Ilustrim

Një vit e gjysmë, asnjë punë e kryer - Komuna e Ferizajt ndërpret dy kontrata në vlerë rreth 730 mijë euro

Komuna e Ferizajt i ka ndërprerë dy kontrata për shtrimin e disa rrugëve në fshatrat e Ferizajt në vlerë rreth 730 mijë euro më shumë se një vit e gjysmë pas nënshkrimit të kontratave. Kontratat ishin nënshkruar në mars të vitit 2022 me konsorciumin “Kosova Asfalt” SH.P.K dhe “Agim Morina” B.I. kurse janë ndërprerë në tetor të vitit 2023, me marrëveshje mes Komunës së Ferizajt dhe kompanisë fituese.

Prej nënshkrimit të kontratës deri në shkëputjen e saj, për më shumë se një vit e gjysmë, nuk është realizuar asnjë punë në rrugët për të cilat ishin nënshkruar kontratat edhe pse në kontratë thuhet se kontrata hyn në fuqi pesë ditë pas nënshkrimit të kontratës.

Kontrata “Asfaltimi i rrugëve në fshatin Varosh, Fshatin e Vjetër, Bibaj dhe Nikadin” në vlerë 427,288 euro, u nënshkrua më 9 mars 2022 dhe u ndërpre më 23 tetor 2023. Kontrata tjetër, “Asfaltimi i rrugëve kryesore në fshatin Surqinë, rrugëve dhe trotuarit në Prelez të Jerlive dhe rrugëve në fshatin Muhoc” në vlerë 306,610 euro, ishte nënshkruar më 11 mars 2022 dhe u ndërpre me marrëveshje më 17 tetor 2023.

“Palët kontraktuese kanë arritur marrëveshjen për shkëputjen e kontratës. Me kërkesën e punëkryesit, është kërkuar të ndërpritet kontrata me marrëveshjen reciproke. Kontrata nuk ka filluar asnjëherë implementimin. Autoriteti Kontraktues dhe operatori ekonomik “Kosova Asfalt” & “Agim Morina MI” me marrëveshje bëjnë shkëputjen e të njëjtës dhe Operatori Ekonomik heq dorë nga çdo kërkesë për kompensimin e dëmit në të ardhmen” – thuhet në të dy marrëveshjet për ndërprerjen e kontratave që kapin vlerën 730 mijë euro.

Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Meriton Hajdini, ka treguar për KALLXO.com se pse nuk ka filluar implementimi i këtyre kontratave pas nënshkrimit të tyre. Sipas tij, kontratat u nënshkruan para inflacionit të shkaktuar nga kriza globale dhe se planifikimi i tyre ka qenë me çmime të vjetra.

“Punimet në këto projekte nuk kanë filluar fare. Me këtë arsye kompania ka bërë kërkesë për shkëputjen e kontratave. Këto dy kontrata janë shkëput ku edhe është ekzekutuar sigurimi i tenderit. Andaj nga këto kontrata përveç vonesave në punime nuk ka pas asnjë dëm financiar të shkaktuar ndaj Komunës” – ka thënë Hajdini për KALLXO.com.

Por Hajdini nuk është përgjigjur në pyetjen e KALLXO.com se pse këto kontrata nuk janë ndërprerë më herët por është pritur kaq gjatë deri në marrëveshjen për shkëputjen e kontratave dhe nëse është shqiptuar ndonjë gjobë ndaj kompanisë.

KALLXO.com ka tentuar të marr përgjigje edhe nga “Kosova Asfalt”, kompania lidere e konsorciumit që ishte fitues i dy kontratave në vlerë rreth 730 mijë euro. Por, deri në publikimin e artikullit, as kompania “Kosova Asfalt” e as pronari i saj, Valdrin Shabani, nuk janë përgjigjur në pyetjet e drejtuara përmes emailit dhe mesazheve nga KALLXO.com.

Drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj, Meriton Hajdini, ka deklaruar se brenda vitit do të fillojnë me ritenderimin e këtyre projekteve dhe me këtë edhe fillimi i punimeve për asfaltimin e rrugëve të parapara në këto projekte.