QKMF në Fushë Kosovë, Foto: Albana Islami

Komuna e Fushë Kosovës shpenzon 169 mijë euro për renovimin e QKMF-së

Dilemat se inxhinieri i prezantuar nga grupi i operatorëve ekonomikë i rekomanduar për kontratë, është bachelor i ndërtimtarisë apo inxhinier i diplomuar kanë çuar në kthimin në rivlerësim të tenderit për renovimin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Fushë Kosovë.

Eksperti shqyrtues e më pas edhe Paneli i OSHP-së kishin kërkuar nga Komuna e Fushë Kosovës që tenderin në vlerë prej 169 mijë euro ta kthejë në rivlerësim. Kjo është bërë për të hequr çdo dilemë të ngritur nga dy operatorë ekonomikë që kishin paraqitur ankesa kundër vendimit të Komunës së Fushë Kosovës për të rekomanduar për kontratë kompaninë “Euro Construction”. Kjo kompani ishte rekomanduar për kontratë më 25 korrik 2022, pasi ishte vlerësuar se oferta prej 169 mijë e 498 ishte më e lira e përgjegjshme e dorëzuar për këtë tender.

Për këtë tender kishte pranuar ofertuar 7 operatorë ekonomikë. Dy prej tyre, “Harst Group” dhe konsorciumi “Engineering dhe Global Holding”,  ishin ankuar në fillimisht tek Komuna e Fushë Kosovës, duke bërë kërkesë për rishqyrtim bazuar në nenin 108/A të Ligjit të Prokurimit. Kjo e fundit i kishte refuzuar ankesat e tyre, duke e lënë në fuqi vendimin për të rekomanduar për kontratë kompaninë “Euro Construction”.

Më pas ofertuesi “Harst Group”, si dhe grupi i operatorëve ekonomikë “Engineering” dhe “Global Holding” kishin bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke i parashtruar disa pretendime.

Pretendimi i “Harst Group” ka qenë se inxhinieri i prezantuar nga grupi i operatorëve ekonomikë i rekomanduar për kontratë, është bachelor i ndërtimtarisë e jo inxhinier i diplomuar, siç e kërkonte dosja e tenderit.

Sipas ekspertit shqyrtues të caktuar nga OSHP-ja, është i paqartë dallimi në mes “inxhinier i diplomuar” dhe “bachelor i ndërtimtarisë”, si dhe si llogaritet titulli në këtë rast. OSHP ka miratuar pjesërisht këtë pretendim, duke thënë se Autoriteti Kontraktues këtë mund ta sqarojë përmes institucioneve përkatëse gjatë rivlerësimit të ofertave.

Pretendimi i dytë i “Harst Group” ka qenë se i vetmi inxhinier që ka qenë pjesë e stafit të prezantuar, është caktuar më pas si menaxher i projektit.

Edhe ky pretendim është miratuar pjesërisht i bazuar dhe eksperti shqyrtues ka thënë se Autoriteti Kontraktues, në këtë rast Komuna e Fushë Kosovës duhet të kërkojë sqarime shtesë nga operatori ekonomik.

Ndërsa pretendimi i grupit të operatorëve ekonomikë “Global Holding” dhe “Engineering” ka qenë se grupi i operatorëve ekonomikë të rekomanduar për kontratë kanë prezantuar inxhinier të cilët nuk kanë figuruar fare në listën e stafit. Po ashtu, pretendim i njëjtë ka qenë edhe si i kompanisë “Harst Group”, për inxhinierin e ndërtimtarisë.

Këtë pretendim eksperti shqyrtues Xhevdet Bushi e ka miratuar si pjesërisht të bazuar dhe ka thënë se AK duhet të kërkojë po ashtu sqarime shtesë gjatë rivlerësimit të ofertave.

Në fund, eksperti shqyrtues Bushi duke u bazuar në përgjigjet që ka dhënë për secilin pretendim, i ka propozuar panelit shqyrtues të OSHP-së që ankesat të aprovohen si pjesërisht të bazuara dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

Paneli shqyrtues i OSHP-së duke u pajtuar me përgjigjet e ekspertit shqyrtues, më 13 shtator 2022 ka marrë vendim që lënda të kthehet në rivlerësim dhe ka thënë se Autoriteti Kontraktues gjatë rivlerësimit të ofertave duhet të kërkojë sqarimet shtesë për secilën prej pretendimeve që janë cekur.

Pas rivlerësimit të ofertave, Komuna e Fushë Kosovës prapë ka rekomanduar për kontratë grupin e njëjtë të operatorëve “Vetoni” dhe “Euro Construction”, njëjtë si herën e parë.

Në një përgjigje për BIRN, Komuna e Fushë Kosovës ka thënë se gjatë rivlerësimit të ofertave, kanë kërkuar nga grupi i operatorëve ekonomikë “Vetoni” dhe “Euro Construction”, kompanisë “Harst Group” si dhe “Engineering” dhe “Global Holding”, plotësimin e dokumenteve sipas dosjes së tenderit.

“Komisioni rivlerësues pas kërkesave për sqarime shtesë dhe kompletimit të dokumentacionit ka vlerësuar se GOE “Vetoni” & “Euro Construction” janë të përgjegjshëm me dokumentacionin e kërkuar në dosjen e tenderit dhe ka ofruar çmimin më të ulet andaj është shpërblyer me kontratë” – kanë thënë nga Komuna e Fushë Kosovës për BIRN.

Kompania “Harst Group” është eliminuar me arsyetimin se nuk ka plotësuar kapacitetet teknike dhe profesionale, ndërsa grupi i operatorëve ekonomikë “Engineering” dhe “Global Holding” po ashtu është eliminuar për shkak se nuk ka plotësuar kapacitetet teknike dhe profesionale.

Pas kësaj procedure, asnjëra nga kompanitë që kanë ofertuar nuk kanë bërë ndonjë ankesë tek Autoriteti Kontraktues apo Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Kontrata me grupin e operatorëve ekonomikë “Vetoni” dhe “Euro Construction” është nënshkruar më 24 tetor 2022, me çmim prej 169 mijë e 498 eurove, në të njëjtën kohë duke qenë oferta më e lirë që Komuna e Fushë Kosovës ka pranuar për këtë tender.

Në kontratën e publikuar është planifikuar që punët ndërtimore të kushtojnë 120,183 euro. Instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimit kanë kushtuar 10,799 euro, instalimet elektrike 7,428 euro, Instalimet mekanike 21,922 euro dhe punët në rregullimin e recepsionit 9,263 euro.

Pas vizitës në terren është parë që tashmë QKMF-ja në Fushë Kosovë është lëshuar në punë. Në E-Prokurim nuk figuron asnjë kontratë e re e nënshkruar për punët shtesë në renovimin e kësaj Qendre Kryesore të Mjekësisë Familjare në këtë qytet.

Komuna e Fushë Kosovës kishte shpenzuar 14 mijë e 313 euro për renovimin e kësaj QKMF-je në vitin 2019. Në atë kohë ishin bërë disa intervenime më të vogla dhe kontratën e kishte fituar kompania “Global Ing”.

Ky artikull është shkruar nga Albana Islami përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.