Foto: Ilustrim

KOSTT për dy muaj pagoi 13 milionë euro për humbjet në veri, Qeveria ende pa zgjidhje

Rreth 13 milionë euro ka paguar Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) për muajin janar dhe shkurt për humbjet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, ndërsa pritet kosto me e lartë për muajin mars.

 Për shkak të këtyre pagesave, KOSTT ka thënë se është në një gjendje jashtëzakonisht të rënduar financiare.

“Kostoja për muajin janar 2022 është afër € 8 milionë ndërkaq për muajin shkurt 2022 është mbi € 5 milionë. Sa i përket muajit mars, ende nuk mund të ofrohen të dhënat e sakta meqenëse muaji ende nuk ka përfunduar, por kostoja financiare për muajin mars pritet të jetë dukshëm më e lartë… Si pasojë e situatës së pazgjidhur në pjesën veriore të Kosovës si dhe e obligimeve të pashlyera të palëve të treta ndaj KOSTT, gjendja financiare e KOSTT është jashtëzakonishtë e rënduar”, kanë thënë nga KOSTT për KALLXO.com

Në maj të vitit të kaluar, Kuvendi i Kosovës kishte obliguar Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Sipas rekomandimeve të miratuara, Qeveria e Kosovës obligohej që brenda gjashtë muajve të të gjente zgjidhje të qëndrueshëm për inkasimin e energjisë elektrike në veri.

Ndonëse kanë kaluar gati një vit nga miratimi i këtyre rekomandimeve, Qeveria e Kosovës ende nuk ka një zgjidhje për këtë.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës më 29 mars ndërsa deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Ferat Shala, kryetar i Komisionit të Ekomonisë ka thënë se as ata ende nuk kanë marrë përgjigje nga Qeveria në lidhje me gjetjen e një zgjidhje për pagesën e rrymës në veri.

“Ne edhe në Komisionin për Ekonomi e kemi ngritur shqetësimin, gjithashtu edhe në Kuvend, dhe nuk kemi marrur përgjigje nga Qeveria. Pra deri në këto momente kur po ju shkruajmë, Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta plotësuar kërkesën që del nga Rezoluta e Parlamentit ( Afatin e zgjidhjes së problemit për çështjen e Veriut)”, tha ai për KALLXO.com

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që urgjentisht t’ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

KOSTT ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të sjellë falimentimin e këtij institucioni në tremujorin e parë të vitit 2022.

Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 kap vlerën prej 40,849,659 euro ndërsa vetëm për muajt nëntor dhe dhjetor janë paguar 18 milionë euro.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë. Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Faturat e qytetarëve të Kosovës ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.