Kritikohet zhvendosja në pronë private e traditës së shtëpizave të drurit në Sheshin e qytetit të Ferizajt

Për vite me radhë, në fundvit në Sheshin e Ferizajt organizoheshin ngjarje muzikore ku edhe vendoseshin shtëpizat nga druri për shërbime gastronomike.

Fundvitin që shkoi, ky organizim nuk u bë në Sheshin e Ferizajt. Organizim i ngjashëm u bë në parkingun e “The Village” në këtë komunë.

Ky organizim filloi nga data 16 dhjetor, deri më 31 dhjetor 2023.

Kallxo.com ka drejtuar pyetje drejt Komunës së Ferizajt për të kuptuar se pse nuk vazhdoi kjo traditë në Sheshin e qytetit.

Ky institucion për mosorganizimin e këtij eventi arsytohet se tradicionalisht ka pasur kërkesa nga Organizata Joqeveritare për organizime të tilla, por që sivjet nuk ndodhi një gjë e tillë.

Komuna e Ferizajt, nuk ka pasur kërkesë të parashtruar për vendosjen e shtëpizave të drurit. Komuna e Ferizajt, nuk është organizatore e ngjarjeve në qendrën “The Village”, rrjedhimisht ajo është organizim privat i vet qendrës, pra nuk ka rol Komuna e Ferizajt”- thuhet në përgjigjen e kësaj Komune.

Megjithatë mosorganzimi në Sheshin e qytetit i këtij aktiviteti u kritikua nga shoqëria civile dhe opozita në Ferizaj.

Kenan Gashi nga Rrjeti i OJQ-ve – AVONET, thotë se nga mosorganizmi i këtij aktiviteti në Sheshin e qytetit rrezikon t’i humbet vlera dhe identiteti qytetit.

Në të gjithë botën organizimet e tilla mbahen në sheshe dhe rreziku më i madh është kur dëshiron të humbet vlera e qytetit dhe braktiset qyteti për të iu dhënë mundësia dikujt privat. Komuna e Ferizajt është e obliguar të organizojë aktivitete që e rrisin dhe e zhvillojnë anën publike. Drejtoria e Kulturës duhet të organizojë aktivitete të tilla apo të hap ankand publik për shfrytëzimin e hapësirave publike”- deklaroi Gashi.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Ferizaj, Flamur Istrefi thotë se mosorganizimi i aktivitetit në shesh është i papranueshëm.

Sipas tij pritej që ky aktivitet të merrte hov por që Komuna nuk hapi ankand për të.

Dështimi për të organizuar shtëpizat në sheshin kryesor të komunës i dha mundësi një tjetër organizimi të këtij lloji por tashmë në periferi të qytetit, në pronë private. Me këtë rast, në mbrëmje, sheshi dhe qendra e qytetit ishte e boshatisur dhe nuk kishte gjallëri. Si pasojë e kësaj edhe bizneset që operojnë në qendër e të cilat ishin përgatitur për këtë fundvit u dëmtuan. Dështimi për këtë organizim për fundvit mendoj që nuk ishte i rastësishëm. Në këtë mënyrë u “favorizuan” operatorë ekonomik privat të cilët përfituan nga ky mos organizim”- deklaroi Istrefi për Kallxo.com.

Fatbardha Zogaj- Reka, kryetare e degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj thotë se aktivitetet e tilla edhe në të kaluarën kanë qenë jashtë nivelit të mirëfilltë institucional.

Organizimet ndër vite janë nisur nga pushtetet lokale por që në fund secilën herë përfituesit rrjedhimisht ndërmarrësit e këtyre iniciativave kanë qenë individ apo biznese private. Nuk mund të themi se p.sh 2 vitet e kaluara meritat për një organizim të tillë i ka marrë nisma e ndërmarrjes “Toka e Drurit” të cilët vërtetë patën filluar të organizojnë diçka të re por absolutisht jo nën ombrellën e institucioneve komunale”- deklaroi Zogaj- Reka.

Nga Komuna thonë se shtëpizat nuk janë në pronësi të tyre dhe se qiraja për to është çështje e organizatorëve.

Janë të gjitha pronë private, Komuna nuk ka në pronësi shtëpiza të tilla. Në Komunën e Ferizajt tradicionalisht këtë organizmim e kanë bërë OJQ të ndryshme, por që sivjet ka munguar kërkesa nga ana e tyre përkitazi me këtë organizim”- thuhet tutje në përgjigjen e Komunës së Ferizajt.

Pëllumb Bekteshi, organizator i “Toka e Drurit” organizimi që viteve të kaluara u bë në Sheshin e Ferizajt, thotë se më 2023 nuk u bë organizimi për shkak se mungoi implementimi i përshtatshëm i projektit.

Synimi është që “Toka Drurit” të bëhet pjesë tradicionale e qytetit dhe të krijohet një koordinim i mirëfilltë mes institucioneve dhe shoqërisë civile, që padyshim do të arrihet me planifikim dhe koordinim paraprak”- deklaroi për Kallxo.com Bekteshi.

Kallxo.com ka kërkuar informata se pse nuk u bë një thirrje nga Komuna e Ferizajt ku subjektet që ofrojnë shërbime gastronomike të aplikojnë për ofrimin e këtyre shërbimeve në Sheshin e qytetit, rrjedhimisht mbajtjen e këtij organizimi në shesh.

Komuna nuk është organizatore e ngjarjeve/ndejave në “The Village”, andaj edhe nuk mund të hapet konkurs nga Komuna për një organizim privat”- thuhet nga Komuna e Ferizajt.

Derisa në Sheshin e Ferizajt pati vetëm zbukurime të fundvitit, shtëpiza pati vetëm në parkingun e ‘The Village’.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe me “The Village” në parkingun e së cilës u bë organizimi gjatë vitit 2023, por që “The Village” tregon se ata nuk ishin organizatorët.

“”The Village” nuk e ka ba këtë organizim, vetëm vendin e kemi dhënë, hapësirën në parking. Ky është organizim i “Gramofon””- thuhet në përgjigjen e tyre.

Nga organizatori “Gramofon” thonë se organizimi u bë nga vet ata pa bashkëpunim me Komunën e Ferizajt.

Organizimi i “Wintrer Village” nuk ka lidhje me mbajtjen ose jo të organizimeve të tjera. Festivali është i organizuar nga “Gramofon” SH.P.K dhe vetëm! Pa ndonjë bashkëpunim me Komunën e Ferizajt”- thuhet në përgjigjen e “Gramofon”.

Kenan Gashi i AVONET thotë se ajo që ndodhi në fundvitin e 2023-tës duhet të shihet nga organet e Drejtësisë.

Ky rast që ka ndodh në Ferizaj duhet të shikohet nga syri i Drejtësisë dhe nga qytetari që ta sheh gjendjen e tillë. Kemi parë që orientimi nga hapësira private është rrezik i humbjes së identitetit të Ferizajt në organizimin e aktiviteteve. Ky veprim i qytetit tonë nuk është praktiku më herët këtu e as një qytet në Kosovë”- shtoi Gashi.

Flamur Istrefi nga LDK thotë se dështimi i organizmit ishte i qëllimshëm dhe se me të rrezikohet tradita e krijuar ndër vite.

Nëse vazhdon me këtë ritëm, Po (zhvendoset tradita nga publikja në private). Nuk jemi kundër që organizime të tilla të këtë edhe nga Operatorë ekonomikë në prona private por tradita që është krijuar në të kaluarën mendoj që duhet të vazhdoj dhe të pasurohet edhe më shumë, në mënyrë që t`i kthehet gjallëria përsëri sheshit dhe qendrës së qytetit”- shtoi Istrefi.

Zogaj Reka nga LVV thotë se aktivitetet e tilla duhet të organizohen nga institucionet në mënyrë që të mos zhvendoset tradita.

Ne natyrisht që nuk jemi kundër privatit, madje konsiderojmë që aktivitetet e tilla të cilat duhet me patjetër të inicohen nga institucionet duhet të mbështetet nga të gjithë pa dallim por në krye të organizimeve të natyrës së tillë si dhe kultivimi i traditave kolektive duhet të jenë nën përkujdesjen institucionale”- shtoi tutje ajo.

Në anën tjetër, organizatorët e “Toka e Drurit” thonë se për vitet e ardhshme pritet që organzimi të vazhdoj dhe të bëhet tradicional për Komunën e Ferizajt.

Institucionet duhet të posedojnë ekipet e specializuara për të njohur mirë punën dhe spektrin shoqëror që kontribuojnë për kulturën. Në këtë mënyrë, mund të krijohet diçka e mirëfilltë ku përfiton vendi ynë”- thuhet tutje në përgjigje.

Jemi mirënjohës për mbështetjen e Komunës së Ferizajt dhe pa dyshim do të vazhdojmë të kërkojmë mundësi për të zhvilluar këtë bashkëpunim. Ne besojmë se çdo ngjarje kulturore duhet të gëzojë mbështetje dhe duhet të hartohen politika të veçanta për të avancuar dhe promovuar kulturën”- deklaruan nga “Toka e Drurit”.

Organizatori i “Winter Village” Bardhyl Abazi që është pronar i Gramofon, më 28 shkurt 2023 me Komunën e Ferizajt si operatori ekonomik “Trupa Artistike Regjionale” pati nënshkruar kontratë me vlerë prej 331 mijë e 804 për tenderin “Aktivitete – 150 vjetori i qytetit të Ferizajt”.

Për këtë tender, Prokuroria Themelore në Ferizaj po zhvillon hetime.

Ju njoftojmë se lidhur me rastin “Aktivitete-150 vjetori i qytetit të Ferizajt”, Prokurori i Shtetit, ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e gjitha veprimeve të nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të këtij rasti dhe rasti ende ndodhet në fazën e procedurës hetimore”- thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.