Edhe 30 Ditë Paraburgim për Mjekët e Stentave Dhe SMS-ve
Të dyshuar në këtë rast janë Lulzim Brovina, Borçe Petrovski, Ali Hocaogllu, Astrit Bakiqi, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Murat Abazi dhe Reshat Emra.
Lajmin e ka konfirmuar për KALLXO.com, Besnik Berisha, avokati i Nexhmi Zeqirajt, shef i Njësisë Koronare në QKUK.
“Masa e paraburgimit është vazhduar edhe për 30 ditë bazuar në kërkesën e prokurorisë. Arsye ligjore për gjykatën është se akoma ekziston dyshimi i bazuar si rreziku i pengimit të procedurës, rreziku i ikjes dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale”, tha avokati Berisha.
Mbrojtësi Berisha ka treguar se Prokurori special Besim Kelmendi ka bërë rikualifikim të veprës penale krim i organizuar.
“Pas intervistës së të pandehurve, prokuroria si duket ka reflektuar dhe e ka parë se ai kualifikim jo vetëm që ishte i pabazuar por ishte komplet absurd. Tani ka kualifikuar veprën krim i organizuar nga neni 283 paragrafi 2 që parasheh 10 vite burgim në nenin 283 në paragrafin 1 që parasheh 7 vite burgim. Kjo i bie se ka ndryshuar rolin e përfshirjes së të pandehurve por edhe vitet e dënimit ”, tha Berisha.
Mjekët e rastit “Stenta”, janë arrestuar më 9 tetor nga Policia e Kosovës ndërsa me 10 tetor atyre u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.