputhet me liderin e konsorciumit që e ka marrë tenderin për fazën e dytë të Stacionit të Autobusëve.

Edhe përshkrimi në fatura është i njëjtë, pasi thuhet se janë për kontratën “Ndërtimi i Stacionit të Autobusëve”.

Por, tek përshkrimi i artikujve janë bërë referime që nuk kanë ndërlidhje me projektin e ndërtimit të Stacionit të Autobusëve.

Tek përshkrimi i artikullit gjenden përshkrimet e tilla si:  Vendosja e kamerave në qytet; Ndërtimi i autorrugëve; Ndërtimi i rrugëve në Rahovicë dhe Talinoc;  Rregullimi i hapësirave të banesave të vjetra kolektive; Ndërtimi i fushave sportive; Ndërtesat administrative afariste; Ndërtimi i çerdhes; Ndërtimi i QKMF-së dhe përshkrime të tjera që nuk kanë të bëjnë asgjë me punët e kryera sipas kësaj kontrate.

Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Meriton Hajdini, për këtë çështje deklaroi se u tentua të pamundësohet keqpërdorimi i buxhetit nga përmbaruesit.

“Saktësisht nuk e di nga është kryer pagesa por për mos me shku në një obligim tjetër, përmbarim ose diçka është gjet mënyra që mos me u keqpërdor buxheti nga përmbaruesit. Në këtë projekt edhe pse kanë qenë mjetet ato janë marrë ndoshta më herët nga disa përmbarues me sa e di unë. Saktësisht informatën e kanë në Drejtorinë e Financave sepse nuk e kam në Drejtorinë e Infrastrukturës të saktë si informatë” – shtoi Hajdini.

Sqarime për paqartësinë e kryerjes së pagesave nga Komuna u kërkuan nga Drejtoria e Financave në Ferizaj, por që kjo Drejtori nuk u përgjigj në pyetjet e drejtuara për ta.

Drejtoresha e Financave  në këtë komunë, Sebahate Ajeti, nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara me 21 korrik 2023, duke mos dhënë përgjigje nëse është përdorur neni 30 i Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike.

Pika 1 e nenit 30, e këtij ligji thotë se “një organizatë buxhetore mundet, pa marrjen e miratimit paraprak nga Ministri, të transferojë deri në pesë për qind (5%) të një ndarje buxhetore në një ndarje tjetër të asaj organizate buxhetore gjatë vitit fiskal; megjithatë, këto transfere nuk mund të bëhen në ndarjen buxhetore për paga dhe mëditje pa miratimin paraprak të Ministrit dhe, sipas rastit, Qeverisë ose Kuvendit, sipas paragrafëve 3 dhe 4 të këtij neni”.

Drejtori i infrastrukturës, Meriton Hajdini, ka thënë se për këtë tender ka pas disa herë bartje të buxhetit nga viti në vit.

“Kemi bërë bartje nga mjetet e viteve paraprake, 230 mijë janë bartë nga viti 2021 në vitin 2022 dhe 100 mijë nga viti 2022 në vitin 2023. 330 mijë euro janë bërë bartje dhe jemi brenda asaj që është e lejueshme” – thotë drejtori i Infrastrukturës.

Kompanitë “B-Bardhi” dhe “Linda” që kanë fituar këtë tender, po ashtu që nga viti 2017 kur në Ferizaj qeveris Agim Aliu nga PDK, kanë fituar disa tenderë me vlera të mëdha.

Nga të dhënat që janë nxjerrë nga E-prokurimi.rks-gov.net, këto dy kompani kanë fituar tenderët: Ndërtimin e nënkalimit “Bashkimi i Qytetit”; Nënkalimin e ri që po ndërtohet në Ferizaj; Fazën e parë të ndërtimit të Stacionit të Autobusëve; Vazhdimin e nënkalimit për këmbësor tek rruga “Emin Duraku”; Ndërtimin e Qendrës Multifunksionale; Pyllëzimi i parkut në kodrën “Sherret”; Kolektorin për kanalizimin e disa fshatrave; Palestrën sportive në fshatin Greme.

Të gjithë këta tenderë me kontrata bazë dhe aneks kontrata kalojnë shifrën prej 18 milionë euro.

Ky artikull është shkruar nga Shqipron Xhema përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.