Shala: Vendimi i BQK-së në situatën aktuale bie ndesh me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare

Qeveria e Kosovës është vënë nën presionin e SHBA-së dhe BE-së në lidhje me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, nëpërmjet të cilit që nga 1 shkurti është pamundësuar  përdorimi i dinarit të Serbisë si mjet pagese në Kosovë, meqë si valutë e vetme për pagesa në këtë vend njihet Euro.

Zërave kritik të ndërkombëtarëve u është bashkuar edhe kryetari i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Ferat Shala, i cili njëherësh është edhe deputet i Partisë Demokratike të Kosovës.

Në një bisedë me KALLXO.com, Shala konsideron se vendimi i BQK-së për dinarin nuk është diçka e re, pasi sipas tij, Qeveria Kurti po mundohet të mbulojë “dështimet në sferën ekonomike, politike dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës”.

Ai thotë se ky vendim bie ndesh edhe me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare në situatën aktuale.

“Ne jemi plotësisht dakord që kushtetutshmëria e vendit duhet të zbatohet, por veprimet ad-hoc për ta tensionuar situatën dhe për të nxjerrë nga konteksti aktual, vetëm qeveria Kurti mund ta bëjë këtë- siç edhe po e bën duke ndërtuar kriza permanente për të ardhur deri tek situata e ikjes së realitetit ekonomik, social dhe politik të vendit”- shton Shala.

Deputeti Shala thotë se nuk është risi që qeveria të ketë divergjenca me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por “fatkeqësia” është që përkundër vendosjes së masave ndaj Kosovës, ajo vazhdon të provokojë situata të tilla për interesa të veta.

“Fatkeqësia është që përkundër vendosjes së masave si masë ndëshkuese ndaj Kosovës, jo meritueshëm, kjo qeveri po vazhdon të provokojë situata të tilla për konsum të brendshëm duke i përdorë skajshmërish mirë për interesat e ngushta partiake në emër të luftës e në emër të vendosjes së rendit dhe ligjit e shumë çka tjetër. Por në realitet e vërteta tregon se edhe raportet tjera ndërkombëtare, shkalla e korrupsionit dhe e inflacionit është tejet e lartë. Në esencë kjo Qeveri po krijon skandale brenda dhe jashtë vendit për konsum të brendshëm politik”- theksoi Shala për KALLXO.com.

Sa i përket paralajmërimeve të amerikanëve për tensione të reja të mundshme si pasojë e vendimit të BQK-së, Shala vlerëson se të njëjtat janë të pritshme sepse sipas tij, ende nuk është situata realisht siç duhet të jetë.

Si kryetar i Komisionit për Ekonomi, Shala nuk e sheh problemin te BQK-ja, pasi siç thotë ai, kjo rregullore ka qenë edhe më herët. Mirëpo, ai thotë se problemi është tek vendimmarrja e kryeministrit Kurti.

“Problemi është tek qeveria, tek vendimmarrja e kryeministrit Kurti. Të tjerët janë akterë ditorë të lojës. Ju them me bindje të plotë që askush nuk e pyet BQK-në për këtë relacion përveç qëndrimit që ka lideri i shtetit- në këtë rast kryeministri. Prandaj çështja e politikës së brendshme dhe të jashtme është në duart e një njeriu që po shihet se si udhëheqë dhe si sillet edhe me partnerët e brendshëm edhe të jashtëm”- deklaron Shala.

Ai bënë të ditur se çështja e rregullores së BQK-së, nuk është ngritë si temë në komisionet përkatëse parlamentare.

“Edhe pse BQK raporton në Komisionin për buxhet, asnjëherë nuk është ngritë si temë. As në relacionet ndërpartiake apo të brendshme. Në këtë relacion ka dalë si me thënë veprim politik, tashmë i analizuar siç shihet nga qarqet e caktuara të LVV-së, dhe kjo është si paralojë për të krijuar situata të tilla që lidhen sipas mendimit tim me çështjen e fillimit të zbatimit të Asociacionit”- përfundon Shala në një intervistë me KALLXO.com.

KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrime edhe nga partitë tjera opozitare, mirëpo të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Komisioni Evropian kanë kritikuar Kosovën për veprim të njëanshëm dhe të pakonsultuar.

DASH-i thotë se ky vendim ia kufizon mundësitë SHBA-së për të avokuar për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të zhgënjyera dhe i kundërshtojnë planet e tanishme të Kosovës për të vazhduar me zbatimin e vendimit për kufizimin e importit të valutave të huaja, përfshirë të dinarit serb”- thekson DASH.

Kurse KE, thotë se duhet të sigurohet një periudhë e mjaftueshme kohore për zgjidhjen e kësaj çështjeje përmes dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

“Komisioni shpreh keqardhjen për faktin se ky vendim është miratuar pa konsultime paraprake, duke marrë parasysh pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve në Kosovë dhe komuniteteve të tjera në Kosovë. Komisioni është veçmas i shqetësuar për ndikimin te shkollat dhe spitalet, duke marr parasysh se nuk ka alternativa të tjera”- ka deklaruar zëdhënësi Eric Mamer.

Më 1 shkurt, ka hyrë në fuqi rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila parasheh që valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë të jetë Euro.

Bashkimit Evropian ka kërkuar që Kosova “të sigurojë një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

Ndërkaq, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se do të sigurohet tranzicioni i lehtësuar, ndonëse nuk ka treguar se sa do të zgjas periudha e tranzicionit.

Rregullorja për operacionet me paratë e gatshme e miratuar nga BQK ka nxitur reagime të ndërkombëtarëve për shkak të nenit që parasheh Euro-n si valutë të vetme si mjet i pagesës në Kosovë.

BQK kishte sqaruar se “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Në Kosovë, qytetarët serbë e përdorin dinarin për blerje e pagesa të ndryshme.