Shaban Neziri (majtas) dhe Valon Ramadani (djathtas) – Foto: LVV

Njeriu i Vetëvendosjes në bordin e ndërmarrjes ‘Trainkos’

Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, më 10 gusht të këtij viti ka emëruar bordin e ri të Ndërmarjes Publike Qendrore Hekurudhat e Kosovës – “Trainkos”. 

Në mesin e gjashtë anëtarëve të bordit ishte edhe Shaban Neziri. 

Neziri ishte anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje në shtator të vitit 2018. Ai ishte prezantuar si prurje e re në parti nga deputeti i kësaj partie, Valon Ramadani. 

Në një pronocim për KALLXO.com, vetë Shaban Neziri tha se është emëruar anëtar bordi në “Trainkos” por mohoi të jetë pjesë e partisë e cila qeveris me vendin.

“Jo, nuk jam, nuk jam tash. Atëherë ka qenë viti 2018. Për shkak edhe të disa problemeve shëndetësore, më nuk jam” – tha shkurt Neziri.

I pyetur për konflikt interesi, ai tha se “nuk e konsideroj konflikt interesi”.

Në anën tjetër, në një përgjigje deputeti i LVV-së, Valon Ramadani, tha se nuk ka qenë në dijeni se anëtari i partisë së tij është zgjedhur anëtar i bordit në Ndërmarrjen Publike.

Ai tha se nuk ka ndikuar që kolegu i tij në parti, Shaban Neziri, të zgjidhet anëtar bordi në “Trainkos”.

“Sa i perket çështjes që i referoheni, në vitin 2018 në cilësinë e kryetarit të Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Ferizaj pata mirëpritur ardhjen e z.Nezirit” – ka thënë Ramadani.

Deputeti Ramadani e pranon që Neziri është pjesë e Vetëvendosjes.

“Me të njëjtin, nuk kam asnjë lidhje, përpos që i takojmë të njëjtit subjekt. Sa i përket emërimit të tij si anëtar i bordit, nuk kam asnjë informacion, madje nuk kam qenë në dijeni as që ka aplikuar. Pra, jo që s’kam ndihmuar apo lobuar për këtë emërim, të cilin sapo e kuptova nga pyetja juaj” – deklaroi deputeti i Vetëvendosjes.

Partia që drejton ekezkutivin kosovar ishte shumë kritike për emërimet politike e partiake në bordet e ndërmarrjeve publike. 

Kryetari i Vetëvendsojes, Albin Kurti, në vazhdimësi premtonte depolitizim dhe departizim të bordeve.

“Ne mendojmë që ndërmarrjet shoqërore t’i shpëtojmë nga privatizimi e likuidimi, ndërsa ndërmarrjet publike t’i shpëtojmë nga privatizimi e nepotizmi”- kishte thënë Kurti në “Debat Pernime” pak ditë para zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019.

Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2017, Kurti kishte qenë edhe më i vendosur.

Ai kishte deklaruar në “Debat Pernime” se do të depolitizohen bordet dhe nuk do të ketë më në borde njerëz me libreza të partive.

“Ne do t`i departizojmë dhe depolitizojmë bordet, nuk do të ketë më anëtarë të bordeve me libreza të partive ose me mbiemra të përveçëm që janë përzgjedhë”- ishte shprehur Kurti dy ditë para zgjedhjeve të 2017.

KALLXO.com në vazhdimësi ka raportuar për punësimet partiake nëpër ndërmarrje publike.

https://kallxo.com/lajm/ministrja-hajdari-konfirmon-qe-anetari-i-bordit-ne-infrakos-eshte-i-lvv-se/ 

https://kallxo.com/lajm/edhe-nje-anetar-tjeter-i-lvv-se-emerohet-ne-bordin-e-perkohshem-te-infrakosit/ 

https://kallxo.com/lajm/koha-kur-albin-kurti-zotohej-per-borde-te-pa-politizuara-video/