Kurti takohet me sekretarin e Interpolit, si dhe të dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin, Stuart Peach

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Konferencën e Sigurisë në Mynih të Gjermanisë është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Interpolit, Jurgen Stock, si dhe të dërguarin e Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, luftimi i krimit të organizuar, korrupsionit, përkushtimi ndaj sundimit të ligjit dhe angazhimi i institucioneve të rendit, ishin temat kryesore në takimin me sekretarin e Interpol.

“Kryeministri Kurti e njoftoi Sekretarin Stock për sukseset e shënuara përballë grupeve kriminale dhe krimit të organizuar përgjatë dy viteve të fundit dhe për bashkëpunimin frytdhënës me shtete dhe organizata partnere në luftimin e krimit të organizuar trans-nacional” – thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

Ndërsa me Stuart Peach, Kurti thuhet se ka diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në fushën e sigurisë dhe për zhvillimet dhe sfidat rajonale.

“Kryeministri Kurti falënderoi Lord Peach për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillimin dhe proceset integruese të saj, dhe rolin aktiv të Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor” – thuhet në njoftim.

Kryeministri Albin Kurti është duke marrë pjesë në Konferencën për Siguri që po mbahet në Munih të Gjermanisë. Gjatë ditës së djeshme Kurti ka zhvilluar takime të shumta atje, ku është takuar edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti takohet me Borrellin dhe Lajçakun, flasin për propozimin evropian dhe takimin e radhës me Vuçiqin