Politizohet bordi i ndërmarrjes së Deçanit me zyrtarë të AAK-së

Tre nga katër anëtarët e bordit të ndërmarrjes publike lokale ‘Higjena’ në Deçan, kanë të kaluar politike me partinë që udhëheq këtë komunë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Për zgjedhjen e tyre nuk ka pasur konkurs publik.

Me datë 22 shkurt të vitit 2022, komisioni komunal i aksionarëve i kësaj ndërmarrjeje ka emëruar katër anëtarët e bordit. Anëtarët e emëruar ishin: Milazim Mushkolaj kryesues, kurse Genc Kameraj, Besjana Ukëhaxhaj dhe Elona Istrefaj, anëtarë.

Tre nga anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrje kanë të kaluar politike me partinë e kryetarit të Komunës, Bashkim Ramosaj.

Kryesuesi i bordit, Milazim Mushkolaj dhe anëtarja Besjana Ukëhaxhaj kanë qenë asamblist të AAK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, gjatë mandatit të kaluar. Ndërsa, Genc Kameraj ka thënë se ka shoqëri me zyrtarët e AAK-së dhe i njëjti është parë nëpër takimet e partisë se AAK-së.

Anëtarët e Komisionit Komunal të Aksionarëve janë Lendita Berisha, Armend Loshaj dhe Manjolla Shala. Ky Komision është krijuar me datë 31 janar të vitit 2022.

Për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve nuk ka pasur një konkurs publik. Në lidhje me këtë, KALLXO.com ka kontaktuar përmes telefonit Armend Loshaj, kryesues i Aksionarëve. Ai ka thënë se për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit, Aksionarët janë bazuar në Ligj. Më pas, me tone kërcënuese, Loshaj ka kërkuar që më të mos kontaktohet.

“O vlla, unë profesion jurist edhe ekonomist, e për këtë mundesh me shku me pyt në Komunë, nuk ki çka më thirr mo kurrë. A po nin. Kurrë mo mos thirr, jo ti po asnjo prej atyre mos të më thirrin, se ma keni lodhë shpirtin. Normal që jam aksionar, ka egzistu Ligji, në Ligj jemi thirr. Jo, jo në Ligj jemi thirrë, ma keni lodhë shpirtin duke më thirrë..”, ka thënë Loshaj dhe më pas e ka mbyllur telefonin.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe anëtaren tjetër të Komisionit të Aksionarëve, Manjolla Shalën, por e njëjta ka kërkuar që të përgjigjet me shkrim, në lidhje me pyetjet për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve.

Edhe pse është zotuar që të kthejë përgjigje me shkrim, e njëjta nuk është përgjigjur 12 ditë prej se ka pranuar pyetjet në emailin zyrtar. Shala gjithashtu në faqen zyrtare të Komunës së Deçanit figuron si shefe e kabinetit të kryetarit Bashkim Ramosaj.

Anëtari i zgjedhur i Bordit, Milazim Mushkolaj, ka thënë se nuk e di a ka pasur konkurs për zgjedhjen e tij. Për këtë ka kërkuar që të drejtohemi tek Aksionarët.

“Komisioni i Aksionerëve më ka përzgjedh, unë nuk e kam përzgjedhur vetën aty. Unë kam qenë ish anëtar i Bordit, unë jam i zgjedhur se kam qenë edhe më herët në Bord, tri vjet e parë. Mu veq mu ka vazhdu mandati, nuk e di a ka pas apo nuk ka pas konkurs, se nuk jam unë ai që i zgjedhi, është Komisioni i Aksionerëve që i zgjedh”, ka thënë ai përmes telefonit.

Mushkolaj ka qenë asamblist i AAK-së në Deçan në mandatin e kaluar, 2017-2021.

Ndërsa për anëtarin tjetër të përzgjedhur, Genc Kamerajn, KALLXO.com ka pasur informacion se i njëjti është kryetar i nëndegës së AAK-së në fshatin Lebushë të Deçanit. Kameraj, përmes telefonit e ka mohuar këtë gjë, por në fotografi në rrjetin social ‘Facebook’ ai shihet bashkë me zyrtarin e lartë të AAK-së, Daut Haradinajn, teksa ky i fundit kishte vizituar fshatin Lebushë.

“Mundesh me shku me i pyt Komisionin e Aksionerëve. Nuk e di a ka pasur konkurs, pyeti ata se jam pak i nxënë. Jo nuk është e vërtetë ( kryetari i nëndegës së AAK në Lebushë), as nuk kam qenë më herët. Kam shoqëri me këta të AAK”, ka thënë Kameraj, duke e mbyllur më pas telefonin.

Ndërsa anëtarja tjetër e Bordit të Drejtorëve, Besjana Ukëhaxhaj, gjithashtu ka qenë asambliste e AAK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, në mandatin 2017-2021. E njëjta nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike dhe mesazheve, për tu prononcuar rreth këtij rasti.

 

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë direkt me kryetarin Ramosja për ta pyetur për emërimet politike në Ndërmarrjen ‘Higjena’, si dhe për shefen e kabinetit të tij, por ai nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit, ndërsa në email nuk është përgjigjur deri në publikim të këtij shkrimi.

Në anën tjetër, Ligji për Ndërmarrjet Publike nuk e specifikon saktë se si duhet të rekrutohen anëtarët e Bordit të Drejtorëve të një Ndërmarrje. KALLXO.com ka kërkuar një interpretim nga Ministria e Ekonomisë, përkatësisht Njësia për Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Ndërsa Besnik Krasniqi, në prill të vitit 2021, ku në atë kohë ishte drejtor i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike kishte thënë se një vendim për zgjedhjen e bordit me mandat të plotë pa një konkurs publik është i jashtëligjshëm.

“Ashtu si ndërmarrjet publike qendrore, edhe ato lokale, i nënshtrohen Ligjit për Ndërmarrjet Publike i cili parasheh hapjen e një konkursi publik, transparent për përzgjedhjen e bordit”, tha ai.

“Është shkelje sepse Ligji e parasheh qartë që duhet të hapet një konkurs publik”, kishte thënë Krasniqi.

Përveç kesaj, Ligji për Ndërmarrjet Publike, thotë se një person nuk mund të zgjidhet anëtar i Bordit të Drejtorëve të një ndërmarrje publike lokale, nëse në 36 muajt e fundit ka qenë zyrtar publik apo i emëruar politik.

“Një person nuk mund të zgjedhet anëtarë i Bordit nëse, citoj: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, thotë neni 17 i këtij Ligji.