Fshati Nasalë i Komunës së Gjilanit

Telashet e banorëve të fshatit Nasalë të Gjilanit me projektin për asfaltim të rrugës

Disa nga banorët e fshatit Nasalë të Komunës së Gjilanit me vetëfinancim e kanë shtruar një pjesë të asfaltit para shtëpive të tyre në mënyrë që të lidhen me rrugën kryesore.

Ndërtimi i rrugës kryesore në fshat është bërë nga Komuna e Gjilanit bazuar në kontratën e lidhur në vitin 2022 në vlerë prej 114,905 euro me kompaninë “Pro & Co Group”. Por, në projekt nuk është paraparë fare lidhja e rrugës kryesore me oborret e banorëve, përkatësisht portave hyrëse në oborre. Në lidhje me këtë projekt, kryetari i Këshillit të fshatit Nasalë, Ruzhdi Selimi, ka treguar se kishin kërkuar që asfaltimi të përfshijë edhe pjesën para dyerve të oborreve të tyre, që figurojnë si prona publike.

Sipas tij, këtë Komuna nuk e pranoi por tha se lejoi që disa banorë të paguajnë vetë kompaninë fituese të tenderit, që të shtrojë asfalt para shtëpive të tyre.

Selimi ka thënë se projekti është bërë qysh prej vitit 2018.

“Rrugët kanë qenë të paasfaltuara në fshat, projekti ka qenë i bërë qysh në vitin 2018 dhe Komuna vjet ka bërë asfaltimin e rrugëve dhe ka shku në bazë të projektit siç ka qenë. Kur ka filluar ka pas pakënaqësi, por janë tejkaluar ato nga Komisioni mbikëqyrës” – ka deklaruar Selimi.

Ai ka thënë se kanë biseduar edhe me kryetarin e Komunës, Alban Hyseni, por sipas tij, ky i fundit ka thënë se nuk ka buxhet për të dalë jashtë projektit.

“5-6 familje i kanë asfaltuar para dyerve vet duke e paguar kompaninë. Gjerësia e rrugës është 5-metërshe me sa e di unë, është punuar në bazë të projektit, mbikëqyrësi ka qenë vazhdimisht dhe ka këqyrë punimet dhe kanë bo kontrollin e asfaltit” –  tha Selimi.

Gëzim Ramadani, banor tjetër i fshatit, tha se për projektin kishin pasur disa vërejtje, por që sipas tij nuk janë marrë parasysh nga Komuna.

Ai pretendon se për asfaltimin e rrugës para dyerve të oborrit i dha para diku 900 euro kompanisë së kontraktuar nga Komuna.

Sipas Ramadanit, njëjtë kanë vepruar edhe disa familje të tjera, pasi që Komuna nuk e ndryshoi projektin për të plotësuar kërkesat e banorëve.

“Mua më kanë thanë s’ka asfalt deri te dyert. Kemi bo ankesa, po kurrgjë. Na e kemi pagu kompaninë private, mbi 800 euro u bo kjo pjesa para shtëpisë, afër 44 metra katrorë. Komuna nuk pranonte me shtru duke thënë se nuk e kanë të paraparë në projekt. Madje ne si familje më së paku kemi dhonë, dikush ka dhonë më shumë në lagje tjera, deri 1 mijë e 500 euro. Kompania kështu ka fitu shumë bile” – tha ai.

Nga kompania punëkryese e kanë pranuar se disa shtëpi e kanë paguar vetë asfaltin, kurse nga Komuna e Gjilanit nuk kanë ofruar përgjigje në pyetjet e dërguara më 25 prill 2023.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Gjilan, Mentor Mihovci, ka thënë se ka qenë e pamundur që të përfshihet në projekt edhe shtrimi i asfaltit para shtëpive të banorëve.

“Kemi pas kërkesë prej banorëve asfaltimin para shtëpive, por ai projekt ka qenë i kontraktuar, kontrata është e kufizuar, është projekti që i specifikon rrugën kryesore, nuk është në projekt asfaltimi para hyrjeve të shtëpive, diku mund të del edhe pronë private, tash nuk ka mujt projekti mu bo edhe para hyrjeve se ka edhe prona private” – ka thënë Mihovci.

Ai ka thënë se në të ardhmen mund të ketë ndonjë projekt që parasheh shtrimin e asfaltit edhe para shtëpive.

“Disa banorë para shtëpive kanë paguar privat kush ka dashtë me shtru ka pagu, nuk e di sa. Por prej menaxherit, prej organit mbikëqyrës  nuk ka ndodh që me ju shtru dikujt nga ana e komunës e dikujt jo, kjo s’ka pas shans me ndodh, jemi të sigurt, privat kush ka dashtë” – tha mes tjerash drejtori Mihovci.

Pozicionet që nuk u realizuan sipas kontratës

Një nga pozicionet në kontratë ishte edhe hapja e kanaleve për largimin e ujërave atmosferike në formë të trapezit dhe thellësi prej 50 centimetrave. Megjithatë, në raportin përfundimtar mbi punët e përfunduara, thuhet se është hapur vetëm gjysma e kanaleve të parapara.

“Është realizuar pjesërisht, pasi për shkak të gjendjes faktike nuk ka mundur të hapet kanali atmosferik për shkak të terreneve të ngushta dhe për shkak të hyrjeve të shtëpive të fshatit. Andaj nga gjithsej 2,350 metra gjatësi janë hapur 1,100 metra gjatësi” – thuhet në sqarimin e bërë në këtë dokument. Ky pozicion në kontratë kishte vlerën e 3,525 euro, pasi një metër gjatësi kanal është kontraktuar që të hapet për vetëm 1.5 euro.

Në raportin përfundimtar mbi punët e përfunduara që është nënshkruar nga dy menaxherë të kontratës dhe mbikëqyrësi direkt i tyre janë përmendur edhe disa pozicione të tjera që nuk janë realizuar siç ishte paraparë në kontratë.

Pozicionin e paraparë në kontratë për “furnizmin me material dhe punimi i lëshesave gypore Ø600 së bashku me kokat hyrëse dhe dalëse për kalimin e ujërave atmosferike në rrugë, me një gjatësi prej mesatare 8.0 metra (4 x 8 metra = 32 metra)” nuk është realizuar. Për këtë pozicion ishin paraparë 4 gypa të tillë dhe ishin kontraktuar me 450 copa, apo 1,800 euro për gjithë pozicionin.

Në këtë dokument thuhet se “me lejen të punëdhësit dhe projektantit janë vendosur gypa të brinjëzuar Ø300 të cilët nuk janë faturuar fare”.

Edhe disa gypa të tjerë që në kontratë ishin paraparë të jenë Ø500, janë vendosur më diametër më të vogël.

“Me leje të punëdhënësit dhe projektantit janë vendosur gypa të brinjëzuar Ø300 të cilët janë faturuar 600 euro nga 1,200 euro sa ka qenë në projekt” – thuhet në raportin e nënshkruar nga tre pesona.

Këto ndryshime thuhet se janë bërë me kërkesë të menaxherëve të projektit.

“Kërkesat e menaxherëve të projektit. Lidhshmëria mes projektit të rrugës me projektin e kanalit atmosferik i cili grumbullon ujërat atmosferike dhe i bartë në lumin “Morava”. Ndryshimi i profileve të gypave nga betoni Ø600 dhe Ø500 në gypa të PVC të brinjëzuar Ø300” – thuhet në këtë raport.

Tutje në raport thuhet se operatori ekonomik i ka shtruar 75 metra katrorë më shumë asfalt për të cilat nuk është paguar.

“Matja nga gjeodetët është realizuar në metra katrorë gjithsej 4,967.33 metra katrorë, mirëpo është matur edhe një sipërfaqe prej 42 metra katrorë e cila është paguar privatisht që do të thotë se mbesin 4,925.33 metra katrorë, ndërsa sipas pozicionit janë 4,850 metra katrorë që i bie se janë 75.33 metra katrorë të realizuara më tepër se sa është paraparë me paramasë dhe parallogari, ndërsa pagesa është llogaritur sipas pozicionit të paramasës dhe parallogarisë (4,850 m2)” – thuhet në raportin e menaxherëve.

Një metër katror me asfaltim është kontraktuar me 13 euro. Në total për 4,850 metra katrorë asfalt ishin paraparë të shpenzoheshin 63,050 euro. Ndërsa, nëse bazohemi në raportin e menaxherëve që OE i ka shtruar 75.33 metra katrorë, më shumë se sa që është paguar, atëherë kjo në vlerë monetare i bie 979 euro.

Ky tender ishte hapur nga Komuna e Gjilanit më 26 maj 2022 dhe vlera e parashikuar e kontratës ishte 134 mijë e 377 euro. Për këtë tender kishin ofertuar gjithsej 7 operatorë ekonomikë, ndërkaq fitues i kontratës ishte shpallur “Pro & Co Group ”, me çmim të ofertuar prej 114 mijë e 905 eurove. Kontrata në mes të Komunës së Gjilanit dhe kompanisë “Pro&Co Group” është nënshkruar më 19 korrik 2022.

Grupi i operatorëve ekonomikë “Company Bejta Commerce & Company Murseli & Gurthyesi Gllamë” që ka qenë ofertuesi më i lirë në këtë tender, është eliminuar me arsyetimin se ka ndryshuar në ofertë njërin nga pozicionet e paramasës. Ky operator nuk kishte paraqitur kërkesë për rishqyrtim apo ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Banorët e fshatit Nasalë u ankuan se është devijuar segmenti rrugor “Shaqir Veliu” brenda fshatit por që nuk kanë mundur ta ndalojnë.

“Edhe unë pata reaguar pse po devijohet segmenti “Shaqir Veliu”, por thanë që projekti është kështu siç është bërë, kemi pas vërejtje por s’kemi dashtë me pengu punën se ka kohë që kemi prit me u asfaltu rrugët e fshatit, ky është projekti i parë që po bëhet për rrugë, nuk ka pasur më herët” – tha tutje përfaqësuesi i fshatit, Ruzhdi Selimi.

Nga opozita në Gjilan janë të mendimit se Komuna me atë projekt nuk ka arritur të plotësojë nevojat e fshatit.

Sipas Kushtrim Kadriut nga Lëvizjes Vatra, tani kryesues i Kuvendit komunal, ka qenë mungesë e iniciativës së kryetarit që projekti të zgjerohet.

“Me gjasë ka mungu iniciativa e kryetarit të Komunës për me rrit projektin, për me shtu, me i plotësu kërkesat dhe nevojat e këtij fshati në përgjithësi” – u shpreh Kadriu.

Në Procesverbalin e Pranimit Teknik të punëve të kryera në këtë projekt që e ka siguruar KALLXO.com, thuhet se punimet janë kryer sipas paramasës së tenderit me “ndryshime të vogla duke iu përshtatur terrenit të aprovuar nga organi mbikëqyrës”.

Ky artikull është shkruar nga Irfan Maliqi përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.