Kurti: Po vazhdojmë punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është deklaruar sot në Facebook në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve.

Në deklaratën e tij, kreu i ekzekutivit u shpreh se pesha e mungesës rëndon mbi familjet e mbi 1,600 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe tha se Qeveria po vazhdon punën duke i dhënë prioritet ndriçimit të fatit dhe vendndodhjes së të zhdukurve.

“Varret e hapura në Kosovë presin të vërtetën…Nënat presin ditën kur do të vendosin nga një lule në kujtim të më të dashurve të tyre. Atyre që u rrëmbyen e zhdukën me dhunë nga autoritetet e Serbisë urdhërdhënëse dhe ekzekutore”- shkroi kryeministri Kurti.

Në postimin e tij ai përmendi se pas rënies së Millosheviqit, në Serbi u zbuluan pesë varreza të mëdha masive, me gjithsej 950 njerëz tonë të rrëmbyer e të vrarë, të vrarë e të rrëmbyer, në Batajnicë, Peruqac, Petrovo Selo, Rudnicë e Kizhevak.

Ai u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisnin presionin ndaj Serbisë teksa shtoi se Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato.

“Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”-shkroi Kurti në Facebook.

“Për të rritur kapacitetet për të trajtuar krimet e luftës, kemi shtuar buxhetin për 50 pozita për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ndërsa në Policinë e Kosovës, nga një sektor, kemi ngritur Drejtorinë e Hetimit të Krimeve të Luftës që do të ketë 41 hetues” – ka shkruar tutje Kurti.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se në korrik është shënuar hapi përfundimtar për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP).

“Në Ditën Ndërkombëtare të personave të zhdukur me dhunë, nderojmë të gjithë të zhdukurit me dhunë gjatë luftës në Kosovë. Nuk do të ndalemi kurrë, derisa të dihet fati i tyre. Të gjithëve na mungojnë”- ka shkruar kryeministri Kurti në Facebook.

Personat e  zhdukur me dhunë janë përkujtuar edhe sot nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Në një konferencë për media ata u bënë thirrje ndërkombëtarëve që të bëjnë trysni më të madhe ndaj Serbisë në lidhje me personat që janë zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ata theksuan se Harta ku bashkësia ndërkombëtare duhet t’i kërkojë të zhdukurit me dhunë është Serbia.

Ndërkaq, Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, ka bërë thirrje për vazhdimin e përpjekjeve dhe përkushtimit për zgjidhjen e fatit të viktimave të zhdukjeve të dhunshme.

Ajo u bën thirrje autoriteteve që të trajtojnë çështjen e personave të zhdukur si çështje prioritare për të lehtësuar vuajtjet e familjeve.