Ilustrim

Gërmime në varrezat në lagjen ‘Mati’ për gjetjen e dy trupave të zhdukur gjatë luftës

Paraditen e sotme me urdhër të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë kanë nisur gërmimet në varrezat në lagjen ‘Mati’ në kryeqytet për gjetjen e dy trupave të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML), Ditor Haliti për Kallxo.com bëri të ditur se nuk është gjetur ndonjë gjë në kërkimet e sotme.

“Këto gërmime sot janë kryer me urdhëresë të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Sot gërmimet u ndërprenë pa gjetje, por do të vazhdojnë sapo të marrim informata shtesë”- u shpreh ai.

Sipas tij, sfidat më të mëdha në këto procese janë gjetja e informatave.

“Sfidat më të mëdha në këtë proces janë gjetja e informatave. Derisa, ekspertet e EULEX-it janë gjithmonë me ne në këto aktivitete”- shtoi tutje ai.

Mbi 1,600 persona figurojnë ende si të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë, ku pjesa më e madhe dyshohet të jenë bartur në Serbi.