Ilustrim

Tenderët që Komuna e Vitisë ia dha kompanive të familjes Emini

Florent Emini dhe bashkëshortja e tij Armenda Beqiraj kanë marrë disa kontrata nga Komuna e Vitisë.

Kompania që është në pronësi të Florent Eminit, “Geo Map” merret me hartim të projekteve për këtë komunë. Kurse, kompania “Pro & Co Group SH.P.K”, që është pronë e Armenda Beqirajt, ka marrë disa kontrata për realizim të punëve të ndryshme në këtë komunë.

KALLXO.com ka gjetur se të paktën në një rast projekti ishte hartuar nga “Geo Map”, ndërsa kontratë për realizim të punëve e kishte fituar kompania e bashkëshortes së tij, “Pro & Co Group SH.P.K”.

Florent Emini, që është edhe vëllai i ish-drejtoreshës së Kadastrit dhe Arsimit në Komunën e Vitisë, Fatbardha Emini, e ka nënshkruar një kontratë për ‘hartimin e projekteve investive (kapitale)’ me kompaninë e tij “Geo Map & News”.

Grupi i kompanive “Geo Map dhe News Sh.P.K” ka qenë i vetmi operator i përgjegjshëm dhe më pas i ishte dhënë kontrata për “Hartimin e projekteve investive (kapitale) për komunën e Vitisë”.

KALLXO.com i ka analizuar kapacitetet teknike dhe profesionale të kërkuara nga komuna për këtë tender dhe rezultojnë që janë dukshëm më të larta se sa në tenderët e natyrës së njëjtë të hapur nga komunat tjera. Por, kundër njoftimit për kontratë nuk është ankuar asnjë operator ekonomik.

Lidhjet familjare

Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrim të bizneseve, pronar i kompanisë “Geo Map”, e cila ishte pjesë e konsorciumit që e ka fituar këtë kontratë, është Florent Emini.

Kjo kompania kishte marrë kontrata të ngjashme edhe viteve të kaluara.

Në vitin 2019, kompania “Geo Map” kishte nënshkruar kontratën me dy llote për ‘hartim të projekteve investive’, në vlerë totale prej 52,729.5 euro. Në atë kohë, Fatbardha Emini, motra e Florent Eminit, i cili është pronar i kompanisë “Geo Map”, ishte drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Vitisë, që udhëhiqet nga Sokol Haliti i LDK-së.

Po ashtu, për hartim të projekteve në vitin 2021 edhe kompania “NEWS Sh.P.K” kishte nënshkruar kontratë në vlerë prej 184 mijë euro, ku çmimi për njësi ishte 0.49 euro, kompania “NEWS” në kontratën e vitin 2023 ka ofertuar si konsorcium me kompaninë e Florent Eminit.

Florent Emini, në bazë të publikimeve në rrjetin social Facebook, rezulton se është bashkëshorti i Armenda Beqirajt, e cila sipas të dhënave në ARBK është pronare e kompanisë “Pro & Co Group SH.P.K”,

Sipas raportit të kontratave të nënshkruara nga Komuna e Vitisë për vitin fiskal 2022, kompania “Pro & Co Group SH.P.K” ka fituar katër kontrata nga Komuna e Vitisë në vlerë të përbashkët prej 2,923,488 euro, nga gjithsej 17 kontrata me vlerë 6,431,988.15 euro që i kishte nënshkruar komuna në vitin 2022. Pra, kompania “Pro & Co Group SH.P.K”, i ka fituar 45% të vlerës së kontratave publike për punë.

Në vitin 2021, “Pro & Co Group Sh.P.K” nga kjo komunë ka fituar vetëm një kontratë me vlerë 820,153.13 euro, nga gjithsej 11 kontrata me vlerë 2,050,116.98, apo 40% vlerës së kontratave publike për punë të inicuara nga Komuna e Vitisë.

KALLXO.com ka dërguar pyetjet në emailin zyrtar të kompanisë “Geo Map”, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e dërguara.

Ndërsa nga kompania “Pro&Co Group” në të cilën pronare figuron Armenda Beqiraj, kanë thënë se janë dy kompani të ndara me përgjegjësi të kufizuar.

“Kompania “Pro&Co Group” shpk në statusin e saj përfaqësohet nga drejtori Kenan Emini  dhe është biznes me përgjegjësi të kufizuar, në të cilën aksionare kryesore është Armenda Beqiraj” – thuhet në përgjigjen e kompanisë “Pro&Co Group”.

Tutje kjo kompani ka thënë se nuk kanë asnjë konflikt të interesit bazuar në Ligjin e prokurimit publik.

“Ne si fitues të tenderëve jemi kompani Sh.P.K, ku drejtori është personi i vetëm që menaxhon kompaninë dhe është i autorizuar me ligji për të vepruar në emër të kompanisë, po ashtu në rastin konkret nuk ka të bëjë fare me ndonjë konflikt interesi sepse projekti është publik dhe çdo kompani është e hapur për të marrë pjesë në një projekt” – thuhet në përgjigjen e kompanisë dërguar përmes emailit.

Kompania “Pro&Co Group” nuk është përgjigjur fare në pyetjet rreth lidhjeve familjare të pronares së kësaj kompanie, Armenda Beqiraj dhe pronarit të kompanisë “Geo Map”, Florent Emini. E njëjta pyetje i është ridërguar në emalin e njëjtë që është përgjigjur në pyetjet e para, mirëpo nuk janë përgjigjur.

Në përgjigjen e tyre, “Pro&Co Group” kanë thënë se për të njëjtën çështje, pra pronësinë e dy kompanive kanë pasur telashe edhe me institucione të tjera.

“Për të njëjtin problem, ne kemi pasur telashe edhe me një institucion tjetër ku institucioni ka kërkuar interpretime nga zyra ligjore e MMPHI edhe nga Agjencia e Anti-Korropsion ku e përcakton saktë se s’kemi të bëjmë me konflikte interesi pasi ligji e përcakton qartë” – thuhet në përgjigjen e “Pro&Co Group”. Pas kësaj përgjigje, KALLXO.com ka kërkuar nga kompania që t’ia dërgoj opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsion, por të njëjtit më nuk janë përgjigjur.

Florent Emini, pronari i kompanisë “Geo Map” është vëllai i ish-zëvendësministres së Administrimit të Pushtetit Lokal, Fatbardha Emini Halabaku. Ajo ishte edhe drejtoreshë e Arsimit dhe drejtoreshë e Kadastrit, Pronës dhe Gjeodezisë në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka tentuar disa herë të marrë përgjigje nga Emini, e cila në qershor të vitit 2022 është zgjedhur kryetare e Forumit të Gruas të LDK-së në Viti, por ajo nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara fillimisht në WhatsApp, e më pas edhe në profilin e saj në Facebook dhe Viber.

Asaj i janë dërguar pyetjet në profilin e saj në Facebook më 8 shtator 2023 dhe i është dhënë kohë të përgjigjet deri më datën 11 shtator. Pyetjet e dërguara janë parë nga ajo apo personat që ia menaxhojnë profilin e saj, por KALLXO.com nuk ka pranuar përgjigje deri në kohën e përcaktuar.

KALLXO.com ka kërkuar përgjigje edhe nga i pari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, nëse ka qenë në dijeni që dy kompanitë e familjarëve të Fatbardha Eminit kanë marrë tenderë në Komunën e Vitisë; nëse Fatbardha Emini ka ndikuar që këto kompani t’i marrin tenderët në Komunën e Vitisë dhe nëse ai e cilëson konflikt interesi faktin që kompania e vëllait të Fatbardha Eminit i harton projektet ndërsa kompania e kunatës së saj ka marrë disa tenderë për realizim të punëve. Por i njëjti nuk është përgjigjur në pyetjet që i janë dërguar më 11 shtator 2023 deri në publikimin e artikullit.

Kriteret e dyshimta

Komuna e Vitisë në muajin mars ka nënshkruar kontratë me vlerë 360 mijë euro, me çmim për njësi 0.61 euro për ‘hartimin e projekteve investive’ me grupin e operatorëve ekonomikë “Geo Map & News”.

Në kërkesat teknike dhe profesionale me qëllim të realizimit të këtij projekti, Komuna ka vendosur që nga operatorët ekonomikë të interesuar të kërkojnë dëshmi se kanë të punësuar nga një inxhinier për profile të ndryshme të drejtimeve teknike.

Po ashtu, komuna ka kërkuar gjithsej pesë gjeodetë, më saktësisht dy inxhinierë të diplomuar të Gjeodezisë dhe tre bachelorë të Gjeodezisë të licencuar nga Agjencioni Kadastral i Kosovës (AKK).

“Dy (2) Inxhinierë të dip. te Gjeodezisë ose master, me minimum tri (3) vite përvojë pune të jenë te licencuar nga AKK, dhe tre (3) Bachelorë të Gjeodezisë të licencuar AKK më së paku pesë (3) vite përvojë pune pas diplomimit. Përvoja për këtë staf duhet të jetë në lëminë e punëve gjeodezike në Projektet e Projektimit” – thuhet në kërkesën e dosjes së tenderit.

Kundër njoftimit për kontratë nuk ka pas ndonjë ankesë për kritere diskriminuese, por KALLXO.com ka kontrolluar disa prej tenderëve të hapur nga komunat e tjera dhe që ishin të natyrës së njëjtë: Hartimin e projekteve.

Komuna e Gjilanit e kishte hapur një tender për “Hartimin e projekteve të infrastrukturës Rrugë, kanalizim dhe shërbime gjeodezike”, me një vlerë të parashikuar prej 384 mijë euro. Në këtë tender, Komuna e Gjilanit kishte kërkuar që kompania të ketë vetëm një gjeodet.

“1 (një) inxhinier i diplomuar i Gjeodezisë 5 (pesë) ose inxhinier i Gjeodezisë min. 10 (dhjet) vite përvojë pune pas diplomimit” – thuhet në njoftimin për kontratë të këtij tenderi me numër të prokurimit: 651-20-7907-2-1-1.

Edhe në tenderin “Hartimi i projekteve të ndërtimit të ulët” (Nr të prokurimit 32-22-11133-2-1-1) të Komunës së Gjakovës është kërkuar që operatorët ekonomikë të kenë “Një Gjeodet ose bachelor i Gjeodezisë me përvojë pune profesionale minimum 5 vite”.

KALLXO.com ka pyetur Komunën e Vitisë se për çfarë arsye janë kërkuar pesë gjeodetë për një tender i cili kryesisht ka të bëjë me hartimin e projekteve dhe jo matje gjeodezike, mirëpo deri në publikimin e këtij shkrimi, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Komuna e Vitisë për këtë projekt kishte vendosur që të përgjysmojë kohën për pranimin e ofertave, nga 40 ditë sa kërkohet më ligj, komuna e ka caktuar afatin vetëm 20 ditë.

Afati i rregullt sipas Udhëzuesit nr. 001/2023 të  Prokurimit Publik, pika 6,  për një kontratë për shërbime me vlerë të tillë është 40 ditë, mirëpo, komuna e ka përdorur afatin e shkurtuar me arsyetimin “ …të nevojës se zhvillimit të projekteve, për arsye të mosarritjes së afateve të kërkuara…”.

Për hartimin e projekteve investive Komuna e Vitisë kishte hapur tender edhe në vitin e kaluar, por ishte anuluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) për shkak të gabimeve në paramasë, vendosjen e njësive matëse jo të duhura.

Ky artikull është shkruar nga Diell Haxhimusa përmes mbështetjes nga Shkolla për Gazetari Hulumtuese e financuar nga Aktiviteti i Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) për Integritetin e Komunave të Kosovës. Pikëpamjet e paraqitura në këtë artikull nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e USAID-it ose të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.