Trupat e pjesëtarëve të grupit terrorist që u vranë në Banjskë planifikohet sot t`u dorëzohen familjarëve

Tre trupat e të vrarëve gjatë një kundërsulmi nga Policia drejtë grupit terrorist në Banjskë, sot planifikohet që t`u dorëzohen familjeve të tyre.

Burime brenda institucioneve të drejtësisë kanë thënë për KALLXO.com se gjatë ditës pritet t`u dorëzohen trupa e të vrarëve familjarëve.

KALLXO.com raportoi sot se Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar autopsinë e tre trupave të tre pjesëtarëve të grupit terrorist të cilët u vranë gjatë një kundërsulmi që pati Policia e Kosovës të dielën e 24 shtatorit.

Drejtori i IML-së Ditor Haliti në një bisedë me KALLXO.com ka konfirmuar se tashmë ka përfunduar autopsia ndërsa raportet e tyre ende nuk janë finalizuar.

“Po ajo çka mund të them është se autopsia ka përfundu. Identifikimi, kjo është çështje e prokurorisë. Raportet ende nuk janë përfunduar”- tha Haliti për KALLXO.com përmes telefonit.

Trupat e Stefan Nedeljkoviq, Igor Millenkoviq dhe Bojan Mijailoviq janë dërguar në IML për obduksion.

Stefan Nedelkoviq, për shkak të shkëmbimit të zjarrit nga një kundërpërgjigje e Policisë se Kosovës fillimisht ishte plagosur e më pas ishte tërhequr zvarrë nga pjesa tjetër e grupit, për t’u lënë në malet e Banjskës.

Vdekja e Nedelkoviqit ishte konfirmuar të dielën ndërsa Policia njoftoi se kishte gjetur trupin e tij.

Nedelkoviq, siç mëson KALLXO.com, ishte nga Zveçani ndërsa dy pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist që u vranë ishin nga Leposaviqi.

Një tjetër i vrarë është edhe Igor Milenkoviq. Ky i fundit jetonte në Leposaviq. Po ashtu, edhe personi i tretë, Bojan Mijailoviq ishte nga Leposaviqi.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka thënë se dy nga të vrarët kishin nënshtetësi të dyfishtë.

Përfundon autopsia e tre trupave të grupit terrorist