Grabovci Konfirmon Plagosjen e Bashkëshortes

(E plotësuar) Shefi i grupit parlamentar të PDK-ës, Adem Grabovci, i ka konfirmuar Gazetës Jeta në Kosovë se bashkëshortja e tij, është plagosur mbrëmë, aksidentalisht.

“Po fjala është për gruan time me të cilën jetoj qe 30 vjet”, i tha Grabovci, gazetës. Ai bëri të ditur se bashkëshortja e tij, pas incidentit, është mirë me shëndet.

“Mirë është, ka pasur fat. Ka shpëtuar, nuk e ka dëmtuar as palcën, as diçka serioze”, ka pohuar Grabovci.

Sipas tij, arma me të cilën ka ndodhur plagosja është një revole 7.62 mm, e cila është e djalit të vëllait të tij, i cili atë e ka si kujtim nga i ati.

“Arma ka qenë e nipit. Ai e ka pasur këtë armë kujtim nga vëlla im, i cili është dëshmor. Kur ka ardhur në shtëpinë time, nipi këtë armë e ka vendosur nën televizor dhe gruaja, pasi ka shkuar ai, ka bërë përpjekje për ta larguar nga aty, në mënyrë që mos ta prekin fëmijët. Dhe duke u munduar ta largojë pa dashje i ka shkrepur”, ka deklaruar Grabovci.

Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës. Mirëpo zyrtarët e PK-së nuk kanë detaje, por vetëm kanë konfirmuar se në rrugën “Rrustem Statovci” në Prishtinë, një grua në rrethana të panjohura, aksidentalisht, me armë zjarri është vetëplagosur. Në raportin ditor të policisë thuhet se viktima është dërguar për tretman mjekësorë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Vetëplagoset Gruaja e Adem Grabovcit

Kumrije Grabovci (1960), gruaja e shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Grabovci, sipas burimeve policore, është vetëplagosur të hënën rreth orës 23:30.

Burime policore i kanë treguar Gazetës Jeta në Kosovë se katër njësite policore kishin mbërritur në vendin e ngjarjes rreth orës 2:15 të natës për ekzaminim, në një banesë në katin e pestë në rrugën “Rrustem Statovci”, Prishtinë.

“Në atë lokacion është konfiskuar arma e kalibrit 7.62, një predhë, një gëzhojë, një karikator dhe pesë copë plumba të armës. Ato janë konfiskuar nga Njësiti i Krimteknikës Regjionale”, ka thënë burimi policor.

“Vendi i ngjarjes është liruar në orën 2:45. Viktima është plagosur në abdomen dhe ju ka nënshtruar operimit. Ajo gjendet në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale”, thotë ai. “Incidenti figuron si vetëplagosje”.

Sipas tij, ajo besohet të jetë gruaja e Adem Grabovcit, shefit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Drejtori i klinikës së kirurgjisë, Mehmet Maxhuni, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se pacientja “K.G. është jashtë rrezikut për jetën”.

“Ajo është duke u trajtuar në klinikën e kirurgjisë në QKUK, repartin abdominal”, shtoi ai.

I kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë dhe i pyetur në lidhje me këtë rast, deputeti Adem Grabovci, ka thënë se do të jetë në dispozicion të flasë më vonë gjatë ditës.

Në deklaratat e pasurisë në Agjencinë Kundër-Korrupsionit (AKK) të Adem Grabovcit, Kumrije Grabovci figuron si gruaja e tij.

Në listën e votuesve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) figuron vetëm një person me emrin Kumrije Grabovci, e lindur më 1960.