Foto: Ilustrim

KOSTT rrezikon falimentimin, vetëm në nëntor dhe dhjetor ka paguar 18 milionë euro për humbjet në veri

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë që urgjentisht t’ia largojë obligimin e mbulimit të humbjeve në pjesën veriore të Kosovës.

KOSTT ka paralajmëruar se një gjë e tillë mund të sjellë falimentimin e këtij institucioni në tremujorin e parë të vitit 2022.

Në një përgjigje për KALLXO.com, KOSTT ka thënë se vetëm për muajin nëntor dhe dhjetor ka paguar mbi 18 milionë euro humbje të energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës ka thënë se ka dërguar shkresë tek të gjitha palët relevante në lidhje me likuiditetin financiar të kompanisë si pasojë e obligimit të humbjeve nga energjia e konsumuar dhe jo e paguar nga ana e qytetarëve në veri të Kosovës.

Por që deri më tani ky institucion nuk ka pranuar përgjigje nga askush.

“Deri më tani ende nuk ka përgjigje në lidhje me mbulimin e kostove të pjesës veriore të Kosovës. KOSTT rithekson që është e drejtë e patjetërsueshme që të gjithë qytetarët e Kosovës të furnizohen me energji elektrike por edhe obligim i qytetarëve që të paguajnë shërbimin e pranuar. Andaj, zgjidhja afatgjate dhe e qëndrueshme e situatës në pjesën veriore të vendit, e cila e zgjidh problemin e furnizimit dhe arkëtimit në një afat të shkurtër, është e domosdoshme”, kanë thënë nga KOSTT për KALLXO.com.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka aprovuar mbi 38 milionë euro të Hyra të Lejuara Maksimale për KOSTT për vitin 2022 përkundër që ky institucion kishte kërkuar që të ketë të hyra mbi 44 milionë euro.

“Në pjesën e fundit të vitit 2021, Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës është përballur me vështirësi të theksuara si reflektim i rritjes së theksuar të konsumit të energjisë elektrike në vend, pamjaftueshmërisë së gjenerimit të brendshëm për të mbuluar konsumin si dhe krizës globale energjetike që ka rezultuar me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare nga gjashtëmujori i dytë i vitit 2021. … Sipas vlerësimeve dhe elaborimeve të KOSTT, kosto e nevojshme për ofrimin e shërbimeve dhe realizimit të aktiviteteve sipas obligimeve që rrjedhin nga licencat në total është vlerësuar të jetë 44.53 milionë euro”, ka vlerësuar KOSTT.

Kostoja e humbjeve në pjesën veriore gjatë vitit 2021 kap vlerën prej 40,849,659 euro.

Që nga paslufta, banorët e katër komunave me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë e Veriut dhe Zveçan nuk e paguajnë energjinë elektrike të cilën e shpenzojnë. Deri në vitin 2017, energjia elektrike e shpenzuar në këto katër komuna iu është faturuar qytetarëve që i kanë paguar faturat e energjisë elektrike. Faturat e qytetarëve të Kosovës ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Pas padisë së Institucionit të Avokatit të Popullit, Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore të Prishtinës, në muajin shtator të vitit 2017 e kishte pezulluar ekzekutimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë sipas të cilit shpenzimet e energjisë elektrike të qytetarëve të komunave veriore të Kosovës, u faturoheshin konsumatorëve të tjerë.

Kuvendi i Kosovës, i ka miratuar rekomandimet e Komisionit parlamentar për Ekonomi, që KOSTT të marrë përgjegjësinë për mbulimin e humbjeve nga energjia elektrike e shfrytëzuar por jo e paguar në pjesën veriore të Kosovës, për gjashtë muajt e ardhshëm, si një fazë tranzitore deri në zgjidhjen e situatës në veri.

Këtë do ta bëjë duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, pra këto mjete do të kompensohen nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm.

Regjistrimi dhe licencimi i një kompanie serbe është kërkuar në kuadër të dialogut në Bruksel në vitin 2013, ku Kosova dhe Serbia, kanë nënshkruar Marrëveshjen për energjinë. Palët kishin arritur marrëveshje 15 pikëshe më 19 prill të vitit 2013.

“Drustvo Elektrosever” është regjistruar në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës është shprehur se ajo është e lirë të vazhdojë me licencimin për furnizim me energji elektrike nga ZRrE. Por ZRrE akoma nuk e ka licencuar kompaninë “Drustvo Elektrosever”.

Kompania “Drustvo Elektrosever” që nga fundi i muajit dhjetor të vitit 2020 ka aplikuar për licencim.

Edhe pse kanë kaluar 1 vjet që nga dorëzimi i aplikacionit të kompanisë “Drustvo Elektrosever” në ZRrE, aplikacioni ende nuk është shqyrtuar edhe pse tashmë bordi është fundksional.Kosova është pavarësuar nga tregu energjetik me Serbinë.

Pas pavarësimit, Republika e Kosovës do të kontrollojë kufijtë e vetë energjetik, duke dalë përfundimisht nga blloku rregullues SMM (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni e Veriut) dhe duke iu bashkuar Bllokut Rregullues të Sistemeve Energjetike Kosovë-Shqipëri.

Deri te kjo ka ardhur pasi ishte votuar Marrëveshja e re e Kyçjes në mes të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhe Rrjetit Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energji (ENTSO).

Ky zhvillim i kishte hapur rrugë KOSTT-it për integrim në tregun rajonal të energjisë dhe për vënien në operim të linjës energjetike të interkoneksionit Kosovë – Shqipëri.