Emërimi i bordit të Trafikut Urban me mandat 3-vjeçar pa konkurs publik

Në gusht të vitit të kaluar, anëtarët e komisionit komunal të aksionarëve të ndërmarrjes publike lokale Trafiku Urban hapi një konkurs për zgjedhjen e bordit të ri të drejtorëve me mandat 3-vjeçar.

Por, më 19 janar të këtij viti nxori një vendim ku anuloi konkursin pasi nuk ishte përmbushur numri i mjaftueshëm i aplikuesve të cilët i kishin kaluar kriteret e konkursit.

Por, një muaj më pas, më 18 shkurt, komisioni i aksionarëve të kësaj ndërmarrjeje nxori një vendim të ri për emërimin e bordit të drejtorëve. Në vendim, neni 3 tregonte se bordi i drejtorëve ka mandat 3-vjeçar.

Ky vendim është në kundërshtim me Ligjn për Ndërmarrjen Publike, i cili thotë se zgjedhja e bordit të ndërmarrjes publike duhet të zgjidhet me një konkurs publik.

Në një intervistë për “Kallxo Pernime”, ish-aksionari i Trafikut Urban, Adrian Berisha, e ka pranuar se emërimi i bordit të ri u bë pa një konkurs paraprak.

“Ideja ka qenë që, edhe në komunikimet që kemi pasë me zyrën ligjore, bordi është i përkohshëm, dhe pastaj kemi mendu me hapë një konkurs të ri. Nëse vendimi është jo legjitim, ne presim një verdikt nga zyra ligjore edhe Trafikut Urban edhe nga Komuna e Prishtinës”, tha Adrian Berisha.

“Unë do të këshilloj që të shohim si do ta zgjidhim këtë problem që ndoshta mund të jetë edhe problem ligjor, ne jemi konsultuar me zyrën ligjore. Nëse është i jashtëligjshëm, unë mendoj që duhet të anulohet dhe të hapet menjëherë procedurë e re”, ka thënë ai.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar ish-anëtari i bordit të Trafikut Urban, Genc Broqi, i cili aplikoi për të qenë pjesë e bordit edhe për një mandat.

“Ne nuk kemi pasë asnjë informatë çfarë ka ndodhur me konkursin deri më 1 mars, kur unë e kam marrë një vendim që e kishin marrë aksionarët ku thuhej se është shpallur bordi i ri pa asnjë procedurë”, ka thënë ai për “Kallxo Pernime”.

“Unë jam anku në Inspektoratin e Punës për shkak se nuk janë zbatuar procedurat ligjore por s’kam marrë përgjigje. Pastaj, kam bë një padi në Gjykatën e Prishtinës dhe presim çka ka me vepru, padinë e kam bë për anulim të konkursit dhe pezullim të bordit që është përgjedhë”, tha Broqi.

Besnik Krasniqi, drejtor i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike ka thënë se një vendim për zgjedhjen e bordit me mandat të plotë pa një konkurs publik është i jashtëligjshëm.

“Ashtu si ndërmarrjet publike qendrore, edhe ato lokale, i nënshtrohen Ligjit për Ndërmarrjet Publike i cili parasheh hapjen e një konkursi publik, transparent për përzgjedhjen e bordit”, tha ai.

“Është shkelje sepse Ligji e parasheh qartë që duhet të hapet një konkurs publik. Aksionari duhet të ndërhyjë sa më parë nëse nuk janë zbatuar procedurat për zgjedhjen e bordit”, ka deklaruar Krasniqi.