Sot dita e fundit për regjistrim të popullsisë

Sot më 17.05.2024 është dita e fundit e procesit të regjistrimit të popullsisë, atyre rezidentë dhe diasporës, proces ky që nisi më 05.04.2024.

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në konferencën e mbajtur gjatë ditës së hënë njoftoi se në kuadër të procesit, deri më 13.05.2024 janë regjistruar mbi 1,4 milionë banorë rezidentë në Kosovë.

Procesi për regjistrim të popullsisë qysh prej fillimit u përball me sfida nga bojkoti që bënë katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, dorëheqja e mbi 1 mijë regjistrueseve në fillim të procesit, por edhe akuzat se nuk pati fushatë të mjaftueshme informuese.

Në këtë regjistrim që është i dyti pas shpalljes së Pavarësisë, Kosova ka regjistruar edhe diasporën përmes procedurës online, ku mund të regjistrohen edhe ata qytetarë që nuk kanë shtetësi të Kosovës, por ndihen ose e konsiderojnë veten si diasporë.

Regjistrimi për banorët në Kosovë është obligativ/ligjor dhe në rast të mospjesëmarrjes janë paralajmëruar edhe gjoba nga 200 deri në 2 mijë euro, derisa regjistrimi i diasporës është vullnetar.

Lidhur me fushatën informuese, drejtori i ASK-së, Avni Kastrati në emisionin Kallxo Përnime kishte thënë se e kanë fokusuar më shumë në platforma online.

Bojkot në proces të regjistrimit nga komunat me shumicë serbe në veri të vendit kishte pasur edhe në vitin 2011, atëkohë regjistrimi i banorëve në atë pjesë ishte bërë me ‘matje të përafërt’ duke u bazuar në të dhëna të shkollave, orëve të rrymës, të dhëna nga komuna.

Në procesin e regjistrimit në vitin 2011 Kosova pati rreth 1,8 milionë banorë.

Raportimet e KALLXO.com – LINK