Krerët e shtetit: Harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia

Me rastin e 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve, krerët e shtetit kanë bërë nderime tek Memoriali për të Pagjeturit në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca para mediave u bënë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni më të madhe ndaj Serbisë në lidhje me personat që janë zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“Të zhdukurit me dhunë janë plaga më e thellë dhe janë dhimbja më e madhe e vendit tonë” – tha presidentja Osmani.

Ajo theksoi se përkundër marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, Serbia ende nuk po i hap arkivat ku gjinden informatat lidhur me varrezat masive dhe vendodhjen e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

“I bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar, të gjithë aleatëve dhe miqve të republikës së Kosovës, por do të thoja mbi të gjitha, të gjithë aleatëve të të drejtave të njeriut që të mendojnë pak për nënat, motrat, vëllezërit, prindërit, familjarët e atyre fëmijëve të zhdukur që akoma janë në varreza masive në të cilat po fle Serbia edhe 25 vite pas lufte” – tha në mes tjerash Osmani.

Ajo tha se shpreson që dialogu në Bruksel të mos jetë një proces nëpërmjet të cilit Kosovës do t’i bëhet trysni.

“Popullit të Kosovës do t’i bëhen padrejtësi. Ndërkaq, fytyra e Vuçiqit, një njeriu që ende fle mbi varreza masive do të vazhdoj të shpërlahet padrejtësisht” – shtoi ajo.

Ndërkaq, Kryeparlamentari Glauk Konjufca u shpreh se kjo situatë për popullin e Kosovës po është një dhimbje që nuk po përfundon kurrë dhe një mungesë e drejtësisë për familjarët dhe gjithë popullin të cilëve Serbia ua zhduku me dhunë më të dashurit e tyre.

“Me vetë faktin që këtyre viteve të fundit në shumë lokacione të Serbisë u gjetën trupat e më të dashurve tanë… tregon që harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia” – tha Konjufca.

“Po ashtu Serbia është edhe shteti ku ndodhen kriminelët të cilët i kanë kryer këto krime njëkohësisht” — shtoi ai.

Në qershor të vitit 1999, Kosova doli nga lufta me mbi 6,000 persona të zhdukur.