Ferat Shala thotë se MINT ka paguar ekspertë një mijë euro në ditë

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë se Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ka paguar ekspertë 1 mijë euro dita, për hartimin e Strategjisë për Zhvillim Industrial dhe Mbështetje të Bizneseve.

Shala kërkoi nga ministrja Rozeta Hajdari emrat e ekspertëve, si dhe kërkoi konkretisht se çka kanë punuar ekspertët.

“Më 10 qershor 2022 keni kërkuar ekspert, ku është paraparë për 20 ditë pune të paguhet 20 mijë euro. Një tjetër për 50 ditë pune, 57 mijë euro. Kush janë këta ekspertë” – tha Shala.

Ndërsa ministrja Hajdari tha se Strategjia është hartuar në bashkëpunim me “Global Policy Incubator” me bazë në Berlin, por që nuk foli konkretisht për pagesën ndaj ekspertëve, duke thënë se nuk i ka emrat.

“Për të hartuar një politikë industriale dhe për të shpalosur potencialin, ne kemi investuar 100 mijë euro. Në të kaluarën për strategji të tilla janë paguar nga 1 milionë euro. E mira e këtij investimi, departamenti përkatës është i trajnuar. Momentalisht emrat e ekspertëve nuk i kam, por do t`i marr dhe do të ju dërgojë” – tha Hajdari.

Ministrja Rozeta Hajdari është duke raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti për nivelin e zbatimit të Ligjit për tregti me jashtë.