Politizimi i bordeve të ndërmarrjeve publike

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj i ka kompletuar disa borde të ndërmarrjeve publike. Kompletimi i këtyre ndërmarrjeve ishte bërë bazuar në një konkurs që ishte shpallur për bordet e 14 ndërmarrjeve publike.

Gazeta JnK ka gjetur se tri nga bordet e ndërmarrjeve publike që janë votuar nga Qeveria e koalicionit PAN (PDK, AAK, Nisma) kishin në përbërje persona direkt të lidhur me partitë politike apo që bëjnë fushatë për partitë që ishin në pushtet.

Ndarja ‘hises’ në bordin e Postës

Partitë të cilat kanë qenë pjesë e koalicionit qeverisës, PDK-AAK-Nisma Socialdemokrate kanë ndarë ‘hisen’ në tri pjesë në Bordin e Postës së Kosovës.

Së paku 5 nga 6 anëtarët e këtij bordi kanë lidhje apo janë të afërt me koalicionin PAN, që kanë qeverisur në mandatin e fundit.

6 anëtarët e bordit të Postës së Kosovës janë: Halit Isufi, kryesues, Hysen Fazliu – anëtar, Rushan Ceka – anëtar, Zelfije Pllana – anëtare, Nuhi Provoliu – anëtar dhe Ylber Zabërgja – anëtar.

Halit Isufi që është kryesues i bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës në profilin e tij në Facebook ka fotografi me Kadri Veselin, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai ishte votuar për të qenë pjesë e Kuvendit Komunal të Gjakovës këtë mandat, por tani në ueb-faqen e Komunës së Gjakovës nuk figuron emri i tij.

Isufi kishte qenë kandidati i tretë më i votuar në listën e PDK-së në Gjakovë. Ai kishte marrë 409 vota në zgjedhjet e 22 tetorit.

Halit Isufi madje ka edhe një faqe në Facebook me emër “Halit Isufi PDK Gjakovë”.

Përveç me Veselin, Isufi ka foto edhe me figura të tjera të PDK-së, si me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi që në të kaluarën kishte qenë në krye të PDK-së, me deputetë të kësaj partie.

Në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë, Isufi e ka konfirmuar që është pjesë e bordit të Postës së Kosovës që nga vitit 2012.

Ai e ka konfirmuar gjithashtu që ka qenë kandidat për asamble dhe ka dhënë dorëheqje.

“Unë kam qenë kandidat për asamble nga PDK-ja, por kam dhënë dorëheqje për shkak të konfliktit të interesi me një kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Rushan Ceka, është anëtari tjetër i Bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës.

Në profilin e tij në Facebook, Ceka ka shpërndarë fotografi nga festa e PDK-së në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ku zyrtarë të PDK-së e simpatizant të kësaj të fundit ishin mbledhur për të festuar rizgjedhjen e Kadri Veseli në krye të PDK-së edhe për një mandat.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, Ceka e ka konfirmuar se është anëtar i PDK-së që nga themelimi i saj, ndërsa në bordin e drejtorëve të Postës së Kosovës është për më shumë se 3 vite.

“Unë jam anëtar bordi në Postën e Kosovës që pothuajse 3 vite e gjysëm. Ndërsa në PDK kam qenë anëtar prej fillimit, por tash jam pasiv. Kam qenë kur është mbajtur ai tubimi. Pse merr pjesë me një takim nuk është kurgjë. Unë në struktura s’kam qenë. Unë mundem me shku edhe në parti tjera”, tha Ceka.

Ai e ka përjashtuar mundësinë se është ndihmuar nga partia që ai është anëtar për tu bërë pjesë e bordit.

“Jo, nuk më ka ndihmuar PDK-ja. Unë jam doktor-shkence me titull dhe kam qenë ma i miri në intervistë edhe me vota. E kam merituar bile të jem edhe kryesues i Bordit. Unë kam shumë certifikate dhe jam doktor shkence”, tha Ceka.

Anëtari tjetër i bordit të drejtorëve të Postës së Kosovës, Nuhi Provoliu. Ai është shumë aktiv në rrjetet sociale. Në baza ditore shpërndanë në Facebook fotografi dhe aktivitete të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Provoliu shpërndanë edhe njoftime, lajme e fotografi që lidhen me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, degën e kësaj partie në Kaçanik e Kryeministrin Haradinaj.

Nuhi Provoliu kishte qenë edhe kandidat për këshilltar komunal të AAK-së në zgjedhjet e fundit komunale ku kishte marrë 105 vota.

Provoliu për Gazeten JnK e ka pranuar se ka qenë kandidat i AAK-së për asamble komunale dhe se është pjesë e partisë së kryeministrit.

Ai ka thënë se ka aplikuar për anëtar në dy borde, por ende nuk ka pranu asnjë njoftim për përzgjedhje nga ana e qeverisë.

Pjesë e Bordit të Postës së Kosovës është edhe Ylber Zabërgja. Zabërgja është i afërt me Nismën Socialdemokrate.

 

Në fund të vitit 2017, Nisma Socialdemokrate në profilin e saj në Facebook kishte njoftuar se kësaj partie i ishin bashkuar 16 intelektualë. Ndër emrat e përmendur ishte edhe Ylber Zabërgjas.

“Nismës nga sot i janë bashkuar edhe 16 intelektualë, disa nga ta edhe profesorë universitarë. Arben Arifi, Elvira Reçica, Mitasin Beqiri, Jusuf Fejza, Agim Gashi, Ferki Fejza, Gëzim Hyseni, Xhevdet Qenaj, Ilir Qabrrati, Ylber Zabërgja, Nexhat Gashi, Shefki Rashiti, Burhan Arifi, Blerina Vitia, Armend Jashari dhe Albina Gashi i janë bashkuar sot familjes sonë politike”, thuhet në postimin e Nismës Socialdemokrate të datës 18 dhjetor 2017.

Gazeta Jeta në Kosovë e ka kontaktuar Zabërgjan për ta pyetur në lidhje me afërsinë e tij politike me Nismën Socialdemokrate dhe aderimin e tij por ai ka refuzuar ta konfirmojë atë.

Zelfie Pllana është e vetmja grua në Bordin e Postës së Kosovës. Pllana, tek prezantimi i saj në profilin e rrjetit social Facebook, ka shkruar që ka punuar në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Po ashtu, Pllana ka të shpërndara postime të kryeministrit Haradinaj. Në vitin 2018, kur Pllana ishte bërë pjesë e Këshillit drejtues të AAK-së në nivelin qendror kishte shkruar se ajo ka qenë ndër themelueset e AAK-së.

“Andaj, si njëra nga veteranet (themeluese e këtij subjekti të rëndësishëm politik të Kosovës), dua t’i falënderoi të gjithë anëtarësinë e AAK-së, nga niveli lokal dhe ai qendror, për besimin e dhënë”, ka shkruar Pllana më 23 qershor të vitit 2018 në profilin e tij në Facebook.

Pllana është kontaktuar nga Gazeta JnK por e njëjta e ka mbyllur telefonin dhe nuk ka qenë më e qasshme deri në publikimin e artikullit.

Posta e Kosovës është ndërmarrje publike që ka vështirësi financiare. Posta e Kosovës ka vazhduar trendin e operimit me humbje.  Në vitin 2018 humbja e paraqitur në pasqyra financiare ishte 2,333,841 milionë euro.

Trendi i humbjeve ka vazhduar nga viti 2015. Përkatësisht në vitin 2015 humbja totale që i atribuohet pronarëve/aksionarit ishte 3,043,774  milionë euro, në vitin 2016 humbja ishte 1,584,554  milionë euro, në vitin 2017 humbja ishte 1,942,991 milionë euro.

Politizimi i Bordit të Ibër-Lepencit

Kabineti i Qeverisë Haradinaj më 18 qershor të këtij viti ka emëruar 6 anëtarët e bordit të Ndërmarrjes Ibër-Lepencit. Anëtarët e këtij bordi janë emëruar, Bashkim Shabanin – Kryesues të bordit, ndërsa Naim Gashi, Halil Gashi, Avdullah Isufi, Sahit Svirca dhe Muharrem Xhemajli.

Më vonë Naim Gashi është zëvendësuar nga Liridon Zogjani. Liridon Zogjani është djali i Adem Zogjanit, kandidatit të PDK-së për kryetar të Fushë Kosovës. Liridon Zogjani ka deklaruar se nuk është ndihmuar nga politika për të marrë mandatin e dytë dhe se nuk është pjesë e asnjë partie politike.

“S’ka pasur asnjë ndikim politik. S’kam qenë kurrë anëtar i ndonjë partie politike, e as aktivist. Jam i paanshëm politikisht. Prindi ka qenë në të kaluarën, por tash është i paanshëm, i papërcaktuar politikisht”, tha ai në mes tjerash.

Kandidati i emëruar nga Qeveria e Kosovës, Avdullah Isufi në të kaluarën kishte shërbyer si këshilltar politik në Ministrinë e Bujqësisë për dy vite, në kohën kur ministër ishte Blerand Stavileci i PDK-së.

Avdullah Isufi në një bisedë të shkurtër në telefon e ka konfirmuar se ka qenë këshilltar i Blerand Stavilecit, por thotë se asnjëherë s’ka qenë pjesë e partive politike, por ka qenë në cilësinë e ekspertit.

“Kam qenë këshilltar politik i Xhabir Morinës dhe Blerand Stavilecit. Nuk jam pjesë e asnjë partie politike. Edhe pse kam pasë qenë i punësuar si këshilltar politik, nuk kam qenë në parti politike. Ata më kanë zgjedhë si ekspert i lëmisë, unë jam agronom që 30 vite. Unë si përkas partive, i përkas veç sektorit tim”, tha Aliu për Gazetën Jeta në Kosovë.

Kandidati tjetër i emëruar nga Qeveria e Kosovës për anëtar bordi në “Ibër-Lepenc” është edhe Sahit Svirca. Sahit Svirca në një bisedë për Gazetën Jeta në Kosovë e ka konfirmuar që është mbështetës i Nismës Social Demokrate, por thotë se nuk ka asnjë pozitë brenda partisë.

“Unë e mbështes Nismën Sociademokrate, por asnjë pozitë brenda partisë nuk e kam. Jo, partia nuk më ka ndihmuar dhe s’ka pasur nevojë të më ndihmojë. Shkollimin e kam, krejt kushtet i plotësoj, jam në rregull me të gjitha procedurat. I kam dy fakultete të kryera”, tha Svirca për Gazetën Jeta në Kosovë.

Anëtari tjetër i bordit është Muharrem Xhemajli, ish-kandidati i PDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës. Ai është rizgjedhur për të dytën herë në këtë bord.

Muharrem Xhemajli dhe Liridon Zogjani ishin bërë pjesë e bordit në fillim të vitit 2018 pasi që kishin qenë në listë të pritjes.

Xhemajli në dy palë zgjedhje ka qenë kandidat për deputet nga radhët e PDK-së.

Xhemajli kishte provuar fillimisht në vitin 2014. Kishte marrë 6 mijë e 385 vota që ishin të pamjaftueshme për t’u bërë deputet.

Në zgjedhjet e fundit qendrore, Xhemajli ishte pjesë e listës së koalicionit PAN-it, si kandidat i PDK-së. I renditur i 105-ti në listë, Xhemajli nuk kishte arritur të hynte në Kuvendin e Kosovës. Ai kishte marrë 5 mijë e 474 vota.

“Nuk jam kanë asnjëherë pozicion udhëheqës i Partisë Demokratike të Kosovës, e as anëtar me letra nuk jam, kam qenë kandidat për deputet, por asnjëherë s’kam qenë në struktura të partisë”, kishte thënë Xhemajli për Gazetën JnK në atë kohë.

Pjesë e bordit të ndërmarrjes ‘Ibër-Lepenci’ është emëruar edhe Halil Gashi. Halil Gashi ka qenë pjesë e Këshillit drejtues të AAK-së në vitin 2015. Gjithashtu, fotografia e profilit e tij në Facebook e cila është postuar më 10 shtator të këtij viti ka qenë me sloganin e koalicionit AAK-PSD për zgjedhjet e 6 tetorit ‘100%’. Në profilin e Gashit mund të shihen edhe shpërndarje të fotografive e postimeve të tjera të kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj.

Gazeta JnK ka kontaktuar me Gashin por ai ka mohur se është pjesë dhe mbështetës i AAK-së. Pas telefonatës tonë, Gashi ka ndryshuar fotografinë e tij të profilit dhe ka larguar sloganin ‘100%’.

Ndërmarrja “Ibër-Lepenci” ka regjistruar një humbje prej 4,1 milionë euro, nëse merren parasysh edhe shpenzimet e zhvlerësimit.

Në vitin 2017, sipas pasqyrave vjetore të audituara, ndërmarrja “Ibër-Lepenci” kishte të hyra prej 4,2 milionë euro nga të hyrat.

Shpenzimet për paga në këtë kompani ishin 3 milionë e 52 mijë euro dhe shpenzimet operative ishin 684 mijë euro. Kurse, shpenzimet e zhvlerësimit ishin 4,6 milionë euro.

Kjo ka bërë që shpenzimet të kësaj kompanie të llogariten 8,3 milionë, ndërsa të hyrat 4,2 milionë euro. Raporti i Auditimit thotë se kompania kishte humbje prej 4,1 milionë euro.

Drejtorët e politizuar të bordit në “KRU Prishina”

Qeveria e koalicionit PDK, AAK dhe Nisma Socialdemokrate (PAN), e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, ka emëruar njerëz politikë në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se bordi i kësaj ndërmarrjeje është ndarë në mënyrë të barabartë në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate.

Dy anëtarë të bordit kanë të kaluar të lidhur me partinë e kryeministrit Haradinaj, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe një anëtar i bordit është i partisë së Fatmir Limajt.

Tre nga gjashtë anëtarët e bordit kanë të kaluar të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës, e cila udhëhiqet nga Kadri Veseli. Ky i fundit në një tryezë të Ambasadës Britanike të Kosovës për rekrutim, kishte bërë thirrje për depolitizim të bordeve duke premtuar se PDK-ja do t’i japë përparësi meritokracisë.

Gazeta ka gjetur se bordi i ndërmarrjes publike KRU “Prishtina” do të kryesohet nga Betim Berisha, nipi i deputetes së PDK-së, Sala Berisha Shala.

Betim Berisha, në vitin 2016, ka qenë zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDK-së në Drenas. Ai për KALLXO.com tha se ka dhënë dorëheqje nga strukturat e PDK-së para 3 vitesh.

“Jo, kam qenë më herët në PDK por kam dhënë dorëheqje para 3 vitesh, në Drenas kam qenë drejtor në komunë, por kam dhënë dorëheqje prej të gjithave. Këtë vit kam konkurruar në shumë borde dhe këtu jam zgjedhur në Prishtinë”, tha ai.

Në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” është emëruar edhe Sejdë Tolaj, ish anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Raradinaj.

E kaluara e tij politike është e lidhur me disa parti politike. Por, së fundmi ka qenë pjesë e partisë së kryeministrit. Ai ka qenë kryetar në forumin rinor të LDK-së, sekretar i përgjithshëm në LDD, e më pas në partinë e kryeministrit AAK, si anëtar i kryesisë së partisë së kryeministrit Haradinaj.

KALLXO.com ka gjetur se ai është aktivë ne përkrahjen e AAK-së në rrjetet sociale.

Këtë e ka konfirmuar edhe Tolaj për KALLXO.com.

“Unë jam mbështetës i AAK-së edhe i vizionit politik të kryeministrit Haradinaj dhe do ta mbështes edhe në të ardhmen, mirëpo viteve të fundit nuk kam ndonjë pozitë në organet qendrore të partisë”, tha Tolaj për KALLXO.com.

Në bordin e kësaj ndërmarrje është emëruar edhe Bajram Jashari, dhëndëri i deputetit tjetër të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu e ka pranuar se ka lidhje familjare me Jasharin, por mohoi të ketë ndikuar në zgjedhjen e Jasharit anëtar të bordit.

“Bash burri i motrës time është. Me duar të mia e kam rritë Bajramin edhe pse unë kam lind pas tij me duar të mija e kam rritë. Unë se kam dit kur ka konkuru lidhje s’kam pas, se me pas ditë që ka konkuru ish kon mirë”, tha Haxhiu kur është pyetur për lidhje familjare që ka me Bajram Jasharin. Deputeti Haxhiu njihet në publik si Kamishi, nofkën të cilën e kishte gjatë luftës së UCK-së.

Anëtari i katër i bordit të KRU Prishina është Albatron Sahiti. Ai ka qenë asamblist i AAK-së dhe ish-anëtar i Këshillit Drejtues të partisë së kryeministrit.

Sahiti ka qenë asamblistë në mandatin e kaluar, që i bie deri në fund të vitit 2017, pra më pak se dy vjet që prej se nuk është më në atë pozitë.

E ligji për Ndërmarrjet publike thotë se anëtarët e bordit të ndërmarrjeve publike nuk duhet të kenë poste politike në 36 muajt e fundit, për të plotësuar kushtin e pavarësisë.

KALLXO.com ka kontaktuar Sahitin për të pyetur nëse ka ende ndonjë funksion në këtë parti, ku ai tha se tani më është vetëm aktivist.

“Kam qenë asamblist i AAK-së në Ferizaj por aktualisht jam vetëm aktivistë, anëtar nuk jam në struktura të AAK-së. Nuk jam rizgjedhur në zgjedhjet”, tha ai.

Ai e ka shoqëruar kryeministrin më shumë se një herë në ecjet e tij nëpër malet e Kosovës, bazuar në fotot e publikuara në Facebook.

Edhe partia Nisma Socialdemokrate e ka marrë një vend në bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”.

Ilir Rexhepi, pasi kishte aderuar në Nismen Socialdemokrate është rizgjedhur në bordin e KRU Prishtina.

Rexhepi ka mohuar që është pjesë e Nismës Socialdemokrate, por KALLXO.com ka gjetur se ai kishte aderuar në Nisma me 27 shkurt të vitit 2018.

Edhe anëtari i gjashtë i bordit të Ujësjellësit “Prishtina”, ka të kaluar politike të lidhur me Partinë Demokratike të Kosovës. Amir Gashi që ka qenë kryesues i bordit në mandatin e kaluar, tash është zgjedhur vetëm anëtar bordi. E kaluar e tij është e lidhur me PDK-në.

KALLXO.com në vitin 2016 ka raportuar se Gashi ishte parë në atëkohë në një foto me kryetarin e degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj po ashtu edhe në faqen zyrtare shkruante që Amir Gashi ushtronte funksionin e sekretarit organizativ të degës së PDK-së në Prishtinë.

Gashi në atë kohë kishte thënë se fotot datonin nga viti 2012. PDK-ja asnjëherë ka dhënë përgjigje se kur është dorëhequr Gashi. Ai vazhdon të insistoi se nga PDK-ja ishte larguar në vitin 2012.

“Unë ka vite që nuk jam pjesë e strukturave të PDK-së që nga viti 2012, sepse kur janë mbajtur atë kohë zgjedhjet e Këshillit Drejtues nuk jam zgjedhur. Tani nuk jam as aktivistë”, tha Gashi për KALLXO.com.

KRU Prishtina kishte pas kthim pozitivë të të hyrave në vitin 2018, por të hyrat e kësaj ndërmarrje kishin rënë krahasuar me vitin paraprakë. Megjithatë, Auditori kishte konstatuat se pasqyrat financiare të kësaj ndërmarrje “nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë, në të gjitha aspektet materiale”.