Ilustrimi: Flickr

Paneli e rrëzon rekomandimin e ekspertit për tenderin e Komunës së Gjakovës

Paneli shqyrtues i Organit Shqyrtues të Prokurimit i ka dhënë të drejtë Komunës së Gjakovës dhe e ka rrëzuar ankesën e kompanisë dhe rekomandimin e ekspertit shqyrtues që tenderi të kthehet në rivlerësim.

Ky vendim i OSHP-së i ka hapur rrugë Komunës së Gjakovës që të nënshkruajë kontratë në vlerë 78,855 euro me grupin e operatorëve ekonomikë “Afa-Ing & Matrix” për tenderin “Digjitalizimi i sallës së Asamblesë Komunale në objektin e Komunës së re”.

Ky tender ishte hapur më 14 nëntor 2022 dhe për këtë projekt Komuna e Gjakovës i kishte ndarë 90,648 euro. Përveç grupit të operatorëve ekonomikë “Afa-Ing & Matrix” që kishte ofertuar me 78,855 euro, në këtë tender kishte ofertuar edhe kompania “Tetroniks” me 84 mijë e 342 euro.

Kompania “Tetroniks” kishte bërë kërkesë për rishqyrtim bazuar në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit Publik duke pretenduar se Komuna e Gjakovës ka bërë shkelje ligjore kur e ka rekomanduar për kontratë grupin e operatorëve ekonomikë “Afa-Ing & Matrix”.

Kërkesa ishte refuzuar nga Komuna e Gjakovës, e cila kishte vendosur të lë në fuqi vendimin për të rekomanduar për kontratë operatorin që kishte ofertuar 5 mijë euro më lirë se kompania ankuese “Tetroniks”.

Kompania “Tetroniks” i është drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), si shkallë e dytë e ankesave për prokurim.

Pretendimi i parë në ankesë i kompanisë në fjalë, ka qenë se kompanitë e rekomanduara për kontratë nuk kanë plotësuar kriteret e dosjes së tenderit, se kanë përfunduar me sukses kontrata të natyrës së ngjashme në tri vitet e fundit, me vlerë jo më pak se 130 mijë euro.

Sipas pretendimit të “Tetroniks”, kompanitë e rekomanduara nuk kanë ofruar si dëshmi referenca që kanë kryer furnizime të tilla dhe po ashtu se disa nga referencat që kanë dorëzuar nuk janë të vlefshme, pasi sipas pretendimit, janë më të vjetra se tri vjet.

Këtë pretendim eksperti shqyrtues i caktuar nga OSHP-ja e ka konsideruar si të bazuar.

“Eksperti shqyrtues konstaton se duke u bazuar në dokumentet që i ka dorëzuar OE i rekomanduar për kontratë, i njëjti e ka ofruar listën e projekteve të realizuara në tri vitet e fundit para publikimit të njoftimit për kontratë, ku ka deklaruar se e plotëson vlerën e kërkuar të projekteve, megjithatë edhe pse e ka ofruar listën e projekteve dhe kontratat, megjithatë nuk e ka ofruar dëshmi – referenca në vlerën e kërkuar prej jo më pak se 130 mijë euro, të përfunduara në tri vitet e fundit para publikimit të njoftimit për kontratë” – thuhet ndër të tjera në raportin e ekspertit Çela.

Por OSHP-ja e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kompanisë në fjalë dhe e ka hedhur poshtë edhe rekomandimin e dhënë nga eksperti shqyrtues për këtë pikë të ankesës.

Paneli shqyrtues ka konsideruar se eksperti nuk ka dhënë detaje dhe sqarime konkrete, se cilat referenca nuk janë të vlefshme dhe janë të vjetra.

Në arsyetimin e vendimit, OSHP thotë se ka kalkuluar referencat e dorëzuara nga grupi i operatorëve ekonomikë dhe sipas tyre, ka plotësuar kriterin.

Paneli shqyrtues i OSHP-së ka thënë se grupi i operatorëve ekonomikë në fjalë ka prezantuar 13 kontrata, prej të cilave katër nuk kanë qenë të vlefshme, apo kanë qenë të vjetra.

Por prapë, sipas OSHP-së, më kontratat e realizuara në tri vitet e fundit është arritur vlera minimale e kërkuar prej 130 mijë eurove.

“..andaj sikur të gjitha këto kontrata të hiqeshin nga lista do të rezultonte vlera totale prej 134 mijë e 175 eurove, që përsëri plotësohet kriteri i kërkuar në Dosje të Tenderit” – thuhet në arsyetim.

Pretendimi për mungesë të broshurave

Pretendimi tjetër në ankesën e “Tetroniks”, ka qenë se grupi i operatorëve ekonomikë të rekomanduar nuk kanë dorëzuar broshurë apo katalog për pajisjet e ofertuara.

Por këtë pretendim eksperti Çela e ka konsideruar si të pabazuar, pasi ka thënë se nuk ka qenë në dosjen e tenderit një kriter i tillë kualifikues.

Rrjedhimisht, në fund eksperti Dardan Çela i ka rekomanduar panelit shqyrtues të OSHP-së që ankesa e “Tetroniks” të aprovohet si pjesërisht e bazuar, të anulohet vendimi për rekomandimin dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Kurse në lidhje me pretendimin tjetër të “Tetroniks”, se grupi i operatorëve ekonomikë të rekomanduar për kontratë, nuk ka dorëzuar broshurë apo katalog për pajisjet e ofertuara, edhe OSHP ka konstatuar se nuk ka qenë një kriter i tillë kualifikues.

Rrjedhimisht, OSHP-ja e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e kompanisë “Tetroniks”.

Pas këtij vendimi të OSHP-së, Komuna e Gjakovës ka nënshkruar kontratën me grupin e operatorëve ekonomikë “Alf-Ing & Matrix” më 26 maj 2023. Furnizimi dhe instalimi i njësisë qendrore të sistemit të mikrofonave dhe përkthimit simultan është kontraktuar në vlerë 15,710 euro. Ndërsa 9,520 euro ka kushtuar vetëm furnizimi dhe instalimi i pultit të mikrofonit për 34 delegatët.  Për një furnizimin dhe instalimin e një palë kufje profesionale, Komuna e Gjakovës ka paguar 65 euro apo 6,175 euro për 65 të tilla. Furnizimi dhe instalimi i aplikacionit softuerik ka kushtuar 8.250 euro.

Kontrata e nënshkruar është “kontratë kornizë” që nënkupton që lejohet devijime deri në +/- 30% të vlerës së kontratës.

Ky artikull është shkruar nga Rreze Sylhasi përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.