Favorizimi i bashkëpartiakëve për bordin e KRU Prishtinës (DOKUMENT)
Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj e ka kompletuar bordin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina” me anëtarë që nuk kishin qenë më të suksesshëm në intervistat e bëra nga komisioni vlerësues.
Kjo dëshmohet nga dokumenti final i komisionit vlerësues të cilin e ka siguruar Gazeta JnK, e në të cilën janë listuar pikët e të gjithë kandidatëve të intervistuar për bord të kësaj kompanie.
Gazeta Jeta në Kosovë javë më parë kishte gjetur se bordi i kësaj ndërmarrjeje është ndarë në mënyrë të barabartë në mes të PDK-së, AAK-së dhe Nismës, duke lënë jashtë bordit katër kandidatë që kishin fituar më shumë pikë dhe ishin hyrë në mesin e 6-të kandidatëve më të poentuar. Por, këta kandidatë më të poentuar nuk ishin emëruar nga qeveria në bordin e KRU “Prishtina”.
Amir Gashi kishte qenë kryesues i bordit të kësaj ndërmarrjeje, por nuk është treguar i zoti para komisionit vlerësues. Ai është renditur i pesëmbëdhjeti (15-ti) dhe njëkohësisht është anëtari i bordit me më së paku pikë të fituara pas intervistimit.
Gazeta JnK ka raportuar se Amir Gashi në të kaluarën kishte qenë pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës. KALLXO.com në vitin 2016 ka raportuar se Gashi ishte parë në atëkohë në një foto me kryetarin e degës së PDK-së në Prishtinë, Lirak Çelaj po ashtu edhe në faqen zyrtare shkruante që Amir Gashi ushtronte funksionin e sekretarit organizativ të degës së PDK-së në Prishtinë.
Gashi në atë kohë kishte thënë se fotot datonin nga viti 2012. PDK-ja asnjëherë ka dhënë përgjigje se kur është dorëhequr Gashi. Ai vazhdon të insistoi se nga PDK-ja ishte larguar në vitin 2012.
“Unë ka vite që nuk jam pjesë e strukturave të PDK-së që nga viti 2012, sepse kur janë mbajtur atë kohë zgjedhjet e Këshillit Drejtues nuk jam zgjedhur. Tani nuk jam as aktivistë”, tha Gashi për KALLXO.com.
Bajram Jashari, që është dhëndëri i deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu i njohur me nofkën Kamishi, kishte qenë i 9-ti në listë. Para Jasharit kanë qenë 5 kandidatë të tjerë që kishin më shumë pikë, por që nuk janë bërë pjesë e bordit.
Gazeta JnK ka gjetur se edhe Sejdë Tolaj, ish anëtari i kryesisë së AAK-së nuk ishte në mesin e 6 kandidatëve më të poentuar për anëtar të bordit të Ujësjellësit “Prishtina”. Tolaj ishte renditur i 10-ti në listën e kandidatëve më të poentuar. Para tij ishin pesë kandidatë të tjerë që kishin më shumë pikë, por që nuk ishin emëruar në bord.
Tolaj, ishte anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës që udhëhiqet nga Ramush Raradinaj. Gazeta JnK ka gjetur se ai është aktivë në përkrahjen e AAK-së në rrjetet sociale.
Edhe Ilir Rexhepi, i cili kishte aderuar në Nismën Socialdemokrate të Fatmir Limaj ishte renditur i shtati për nga pikët e fituara. Edhe Rexhepi kishte qenë pjesë e bordit të kësaj ndërmarrjeje në mandatin e kaluar, por që nuk kishte arritur të futet në mesin e gjashtë kandidatëve më të suksesshëm. Para Rexhepit ishin katër kandidatë që kishin më shumë pikë, por që nuk ishin emëruar në bord.
Vetëm dy nga gjashtë anëtarët e bordit të kësaj ndërmarrjeje kishin arritur të futen në mesin e gjashtë kandidatëve më të suksesshëm.
Betim Berisha, që ishte pjesë e PDK-së dhe nip i deputetes nga e njëjta parti, Sala Berisha Shala ishte renditur i pari në listën e kandidatëve të intervistuar. Ndërsa, Albetron Sahiti, ish-asamblisti i AAK-së, ishte renditur i katërti në listën e kandidatëve më të suksesshëm.
BIRN kishte bërë kërkesë për monitorimin e konkursit për përzgjedhjen e bordeve të 14 ndërmarrjeve publike duke përfshirë bordin e KRU Prishtinës, por Zyra e Kryeministrin e kishte refuzuar kërkesën e BIRN-it përkundër zotimeve të kryeministrit dhe kabinetit të tij për transparencës. Haradinaj me tu bërë kryeministër i kishte shkarkuar disa anëtarë të bordeve të ndërmarrjeve publike (kryesisht të LDK-së) duke u thirr në një opinion të lëshuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.
Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se disa nga anëtarët e bordit KRU Prishtinës janë emëruar kundërligjshëm nga qeveria e Kosovës, pasi ata nuk konsiderohen të pavarur në bazë të Ligjit për Ndërmarrjet Publike dhe interpretimit që i ka bërë Agjencia Kundër Korrupsionit këtij ligjit.
Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar kryesuesin e komisionit vlerësues të këtij bordi, Izedin Bytyqi, i cili tha se anëtarët e bordit i përzgjedh Qeveria.
“Ne e kemi bërë rekomandimin e tyre dhe Qeveria sipas ligjit ka vendosur për kandidatët që ata mendojnë. Po të them drejtën këta kanë qenë më të mirët gati nuk ka pasur diçka ndonjë shtyrje ose diçka kështu…Ka qenë unanim, s’kemi pas me shty naj kënd”, tha ai.
Gazeta po ashtu ka kërkuar sqarime nga ana e Qeverisë së Kosovës se pse janë zgjedhur më pak të poentuarit në këtë bord, por se nuk ka marrë përgjigje deri në momentin e publikimit të artikullit.