Rasti i Rrëmbimit Sërish me Shkelje Procedurale

Në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ndaj shtatë të akuzuarve nën dyshimin për kryerje të veprave penale të rrëmbimit dhe ndihmës në rrëmbim.

Siç ishte planifikuar nga seanca e kaluar, në sallë u ftua dëshmitari Enes Xhemaj, i cili më parë kishte qenë i bashkakuzuar me shtatëshen e të akuzuarve dhe ishte dënuar me dënim burgu prej gjashtë muajsh për veprën penale të “armëmbajtjes pa leje”.

Dëshmitari Xhemaj, fillimisht rrëfeu ngjarjen, mirëpo i ndërprerë shpesh me pyetje nga kryetari i trupit gjykues.

Avokati Bashkim Nevzati reagoi duke dhënë vërejtje në marrjen në pyetje të dëshmitarit, për faktin se nuk dihej kush ishte duke e marrë atë në pyetje. Ndërsa radha, sipas Kodit të Procedurës Penal i takonte prokurorit, duke e konstatuar në procesverbal, Nevzati tha: “Kryetari i trupit gjykues është duke bërë shkelje me pyetje me të cilat është duke e orientuar dëshmitarin”.

Ndër të tjera, në pyetjen e prokurorit, dëshmitari Xhemaj deklaroi se së bashku me të akuzuarin Selam, kishin marrë 140 euro nga Beska dhe së bashku kishin shkuar në banesën e të akuzuarës Fatmire, pastaj së bashku me Selamin kishin dalë për drekë, ku kishin hasur në Policinë e Kosovës, meqë rast Selami nga frika kishte tentuar të ikte.

“Selami më ka thënë, unë e gjej djalin se është në hyrje të Leskovecit te daja Bashkim, se po du me u hakmarrë për do pare false që i kemi pasë, e më ka pas mbet borxh”, tha dëshmitari Xhemaj.

“Unë kam shku me Selamin për në Leskovec, me ne nuk erdhi baca Beskë, e kemi thirrë një taksi, nga ‘Blue taxi’. Me vete e kam marrë edhe kallashin, e ka pa edhe taksisti. Brenda në fshat nuk hymë. Selami më tha se ka disa persona që ruajnë, bile aty më tha bjerma kallashin ta gjuaj shtëpinë e dajës Rrahman se ja kam inatin. Unë nuk ia dhashë”, ka vazhduar ai.

Avokati Përgjoka, disa herë e ballafaqoi dëshmitarin me dëshminë e dhënë më parë, nga e cila kishte ndryshime.

Ndërsa në pyetjen e mbrojtësit Nevzati, dëshmitari u përgjigj se nuk e kishte numrin e telefonit që e kishte pasur në kohën sa ishte në kërkim të të rrëmbyerit. Kur u pyet se a i kujtohej numri të cilin e kishte pasur në atë kohë, dëshmitari u përgjigj: “Jo nuk e di, sepse nga atëherë i kam ndërruar afër dhjetë numra, më humbin shpesh kështu që i ndërroj”.

Dëshmitarin në pyetje e mori edhe i akuzuari Selam Shoshaj, në pyetjen e të cilit dëshmitari tha se kishte biseduar me disa persona nga Kukësi i Shqipërisë. “A e ke përdorur telefonin tim për të biseduar me dikë, në kohën sa unë kam qenë në tualet”, ishte pyetja e të akuzuarit. Dëshmitarit nuk i kujtohej saktë.

Pyetja e shtruar nga i akuzuari, që zgjoi shumë reagime për palët dhe vetë trupin gjykues ishte: “A ka ardhë Azem Delija me ne, sa kemi qenë bashkë”? Përgjigja ishte: “Jo nuk ka ardhë”. Pyetja pasuese e të akuzuarit për dëshmitarin Xhemaj, ishte: “Azemi, a ka biseduar me dikë në telefon në prezencën tonë?”.

“Nuk mund të them as po, e as jo, nuk po më kujtohet saktë” ishte përgjigja e dëshmitarit, për personin që pak më parë kishte thënë se nuk kishte ardhur fare.

Dëshmitari Xhemaj tha se nga shtatë të akuzuarit vetëm Beqir Dangallajn nuk e njihte.

Derisa dëshmitari Xhemaj jepte dëshminë për të akuzuarin Veshalli, në sallë u ngritën zërat nga mbrojtja dhe vetë të akuzuarit. Kryetari i trupit gjykues nuk ka mundur ta qetësojë sallën. Duke parë këtë gjendje të tensionuar, salla e gjykimit u mbush plot nga uniformat e zeza të Njësitit Special.

Duke parë lodhjen e madhe dhe faktin se kishte kaluar koha e orarit të punës, trupi gjykues morri vendim që ta ndërpresë gjykimin.

Selam Shoshaj, 24-vjeçar, dhe daja i tij, Bashkim Krasniqi 48 vjeç, i njohur me pseudonimin “Mjekra” që nga lufta e UÇK-së, akuzohen nga Prokuroria e Qarkut në Prizren, se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale të “rrëmbimit të personit”, nga neni 159 i Kodit Penal të Kosovës.

Ndërsa mbi të pandehurit Besim Paçarizi, 29 vjeç, Beqir Dangallaj, 47 vjeç dhe Fatmire Rexhëbeqaj, 32 vjeç, që të tre të punësuar në policinë rajonale në Prizren, aktualisht të suspenduar, për shkak të procesit gjyqësor, rëndojnë akuzat për kryerje të veprës penale “ndihmë në bashkëkryerje të veprës penale të rrëmbimit të personit”.

I pandehuri Besim Paçarizi, akuzohet edhe për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që me rastin e bastisjes së shtëpisë së tij, i është gjetur një pushkë automatike AK- 47.

Ndërsa ndaj të pandehurve Shukri Krasniqi dhe Leonard Veshalli, aktakuza për veprën penale të rrëmbimit iu është ngritur më vonë, në bazë të dëshmisë së Enes Xhemës, i cili ka qenë po ashtu i pandehur për këtë rast dhe i dënuar me gjashtë muaj burgim për armëmbajtje pa leje.
 
Meqë nga janari i vitit 2013 ka hyrë në fuqi Kodi i ri Penal dhe ai i Procedurës Penale, seanca gjyqësore ka filluar nga e para.