Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere. 08.11.2023. Foto: KALLXO.com.

Deputeti Ferat Shala - ministrit Murati: Komuna e Skenderajt i ka vetëm 15 mijë euro investime të reja

Ndarja e buxhetit për subvencionet ka krijuar debat mes deputetit të PDK-së, Ferat Shala dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati gjatë mbledhjes së komisionit parlamentar ku po shqyrtohet Projektligji mbi ndarjet buxhetore për vitin 2024.

Deputeti Shala ka përmendur disa çështje që sipas tij janë ‘shkarje’ në këtë projektligj.

“Nuk mund ta kuptoj se si mbi 1 miliard euro subvencione në tri vite qeverisje, ju personalisht e keni anashkalu monitorimin e subvencioneve duke mos zgjedhë komisionin për ndihmë shtetërore. Kategoria tjetër që se kuptoj janë investimet e reja nëpër komuna. Investimet e reja janë sinqerisht jo vetëm diskriminuese por edhe jo humane me qytetarët, psh komuna e Skenderajt i ka vetëm 15 mijë euro investime të reja ose s’ka fare”- ka thënë ai.

Zvogëlimin e subvencioneve në 50 për qind, deputeti Shala e ka paraqitur si parakusht për ta votuar marrëveshjen për ngrohtoren e qytetit.

“Qatë minutë që e zvogëloni 50% të subvencioneve dhe i ktheni në investime kapitale, na ta votojmë marrëveshjen për ngrohtoren”- është shprehur Shala.

“Nuk ka të bëjë kjo fare, marrëveshja ka të bëjë më komunën e Prishtinës”- ka qenë kundërpërgjigja e ministrit Murati lidhur me këtë çështje.

“1 miliard euro keni planifiku me manipulu qytetarët, me e kthy në skamnor ketë shtet”- ka vazhduar deputeti Shala.

Tutje ministri Murati, ka thënë se projektet e shpërndara nëpër komuna duhet të diskutohen me ministrinë e linjës.

“Subvencionet u tha që janë rritë dhe janë përqindje e lartë, bëhet fjalë për pensionet shtesat për fëmijë e lehona, për bujqësi, cilat nga to do t`i shkurtonit zotëri Shala? Sa i përket projekteve të shpërndara në komuna do mund t`i diskutoni me ministrinë e linjës. Prapë unë si ministër çka ka qenë në dorën time shpërndarja e buxhetit sipas numrit të popullsisë, si bëhet shpërndarja e projekteve nga ministria e linjës”- ka thënë ai.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka përmendur disa nga premtimet e Qeverisë Kurti, disa prej tyre, sipas tij, nuk figurojnë fare në buxhet.

“Tek çerdhet edhe në vitin 2024 nuk do të mund të ndërtohen. Për banim social nuk figuron fare, po flasim për premtimet e Qeverisë. Sigurimet shëndetësore nuk shihet as te pjesa përshkruese. Fondi sovran i keni paraparë 30 milionë euro”- tha ai.

Buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2024, i miratuar nga Qeveria më 31 tetor, pritet të jetë 3 miliardë e 314 milionë euro.

Buxheti i miratuar nga ekzekutivi i vendit rezulton të jetë mbi 100 milionë euro më i lartë në krahasim me buxhetin e këtij viti.

Nga ky buxhet, kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se kanë ndarë 860 milionë euro për investime kapitale, ndërsa ka informuar se 742 milionë buxhet do të ndahen për komunat në buxhetin e vitit 2024.