Arkiv

Mes të vdekurish - Ekspertët mjeko-ligjorë e kujtojnë tmerrin e varrezave masive të Kosovës

Era e dekompozimit dhe trauma e zhvarrimit të trupave të fëmijëve nga varrezat masive mbizotërojnë mbi kujtimet e ekspertëve të mjekësisë ligjore të cilët kanë punuar në Kosovë, Bosnje dhe Serbi pas luftës, të nxitur nga ndjenja e drejtësisë dhe dëshira për t’ua kthyer dinjitetin viktimave.

Zhvarrosja dhe ekzaminimi i qindra trupave të dekompozuar të gjetur në varreza masive ishte një detyrë shqetësuese, por e nevojshme për ekspertët e mjekësisë ligjore të vendosur në Kosovë pas luftës së viteve 1998-99.

Përpjekjet e tyre jo vetëm që ndihmuan në identifikimin e viktimave dhe dhënien e mundësisë për familjet e tyre që t’u bënin atyre një varrim të denjë, por gjithashtu ndihmuan në të kërkuarit e drejtësisë për krimet e kryera gjatë konfliktit.

Për ta shënuar “Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve” më 30 gusht, BIRN bisedoi me tre ekspertë mjeko-ligjorë të cilët, siç thanë ata, shpresonin që në një farë mënyre t’u jepnin zë viktimave, jetërat e të cilëve u morën aq brutalisht.

“Të godet fizikisht kur në mesin e viktimave gjen një fëmijë”

Duke u futur në Kosovë në një ditë të nxehtë vere në korrik të vitit 1999, Ron Turnbull pati ndjesinë sikur po largohej nga drita e diellit dhe po zhytej drejt një realiteti më të errët. Lufta midis ushtrisë dhe forcave policore të presidentit jugosllav Slobodan Millosheviq dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte përfunduar muajin e kaluar dhe hetuesit po kërkonin për varre masive, aty ku ishin varrosur viktimat e krimeve të luftës.

Duke kaluar kufirin nga Maqedonia e Veriut me një automjet të OKB-së, Turnbull dëgjoi një policë kufitar i cili ishte në dijeni se ai dhe kolegët e tij ishin të angazhuar në kërkimin e trupave të shqiptarëve etnikë, të zhdukur gjatë luftës duke thënë: “Epo, pse po i kërkoni këta qen ?”

Kjo deklaratë i drejtohej direkt shqiptarëve të Kosovës,” thotë Turnbull për BIRN nga shtëpia e tij në Hastings në Britani.

Tani 75-vjeç, Turnbull kishte qenë detektiv i Scotland Yard për më shumë se 30 vjet, duke punuar në sektorin e  vrasjeve, mizorisë terroriste dhe krimeve të tjera të rënda në Londër. Në vitin 1996, Turnbull iu bashkua organizatës me seli në SHBA, Mjekët për të Drejtat e Njeriut (Physicians for Human Rights), e cila në atë kohë ndihmonte në zhvarrosjen e varrezave masive të kohës së luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Pas përfundimit të luftës në Kosovë, qeveri të ndryshme perëndimore, përfshirë britanikët, vendosën ta përshpejtojnë procesin e kryerjes së ekzaminimeve për shkaqet e vdekjes, duke dërguar ekipe mjeko-ligjore të hetuesve, teknikëve, antropologëve mjeko-ligjorë dhe analistëve ushtarakë.

Turnbull erdhi në Kosovë si pjesë e një ekipi të dislokuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, ku zyrtarë të lartë jugosllavë dhe serbë, përfshirë Millosheviqin, do të gjykoheshin për krime lufte.

“Kishte rreth 150 varre masive që mbroheshin nga trupat e NATO-s,” kujton Turnbull. Në të gjithë Kosovën janë identifikuar gjithsej 425 varre, shton ai. “Detyra jonë ishte të zhvillonim logjistikën për ta gjetur shkakun e vdekjes.”

Turnbull, i cili gjithashtu ka punuar në shtetet afrikane Sudan dhe Ruandë, ishte zëvendës zyrtar i lartë i ngarkuar me ekipin që punonte në vendngjarjet kryesore të krimit. Turnbull duhej t’i jepte udhëzime ekipit ndërkohë që ishte nën presion të madh nga familjet të cilat në pikëllim të madh, prisnin të mësonin gjithçka që mundeshin për të dashurit e tyre të humbur.

“Gërmimet e varreve ishin jashtëzakonisht të tmerrshme. Për t’u përballur me qindra trupa të sapopërzier ishte një gjë jashtëzakonisht e vështirë,” thotë Turnbull.

Në vitet 1999 dhe 2000, ekipi mjeko-ligjor nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë mori më shumë se 2000 trupa nga vende të ndryshme në Kosovë. Për Turnbull, të flasësh për atë që ka parë gjatë zhvarrosjes së varrezave masive, është e vështirë.

“Kur hap një nga këto varre masive, gjëja e parë që të godet, përveç situatës së tmerrshme që do të shohësh, është aroma. Kjo nuk të largohet asnjëherë nga hundët,” tha ai.

Ai kujton se gjëja më e keqe për t’u përballur ishte nxjerrja e trupave të fëmijëve nga varret.

“Gjetëm fëmijë të vdekur dhe gra shtatzëna që ishin therur me thikë në vend që të qëlloheshin sepse vrasësit donin të siguroheshin që foshnja ende e palindur në barkun e nënës të ishte e vdekur, ashtu sikurse nëna,” thotë ai.

Me përvojën e tij në Bosnje, ai e dinte se çfarë duhej të priste në Kosovë. “Mirëpo, ende është e rendë situata  kur e gjen fizikisht një fëmijë të vogël të pafajshëm,” thotë Turnbull.

“Duhet kaluar nëpër procesin e fotografimit dhe matjes [së trupit] dhe në vend që të vendosësh një gjë të vogël në një çantë trupi, e vendos në një enë të vogël.”

Disa nga njerëzit që u zhdukën gjatë luftës në Kosovë tani konsiderohen të zhdukur për më shumë se 20 vjet. Turnbull e pranon se procesi i gjetjes së trupave të tyre mund të jetë zhgënjyes. “Megjithatë duhet të bëni sa më shumë që mundeni për çdo person të zhdukur,” thotë ai.

“Duhet dhënë atyre një zë. Është zëri që u pamundësua të dëgjohet në momentin kur kryesit e asaj vdekjeje i qëlluan ata në pjesën e pasme të kokës”.

“Të ndjekur nga prania e varreve të fshehura”

Në cilësinë e antropologut mjeko-ligjor që punon në Institutin e Kosovës për Mjekësi Ligjore, Ditor Haliti ishte i përfshirë edhe në zhvarrosjen e trupave të shqiptarëve etnikë të vrarë nga forcat serbe gjatë Luftës së Kosovës.

Ditori thotë tha se pati ndjerë një ndjenjë përgjegjësie për viktimat dhe një detyrim që buronte nga brendësia e tij. “Kjo thirrje ka qenë nxitje për vendosmëri për të kërkuar për vite të tëra në të njëjtin vend,” thotë ai për BIRN në zyrën e tij në Prishtinë.

Ai vend ishte ish-miniera e hapur e Kizevakut, pranë qytetit të Rashkës në Serbinë jugperëndimore, ku për pesë vjet, hetuesit gërmuan lokacionet ku dyshonin se trupat mund të kishin qenë të varrosur, ndonëse pa shumë sukses.

“Dyshonim dhe këmbëngulnim se mund të kishte diçka në atë lokacion, përkundër faktit se autoritetet në Serbi donin t’i përfundonin gërmimet atje dhe ta mbyllnin atë lokacion,” thotë Haliti.

Përfundimisht, në vitin 2019, pamjet e reja satelitore mundësuan që ekspertët mjeko-ligjorë t’i gjenin eshtrat e nëntë civilëve shqiptarë të Kosovës në minierë, të vrarë në masakrën e 5 prillit 1999, në fshatin Rrezallë të Kosovës.

Para Kizhevakut, Ditori dhe kolegët e tij zbuluan eshtrat e 54 civilëve shqiptarë të vrarë të Kosovës në një varr tjetër masiv në Rudnicë të Serbisë në vitin 2014.

orcat serbe kanë zhvendosur për në Serbi shumë trupa të shqiptarëve të Kosovës të u vranë në masakra, ku pastaj janë varrsour në varre të fshehta në përpjekje me qëllim për t’i fshier krimet e kryera.

“Fakti që trupat e tyre ishin fshehur në varreza të sekrete tregon se kemi të bëjmë me veprime që janë bërë qëllimisht për t’i fshehur vrasjet,” thotë Ditori , duke argumentuar se Serbia tani është “e ndjekur nga prania e varreve të fshehura të civilëve në tokën e saj“.

Ditori shpjegon se si ekspertët e mjekësisë ligjore nuk mund të ndalojnë së menduari për mbetjet njerëzore të cilat i gjejnë gjatë zhvarrimeve.

“Pasi zhvarrosen trupat, ka një monolog të heshtur me viktimat, ku ju përpiqeni t’i njihni më mirë,” thotë ai. “Pastaj ka hamendësime se ku dhe si arritën në këtë varr.”

Njëjtë sikurse Turnbull, Ditori thotë se pjesa më e vështirë e punës është zhvarrosja e trupave të fëmijëve: “Jeta e tyre u ndal në gjysmë. Kur je vetë prind, emocionalisht bëhet edhe më e vështirë, sepse automatikisht mendon për fëmijët e tu.”

Ditori shpjegon se veshjet e viktimave janë të një rëndësie të veçantë kur gjenden edhe pas më shumë se dy dekada pasi të jenë vrarë.

“Çakmakët e cigareve, lapsat e ndryshkur, ilaçet e skaduara, orët e ndalura na ndihmojnë ta kuptojmë historinë dhe personalitetin e tyre,” tha ai.

“Emocionet bëhen më të forta kur gjejmë lodra fëmijësh. Kemi gjetur kukulla që fëmijët i kishin me vete në momentin e ekzekutimit të tyre. Në disa raste edhe fletoret e shkollës, detyrat e tyre të fundit. Ato lodra janë si një urë lidhëse midis dy kapitujve të historisë së tyre – jetës që jetuan dhe kohës që kaluan të fshehura nën tokë si viktima të heshtura të atyre krimeve të tmerrshme.”

Instituti i Mjekësisë Ligjore i Kosovës nuk ofron këshillime për personelin e vet, dhe Ditori thotë se puna e zhvarrimit ka shkaktuar një dëmtim emocional tek anëtarët e personelit të tij.

“Me gjithë përpjekjen për t’u fokusuar te puna dhe të mos mendosh shumë për të më pas, sërish je i prekur psikologjikisht dhe nuk e vëren një gjë të tillë derisa të arrish në një fazë kur bëhet e tepërt dhe fillon të ndikojë më shumë në jetën tënde. Është diçka që depërton ngadalë në ndërgjegjen tuaj”, thotë ai.

Ai vuri re se familjet e personave të zhdukur shpesh vazhdojnë të jetojnë në një hapësirë “mes pikëllimit dhe humbjes… ende të bllokuara në kujtesën e së kaluarës kur i dashuri i tyre ishte gjallë”.

Pavarësisht kohës që ka kaluar që nga lufta dhe procesit zhgënjyes të kërkimit të varrezave masive për vite me radhë, Ditori ende shpreson se mund të gjenden më shumë viktima – edhe pse procesi do të jetë gjithnjë e më sfidues.

“Me kalimin e kohës, kërkimi po bëhet gjithnjë e më i vështirë, dëshmitarët ose nuk janë më aty, ose kujtesa e tyre po zbehet dhe informacioni i disponueshëm po zvogëlohet,” shpjegon ai.

Njerëz që ofrojnë informacione dhe kryesisht njerëz të thjeshtë, me kalimin e viteve kanë filluar të ndihen të rënduar nga njohuritë e tyre për varrezat e fshehura për të cilat nuk kanë folur.

“Janë ata në Kosovë dhe Serbi që nuk ndihen më rehat pa e thënë atë që e dinë”, thotë Ditori.

Ai beson se një marrëveshje përfundimtare politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mund të ndihmojë në zvogëlimin e listës së të zhdukurve nga lufta e viteve 1998-99, listë kjo e  cila aktualisht numëron rreth 1600.

“Megjithatë, sa i përket rolit të shtetit serb në këtë, jam mjaft skeptik sepse çështja e personave të pagjetur është politizuar”, thotë ai.

Pavarësisht se ka punuar në disa zhvarrime, Ditori ende nuk ka pasur rastin të dëshmojë në gjykatë për krimet për të cilat ai ka ndihmuar në dokumentimin e tyre.

“Marrë parasysh faktin se sa trupa janë zhvarrosur dhe ekzaminuar, për shumë prej tyre nuk ka pasur drejtësi, as mbyllje për viktimat,” thotë ai.

“Pyes veten se çfarë panë para se të vdisnin”

Ishte fillimi i korrikut 1999, muaji pas përfundimit të luftës kur tekniku i mjekësisë ligjore Robert McNeil erdhi në Kosovë. Ashtu sikurse Turnbull, punoi në mbledhjen e dëshmive për ndjekjet e mundshme në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë.

Një ish-magaziner drithërash u zgjodh si punëtor morgu. Kishte një fluoroskop të pluhurosur dhe një tavolinë të dobët e të palosshme, por pa radiograf dhe me asnjë enë frigoriferike.

McNeil kishte kaluar tashmë më shumë se tri vjet duke punuar në Bosnje në hetimin e varrëzave masive ku ishin varrosur viktimat e vrasjeve të Srebrenicës.

Kur erdhi në Kosovë si pjesë e një ekipi hetimor të OKB-së, qeveria holandeze e kishte ndërtuar një objekt morgu jashtë qytetit të Rahovecit, të cilin hetuesit do ta përdornin për t’i ruajtur trupat e zhvarrosur.

Kur McNeil hyri në morgun e improvizuar dhe sytë e tij u mësuan me errësirën brenda, ndjeu një lëvizje mes trupave të gjakosur, disa në thasë, të tjerë jo, të shtrirë në dysheme brenda. Duke gjykuar nga era e njohur, McNeil nuk kishte asnjë dyshim se çfarë kishte në dhomë.

Pastaj McNail dëgjoi një zhurmë nxitimthi dhe kur u kthye prapa pa tre minj të mëdhenj që vraponin përgjatë anës së murit.

“Ta hajë dreçi!” Thashë me vete. “Këta minjë po i hanë trupat”, thotë McNeil për BIRN nga shtëpia e tij në Glasgoë, Skoci.

Ca ditë më vonë, McNail mori pjesë në një zhvarrim në fshatin Krushë të Madhe afër Prizrenit, ku ishin vrarë 243 civilë gjatë luftës.

Gjatë gërmimit, ai dhe ekipi i tij panë se fytyrat e viktimave ishin të mbuluara me copa rrobash të grisura dhe trupat e tyre ishin të rëndëgjymtuara.

“Hundët dhe veshët e tyre mungonin dhe kishte shenja të një traume serioze rreth gropëzave të tyre pothuajse të zbrazëta. Gjithçka që kishte mbetur në gropat e syrit ishte gjak i nxirë, i ngjizur aty ku kishin qenë sytë e tyre dikur,” kujton ai.

Kishte fëmijë në mesin e trupave, të cilët ishin ende relativisht të pakalbur. “Çdo fytyrë ishte pothuajse e mbuluar me një maskë gjaku të tharë. Ishte e qartë se ata ishin rrahur dhe qëlluar disa herë,” thotë McNail.

Një javë më vonë, thotë McNail, na ftuan të merrnim pjesë në varrimin e 79 viktimave të masakrës. “I kushtova një kujdes të veçantë numrave një deri në 23, të cilët të gjithë kishin të njëjtin mbiemër. Ndjeva një gulçim në fyt kur lexova se ishin të gjithë nga e njëjta familje, familja Hoti.” Teksa kalonte pranë secilit arkivol, kishte 12 arkivole më të vegjël. Secili prej tyre kishte një fotografi sipër. “Brenda këtyre arkivoleve ishin fëmijët. Pyesja veten se çfarë kishin parë ata fëmijë përpara se të vriteshin brutalisht”, thotë McNeil.

Si një ekspert me 20 vjet përvojë në Britani, McNeil ishte ftuar të bashkohej me ekipet ndërkombëtare të mjekësisë ligjore për t’i ekzaminuar viktimat e varrosura në varreza masive në Bosnjë dhe Kosovë, në mënyrë që të ngrinte padi kundër presidentit të Jugolsavit Slobodan Millosheviq dhe vartësve të tij.

McNail kujton sesi rrobat e pastruara dhe të thara të viktimave u vendosën në tokë në mënyrë që të afërmit të përpiqeshin t’i identifikonin ato nëse u përkisnin të dashurve të tyre të zhdukur.

“Identifikimi zyrtar i trupave nga të afërmit nuk mund të ishte një opsion për shkak të gjymtimit mizor dhe të qartë që ata kishin pësuar,” thotë ai.

McNail kujton zbrazjen e pikëllimit si një lloj varu grash të dëshpëruara dhe zbardhjen e pikëllimit kur u futën në vendin ku ishin shtruar mbetjet e tutave, këpucëve dhe leckave të tjera të copëtuara të marra nga trupat e viktimave. Dukej si “një ritual nga ferri”, thotë ai.

“Atyre iu bë e qartë se vetëm identifikimi i veshjeve nuk mund t’u garantonte atyre se personi që gender i veshur me to do të ishte i dashuri i tyre,” shpjegon ai.

Pas luftës, pothuajse 6,000 njerëz u varrosën pasi u identifikuan përmes sendeve të tyre, sepse përputhja e ADN-së nuk ishte e disponueshme atëherë.

Si rezultat, shumë familje në Kosovë që atëherë kanë pësuar traumë kur zbuluan se të afërmit e tyre që u vranë ishin identifikuar gabimisht para se të varroseshin.

McNeil thotë se pavarësisht se sa shumë ai dhe kolegët e tij u përpoqën të distancoheshin nga mizoritë, ishte e vështirë të shmangej ndikimi i brutalitetit të ushtruar ndaj viktimave.

Një mëngjes, kur McNail u zgjua, i tëri i larë në djersë, mendoi se për sa kohë që do të jetojë, “nuk do t’i fshij asnjëherë ato pamje nga mendja ime”.

McNail e pranon faktin se kërkimi i të zhdukurve në Kosovë shpesh duket një proces i pafund, megjithatë insiston se nuk është një proces i pashpresë. Edhe shumë dekada më pas, teknikat moderne e bëjnë të mundur identifikimin e viktimave.

“Përmes ADN-së, ne kemi identifikuar qindra ushtarë britanikë dhe australianë të vrarë dhe të varrosur në varre masive gjatë Luftës së Parë Botërore,” thotë McNail.

“Shpresa për të pagjeturit në Kosovë dhe gjetkë, nuk është numbur”.

Ky shkrim është publikuar fillimisht në Balkan Insight