Konjufca: Bordet e përkohshme do t`i dërgojnë në shtëpi njerëzit si Njazi Thaçi

Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca ka thënë se ‘debati’ i krijuar pas emërimit të disa anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër borde është vetëm formal.

Sipas tij bordet e përkohshme që i ka emëruar qeveria Kurti kanë dy detyra, e njëra nga ato është ta dërgojnë në shtëpi kushëririn i presidentit Hashim Thaçi, Njazi Thaçin.

“Këta njerëz që janë zgjedhur i kanë vetëm dy detyra: me i përgatit ndërmarrjet publike për konkurs, si dhe njerëzve si Njazi Thaçi me i qu në shtëpi dhe me ja përfundu karrierën politike”, ka thënë Konjufca në Rubikon.

Konjufca ka thënë që këto borde janë të përkohshme mirëpo brenda tyre janë emëruar njerëz profesional ku vetëm dy nga ta janë nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Mesa kam folur me ministren dhe me kryeministrin ata më kanë garantuar që të gjithë ata që kanë qenë profesional të cilën janë afruar mas lajmërimit për borde të përkohshme, VV i ka shterë të gjithë, vendet të cilat kanë qenë vakante i ka plotësu, janë dy raste”, ka shtuar ai.

Në gusht të vitit 2018 Njazi Thaçi, kushëriri i presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi është zgjedhur drejtor menaxhues i KEK-ut.

Njazi Thaçi ishte punësuar në KEK më 2006, kur ministër i Energjisë dhe Minierave dhe kryetar i Bordit të KEK-ut ishte Ethem Çeku i AAK-së.

Pas katër vjet udhëheqjeje të tenderëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në vitin 2011, shefi i Prokurimit, Njazi Thaçi, është avancuar në pozitën e Drejtorit Operativ.

Njazi Thaçi është akuzuar nga Prokuroria Speciale për tri vepra penale lidhur me një tender milionësh të dhënë në vitin 2011. Ai akuzohej për periudhën kur ka qenë drejtor i Departamentit të Prokurimit në KEK. Në janar të vitit 2017, prokurori Paul Flyn është tërhequr nga akuza ndaj të gjithë të pandehurve në rastin gjyqësor ndaj Njazi Thaçit dhe të tjerëve prandaj të njëjtit ishin liruar nga akuzat që u viheshin në barrë.

Ndërsa ditë më parë qeveria e Kosovës shkarkoi dhe emëroi disa borde të disa ndërmarrjeve publike.

KALLXO.com kishte raportuar se Mentor Hyseni i zgjedhur në bordin e përkohshëm të Ujësjellësit, është anëtar i Vetëvendosjes dhe ish-kandidat për deputet në këtë parti.

Po ashtu, është gjetur se anëtari tjetër i këtij bordi, është ish-kandidat për deputet i partisë së ministres Emilija Rexhepit.

Ndërsa ministrja Rozeta Hajdari, e ka konfirmuar se anëtari Artan Dërmaku i emëruar në bordin e përkohshëm të Infrakos është pjesë e partisë Lëvizja Vetëvendosje.

 

Arsyetimi i Albin Kurtit, nga 27 persona të emëruar në Borde, vetëm 4 janë të Vetëvendosjes