Ministrja thotë se ka ulje të humbjeve të rrymës, deputeti Shala pyet nëse ka ndikuar 'largimi i qytetarëve nga Kosova'

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi ka thënë se ka ulje të humbjeve të energjisë elektrike.

Rizvanolli thotë se është vërejtur stabilizim i konsumit të energjisë nga amvisëritë.

“Kemi ulje të humbjeve të energjisë elektrike, kemi stabilizim konsumit të energjisë nga amvisëritë apo të themi ulje ndërsa kemi rritje nga ekonomitë që është ajo që ne e dëshirojmë. Janë identifikuar një numër i madh i humbjeve. 20 mijë njehsor të ri vendosën çdo vit, në banesa apo shtëpi te reja. Kemi pasur një takim me të gjitha institucionet relevante ku kemi parë ku vetë gjyqtarët nuk kanë qenë të vetëdijshëm që kur të ju vjen një rast për vjedhje të rrymës po vidhen konsumatorët e tjerë”- tha Rizvanolli.

Ministrja u shpreh se shpreson që kjo ulje e konsumit të energjisë elekrike të vazhdojë.

“Shpresojmë dhe besojmë që kjo ulje e konsumit të energjisë elektrike të vazhdojë. Mendoj që ky është lajmi më i mire në dekada, ulja e konsumit të energjisë nga amvisëritë. Sepse konsumi i tepërt që kishte nisur sidomos pas heqjeve se bllok tarifave ka qenë enorm, një konsum i tillë do te kërkonte edhe investim më të madh në sektorin e energjisë ”- vazhdoi Rizvanolli.

Kryetari i Komisionit dhe deputeti i PDK-së, Ferat Shala ka pyetur ministren se nëse ka ndikuar largimi i qytetarëve për në perëndim, në stabilizimin e konsumit të energjisë.

“Duhet të keni parasysh indikatorin që shumë ekonomi familjare janë largu.  Largimi i qytetarëve ka stabilizu konsumin e energjisë elektrike. A duheni me përfshi edhe indikatorin e largimit të qytetarëve? Sepse ata konsumojnë energji, por në perëndim”- ka deklaruar Shala.

“Jo kjo nuk është në fakt, efekt i emigrimit. Kjo ka qenë edhe në seancë plenare është ngritë disa herë nga disa deputetë si çështje”- është përgjigjur ministrja Rizanolli.

Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka raportuar në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024.