Ilustrim - Kolektor i ujërave të zeza

Kriteret diskriminuese në projektin e Komunës së Malishevës për kolektor

Komuna e Malishevës tri herë e ka tenderuar projektin për “Rregullimin e kolektorit kryesor të ujërave të zeza, faza e parë Bubel – Lubizhdë”, por në fund ka pranuar vetëm një ofertë, të cilën edhe e ka kontraktuar.

Dy tenderët e parë ishin anuluar dhe në të dy njoftimet kishte kritere diskriminuese. Në tenderin e parë, Komuna e Malishevës kishte vendosur kritere diskriminuese, të cilat ishte pajtuar t’i korrigjojë pasi kishte pranuar një kërkesë për rishqyrtim nga një operator ekonomik.

Edhe në tenderin e dytë për këtë projekt, Organi Shqyrtues i Prokurimit kishte konstatuar se janë vendosur kritere diskriminuese.

Pas vendimi të OSHP-së, Komuna e Malishevës e kishte korrigjuar dosjen e tenderit, por në fund kishte vendosur që të anulojë në tërësi aktivitetin e prokurimit.

Të njëjtin projekt e kishte tenderuar për herë të tretë disa javë më vonë dhe e kishte pranuar vetëm një ofertë nga një konsorcium i përbërë nga 5 biznese, “Smart Projekt & Hidro Project & Xhemshir Sejdia & Aksi Projekt”.

Edhe në tenderin e tretë kishte ankesa në shkallën e parë përmes “Kërkesës për Rishqyrtim”, në të cilën pretendohej për kritere diskriminuese, mirëpo ato ishin hedhur poshtë nga Komuna e Malishevës.

Operatori Ekonomik ankues nuk kishte paraqitur ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, duke i hapur rrugë Komunës së Malishevës të nënshkruajë kontratë në vlerë 1,260,344 euro me të vetmin operator që kishte ofertuar në këtë tender.

Kufizimi i konkurrencës në tenderin e parë

Fillimisht tenderi “Rregullimi i kolektorit të ujërave të zeza, faza e parë, Bubël – Lubzhidë” për herë të parë ishte hapur më 15 gusht 2022. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ishte 738 mijë e 370 euro.

Kundër njoftimit për kontratë ishte ankuar një operator ekonomik, emri i të cilit nuk është bërë publik nga Komuna e Malishevës në dokumentet e publikuara në “E-Prokurim”.

Meqë nuk është publikuar ankesa e operatorit ekonomik nuk dihet se cilat pjesë të dosjes së tenderit i kishte konsideruar diskriminuese. Por, ajo çfarë dihet bazuar në dokumentet e publikuara në “E-Prokurim”, Komuna e Malishevës, më 24 gusht 2022, e kishte miratuar kërkesën për rishqyrtim të bërë nga kompania duke premtuar se do të korrigjojë dosjen e tenderit.

Të nesërmen, më 25 gusht 2022, Komuna e Malishevës, në “E-Prokurim” e kishte publikuar “Formularin standard të korrigjimit të gabimeve në njoftimet e publikuara”.

Por, ky formular nuk ishte plotësuar sipas udhëzimeve të KRPP-së, pasi nuk është treguar se cila pjesë e kërkesave teknike, apo kapaciteteve profesionale e ekonomike është ndryshuar, pra nuk është treguar se si ka qenë e përcaktuar më herët dhe si është ndryshuar.

Madje, në këtë formular në të njëjtën rubrikë janë publikuar edhe “kapacitetet” që duhet të plotësohen dhe “dëshmitë” që duhet të dorëzohen për të garantuar se i plotësojnë ato kapacitete.

Komuna e Malishevës ka pranuar edhe një kërkesë të dytë për rishqyrtim, por e njëjta ishte refuzuar më 29 gusht 2022 duke e lënë në fuqi njoftimin për kontratë. Megjithatë, Komuna e Malishevës kishte vendosur që të njëjtin tender të anulojë më 7 shtator 2022 bazuar në “vendimin e ZKA-së të datës 06.09.2022 me nr.01 1557”.

Tenderi i dytë me shkelje ligjore

Tenderi i dytë për rregullimin e kolektorit të ujërave të zeza në fshatrat Bubël dhe Lubzhidë është hapur më 4 tetor 2022.

Në tenderin e parë, vlera e parashikuar e kontratës ishte 738,370 euro, kurse në tenderin e dytë dhe të tretë vlera e parashikuar ishte 1,261,061 euro, apo mbi 522,691 euro shumë se sa herën e parë kur ishte shpallur tenderi.

Pas analizimit të paramasave të kolektorit, të publikuara në faqen e E-Prokurimit rezulton që Komuna e Malishevës e ka zgjeruar projektin duke e shtuar gjatësinë e sipërfaqes që do të mbulohet me kanalizim dhe i njëjti më pas të përfundojë në kolektor.

Shembull, në tenderin e parë në pozicionin 4.2 ishin kërkuar oferta për furnizim me 304 copa gypa betoni me diametër 1000 milimetra (Ø1000), kurse në tenderin e dytë dhe të tretë ishin kërkuar 447 copa gypa me përshkrim të ngjashëm. Edhe sasia e “gypa betoni konusa Ø1000/800mm” nga 76 copa është rritur në 137 copa.

Sasitë janë rritur edhe në pozicione të tjera, siç ishte sigurimi dhe montimi i gypave të kanalizimit fekale nga “materiali HDPE-të PSN-8-E të brinjëzuar”. Në tenderin e parë ishin planifikuar 800 metra gjatësi me “Gypa HDPE/8 Ø800 mm”, kurse në tenderin e dytë janë bërë 5,150 metra gjatësi.

Edhe në tenderin e dytë kishte ankesa qysh në njoftimin për kontratë, duke paraqitur kërkesë për rishqyrtim me pretendimet që Komuna e Malishevës e ka kurdisur tenderin për një operator të caktuar, duke vendosur kritere diskriminuese.

Komuna e Malishevës e kishte miratuar pjesërisht ankesën e parë, duke pranuar që të korrigjojë dosjen e tenderit.

Edhe pas korrigjimit të njoftimeve, Komuna e Malishevës e kishte pranuar një kërkesë për rishqyrtim, por të njëjtën e kishte refuzuar.

Më pas kompania ankuese i ishte drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit. Vetëm pas ankimimit në OSHP është bërë publik emri i kompanisë ankuese, pasi Komuna e Malishevës vazhdimisht i është referuar se Operatori NN me arsyetimin se nuk i lejohet publikimi i emrit të operatorit ekonomik ankues.

Kompania “Rruga 07”, në ankesën e dorëzuar në OSHP, pretendonte se te kërkesa numër një e dosjes së tenderit “Kontrata e natyrës së punëve të ndërtimit të kanalizimeve” është në kundërshtim me dëshminë e kërkuar dokumentare, pasi që tek dëshmia është kërkuar që të ofrohen si dëshmi kontrata të natyrës së ngjashme, ndërsa tek kërkesa është kërkuar të ofrohen kontrata të natyrës së punëve të ndërtimit të kanalizimeve. Për këtë kompania ka pretenduar se nuk ka përputhje.

Këtë pretendim eksperti shqyrtues i OSHP-së e ka konsideruar si të bazuar duke thënë se si te kërkesa ashtu edhe dëshmia e kërkuar, duhet të jetë kërkesa për kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit, deri në datën e publikimit të njoftimit për kontratë.

Pretendimi tjetër i kompanisë, ka qenë se te dosja e tenderit Autoriteti Kontraktues ka specifikuar se “në rast të konsorciumit udhëheqësi i grupit duhet të mbulojë së paku 40% të referencave”, duke pretenduar se është kërkesë diskriminuese.

Por këtë eksperti e ka refuzuar si të pabazuar, duke thënë se është në diskrecion të Autoriteti Kontraktues të përcaktojë përqindjen.

Pretendimi i radhës i kompanisë “Rruga 07” ka qenë se në njërën prej kërkesave, është thënë se udhëheqësi i konsorciumit “duhet të ketë, minimum 1 kontratë për kanalizim fekal për kolektor kryesor, ku ka të përfshirë gypa të brinjëzuar HDPE 800mm”.

Këtë e ka miratuar si të bazuar eksperti shqyrtues, duke thënë se specifikimi i gypit në atë mënyrë e kufizon pjesëmarrjen e operatorëve ekonomik.

Pretendimet numër katër, pesë dhe gjashtë kishin të bëjnë me stafin e kërkuar të inxhinierëve, që kompania “Rruga 07” kontestonte periudhën e përvojës së kërkuar. Dy prej pretendimeve i ka miratuar si të bazuar eksperti shqyrtues, ndërsa njërin si të pabazuar.

Kurse pretendimet numër shtatë, tetë, nëntë dhe dhjetë kishin të bëjnë me makineritë e kërkuara në dosjen e tenderit. Eksperti shqyrtues tre prej këtyre pretendimeve i ka miratuar, ndërsa njërën e ka refuzuar si të pabazuar.

Në arsyetimin e vendimit, paneli shqyrtues i OSHP-së ka thënë se mbështetet në raportin e përpiluar nga eksperti shqyrtues, prandaj përmes vendimit OSHP obligonte Komunën e Malishevës që të bëjë përmirësimin e kritereve, konform vlerësimit të ekspertit shqyrtues, përveç te kërkesat për vitet e përvojës të të gjithë inxhinierëve të kërkuar në dosjen e tenderit.

Për arsye se OSHP konsideronte se përvoja e kërkuar është e arsyeshme dhe se eksperti nuk ka arsyetuar mjaftueshëm se kërkesat e tilla mund të paraqesin diskriminim.

Komuna e Malishevës fillimisht i ka bërë disa korrigjime në njoftimet për këtë aktivitet të prokurimit e më pas më 10 janar 2023 e kishte anuluar në tërësi aktivitetin e Prokurimit.

Anulimi i tenderit është bërë me arsyetimin se hapja e ofertave nuk ka mundur të kryhet për shkak të sistemit  E-Prokurimi, i cili nuk u ka lejuar hapjen e ofertave.

Problemet në E-Prokurimi i kanë konfirmuar përmes një emaili edhe Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik, mirëpo ata kanë lënë fajtor komunën për problemet e shkaktuara.

“Komuna nuk i ka bërë të ditura arsyet se pse ata e kanë dërguar procedurën dy herë në statutin “në apel”  ani se ka pasur vetëm një ankesë dhe pse nuk kanë krijuar çelësa me rastin e përgatitjes dhe publikimit të formularit B54 me date 20.12.2022” – thuhet në përgjigjen e KRPP-së.

Tenderi i tretë me vetëm një ofertues

Tenderi i tretë për të njëjtin qëllim është hapur me 17 janar 2023. Kësaj here vlera e parashikuar ishte e njëjtë sikur herën e dytë, 1 milion e 261 mijë euro.

Edhe kësaj here kompania “Rruga 07” ka bërë kërkesë për rishqyrtim që prapë ishte refuzuar nga Komuna e Malishevës, me arsyetimin se ata në tenderimin e tretë i kanë marrë parasysh udhëzimet e dhëna në vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit.

Në njoftimin për kontratë, janë eliminuar kërkesat që ishin në tenderin e dytë dhe që ishin konsideruar diskriminuese nga ana e OSHP-së.

Në njoftimin për kontratë të publikuar më 17 janar 2023, është bërë përshkrimi i njëjtë tek kontratat që duhet të dorëzojë OE për të dëshmuar se ka përvojë në ndërtim të kanalizimeve.

“Dëshmi Lista e kontratave të realizuara (përfunduara) të natyrës se ngjashme (vetëm ndërtimi i kanalizimeve, kolektorëve kryesor dhe renovim i kanalizimeve) ne tri vitet e shkuara nga data e publikimit te njoftimit për kontratë, të bashkangjitura me kopje te referencave apo raporteve te pranimeve në vlerën e kërkuar”, thuhet në kërkesën e parë për kapacitete teknike dhe dëshmitë që duhet të dorëzohen nga OE.

Në tenderin e dytë, OSHP-ja kishte konstatuar se Komuna e Malishevës duke e specifikuar se “udhëheqësi i konsorciumit duhet të ketë, minimum një kontratë për kanalizim fekal për kolektor kryesor, ku ka të përfshirë gypa të brinjëzuar HDPE 800mm” mund të kufizojë pjesëmarrjen e bizneseve tjera në këtë tender.

Por, ky specifikim është eliminuar në tenderin e fundit.

Tashmë ajo pjesë ishte riformuluar dhe kërkesa ishte që “udhëheqësi i grupit duhet të mbulojë së paku 40% të punëve të cekura më lartë dhe udhëheqësi i konsorciumit duhet të ketë, minimum 1 (një) kontratë për kanalizim fekal për kolektor kryesor”.

Ankesa në OSHP për këtë tender nuk ka pasur. BIRN ka kërkuar përgjigje nga kompania “Rruga 07” se pse nuk kanë vazhduar me ankesë në OSHP, por ata nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara.

Më 7 shkurt 2023 Komuna e Malishevës ka shpërblyer me kontratë grupin e operatorëve ekonomik “Smart Projekt & Hidro Project & Xhemshir Sejdia & Aksi Projekt” me vlerë prej 1 milion e 260 mijë e 344 mijë euro apo afërsisht 1 mijë euro më lirë se sa vlera e parashikuar e kontratës. Kontrata është nënshkruar me 15 qershor 2023.

Në një përgjigje me email për BIRN, Komuna e Malishevës ka thënë se operatori ekonomik që kishte bërë kërkesat për rishqyrtim “Rruga 07” është operator fiktiv.

Por që kjo e fundit figuron si biznes i regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, që nga  data 19 maj 2022 që i bie vetëm 3 muaj para se Komuna e Malishevës të hapte aktivitetin e parë të prokurimit për këtë tender.

BIRN ka kontaktuar kompaninë “Rruga 07”, e cila përmes një emaili ka thënë se janë biznes i regjistruar bazuar në ligjet e Kosovës.

“Ne vetëm mund të ju sqarojmë se kjo kompani është e regjistruar ne ARBK dhe përderisa është e regjistruar në institucione kompetente dhe zyrtare nuk kemi koment për pretendimet që kompania mund të quhet fiktive” – thuhet në përgjigjen e këtij operatori ekonomik.

E Komuna e Malishevës, në pyetjen pasuese të BIRN se përse kjo komunë e ka cilësuar si fiktive këtë operator, ata nuk kanë pranuar të kenë thënë ndonjëherë një gjë të tillë ani se emali paraprak dëshmon të kundërtën.

Ndërsa OSHP-ja ka thënë se ka pranuar një ankesë nga kompania “Rruga 07” para dorëzimit të ofertave.

“Ankesa e OE ankues “Rruga 07”, është pranuar në OSHP në fazën e kritereve, i cili ka pretenduar se AK-Komuna e Malishevës ka vendosur kritere diskriminuese që do të thotë se në atë fazë nuk ka pasur ofertë të dorëzuar nga operatorët ekonomik të interesuar për ketë aktivitet të prokurimit dhe rrjedhimisht OSHP nuk ka mundur të ndërmarrë asnjë veprim lidhur me atë se ky operatorë ekonomik a është i vërtet apo fiktiv sepse në platformën e E-Prokurimit nuk ka pasur oferta të dorëzuara” – thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Ish-shefi i Urbanizmit në Komunën e Malishevës pjesë e konsorciumit fitues

BIRN e ka analizuar edhe dosjen e tenderit të dorëzuar nga grupi i Operatorëve Ekonomikë. Në mesin e dokumenteve të dorëzuara nga ky grup i operatorëve në këtë tender është edhe CV e Remzi Javori, i cili sipas CV-së se tij ka qenë për 14 vite shef i Urbanizmit në Komunën e Malishevës. Kompania “Smart Projekt” që është pjesë e konsorciumit e ka dorëzuar CV-në e tij si inxhinier i ndërtimtarisë.

E një nga kërkesat në tender ka qenë që inxhinieri të jetë i diplomuar në drejtimin infrastrukturë rrugore, dhe i cili duhet të ketë 5 vjet përvojë punë dhe inxhinier në drejtimin master Konstruktiv me përvojë pune 6-vjeçare.

I kontaktuar nga BIRN, Remzi Javori – Inxhinier i ndërtimtarisë, ka thënë se nuk ka punë të rregullt në kompaninë që ka aplikuar për këtë tender. Ai ka thënë se kompanisë në fjalë ia ka dhënë CV-në sa për të aplikuar në tender dhe për t’i plotësuar kriteret.

“CV-në jo vetëm kësaj kompanie por ka shumë kompani të tjera në Malishevë që ia kam shokë, ua dërgojë vetëm sa për të aplikuar, ndoshta ky e ka marrë tenderin, tjerë ka plotë që ua dërgojë por nuk e marrin tenderin. Nëse më angazhon me pagesë, mandej unë mundem me u marrë me mbikëqyrjen, por përndryshe unë nuk kam asnjë interes, nuk po e di as cila kompani është ajo që e ka fituar tenderin” – ka thënë Javori.

Ai ka thënë se nuk është pjesë e komunës së Malishevës që nga viti 2016 dhe se CV-ja e tij në një dosje të tenderit mund të jetë disavantazh për operatorin ekonomik, pasi sipas tij “nuk ka raporte të mira” më qeverisjen aktuale.

Ky artikull është shkruar nga Rinesa Qorri përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.