Përballja e Kosovës me vrasësin e heshtur

 

Normat e lejuara evropiane të cilësisë së ajrit vlerësohen në 50 mikronë. Ndërkohë që matjet e bëra në Kosovë për cilësinë e ajrit, i tejkalojnë shumëfish këto vlera, sidomos në sezonin e dimrit.

Në Kosovë, numri i ditëve me ndotje të lejuar është 35, ndërsa vetëm gjatë këtij viti (2019) ky numër ka arritur në 50 ditë me ajër të ndotur mbi vlerat e lejuara.

Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, deri në muajin shkurt mund të ketë edhe tejkalime të tjera të ditëve me ndotje mbi vlerat e lejuara.

Termocentralet (Kosova A dhe B) konsiderohen si burimet kryesore të ndotjes së ajrit, sidomos në rrethinën e Prishtinës, Obiliqit e Fushë Kosovës, duke bërë që këto qytetet të mbajnë primatin për qytetet me ajrin më të pashëndetshëm në Kosovë.

Por, vlerat e ndotjes vlerësohet se i shtojnë dukshëm edhe automjetet në qarkullim, sidomos ato të vjetrat, si dhe shfrytëzimi i qymyrit për ngrohje në zonat urbane si dhe në ekonomitë familjare.

Një raport i Aleancës së Shëndetit dhe Mjedisit me qendër në Bruksel, në shkurt të këtij viti zbuloi se 16 termocentrale të vjetra dhe joefikase të qymyrit në Ballkanin Perëndimor lëshojnë “nivele alarmante të ndotësve që udhëtojnë në distanca të gjata” dhe në Bashkimin Evropian, veçanërisht Rumania, Italia, Hungaria, Bullgaria, Greqia dhe Kroacia dhe më gjerë.

Sipas raportit, 16 termocentralet lëshojnë më shumë ndotje të dioksidit të squfurit sesa tërë flota evropiane e energjisë së qymyrit, e kombinuar me nivele po aq shqetësuese të grimcave dhe oksideve të azotit.

Në Raport thuhet që se çdo vit, 16 termocentralet në Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë dhe Serbi shkaktojnë 3,000 vdekje të parakohshme, 8,000 raste të bronkitit te fëmijët dhe sëmundje të tjera kronike që u kushtojnë ekonomive familjare dhe BE-së nga 6.1 miliardë deri në 11.5 miliardë euro.

Vendet e Evropës Juglindore kishin nivelet më të larta të ndotjes së ajrit në Evropë vitin e kaluar, sipas Raportit Botëror të Cilësisë së Ajrit. Raporti i IQ AirVisual, në bashkëpunim me Greenpeace, e renditi Kosovën si  të tretën ndërsa Bosnja dhe Hercegovina ishte e para kurse Maqedonia e dyta.

Në anën tjetër, nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor thonë se ata tashmë kanë marrë masa për të reduktuar ndotjen.

Leutrim Sahiti, zëdhënës i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se përveç Ministrisë së Mjedisit duhet që edhe ministritë tjera të linjës dhe qytetarët të vetëdijesohen dhe të kontribuojnë që ndotja të mos kalojë vlerat e lejuara.

“Një nga problemet që ne jemi përballë është edhe niveli i lartë i përdorimit të qymyrit në ekonomitë familjare e po ashtu edhe në bizneset e vogla. Ne do të dëshironim që të kishim ndonjë vendim për ta ndalë këtë, mirëpo nuk mund ta bëjmë për shkak se nuk kemi alternativë tjetër sepse është shumë e vështirë të bëhet për një periudhë të shkurtër kohore. Ka lëvizje në këtë drejtim ku është duke u bërë zgjerimi i rrjetit të koogjenerimit ku tashmë mungon ky rrjet”, thotë Sahiti.

Ai ju bën thirrje qytetarëve që të mos ngrohen me thëngjill, por të përdoren lëndë tjera djegëse më pak të dëmshme për mjedisin, gjithashtu të minimizojnë daljet me veturë kur janë relacionet e shkurtra dhe të përdorin mjete transporti më miqësore me mjedisin, siç janë trafiku urban e biçikletat.

“Ne vazhdimisht kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Infrastrukturës që sa më shpejtë të fillojë së zbatuari udhëzimin që ne e kemi nxjerrë si ministri para dy vjetëve që i detyron pronarët e veturave të bëjnë matjen e nivelit të lirimit të gazrave dhe të gjitha ato që nuk i plotësojnë kushtet teknike të largoheshin nga qarkullimi ne do të kishim përmirësim të gjendjes”, thotë Sahiti.

Sahiti ka përmendur edhe mos kalimin e Ligjit për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, i cili nuk është miratuar për shkak të shpërndarjes së Kuvendit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ndotja e ajrit në nivelet aktuale në qytetet evropiane është përgjegjëse për rritjen e numrit të vdekjeve.

OBSh në një raport thotë se ajri që thithim përmban emetime nga automjetet motorike, industria, ngrohja dhe burime komerciale, nga tymi i duhanit dhe karburantet shtëpiake. Sipas OBSh, ndotja e ajrit dëmton shëndetin e njeriut, veçanërisht në ata që janë të ndjeshëm për shkak të moshës së tyre si dhe ata që tashmë kanë probleme shëndetësore.

Antigona Ukëhaxhaj, specialiste e shëndetit publik ka thënë për JNK se Kosova këtë situatë të ndotjes së ajrit është duke e trashëguar nga viti në vit.

Ajo thotë se si Institucion i Shëndetësisë Publike kanë rekomanduar te institucionet relevante që të marrin masa më serioze karshi ajrit të ndotur.

Ndër rekomandimet që i ka dhënë IKSHPK janë: Të reduktohen daljet në qytet gjatë orëve të mëngjesit dhe mbrëmjes kur ka fluks të veturave. Në mëngjes dhe mbrëmje, mos të hapen dritaret për ajrosje të dhomës. Të reduktohet pirjen e duhanit në ambiente të mbyllura. Personat që kanë sëmundje kronike të sistemit kardiovaskular dhe respirator, fëmijët, gratë shtatzëna, personat në moshë të shtyrë, të qëndrojnë në ambiente ekologjike. Grupet e popullatës të cilët janë më të rrezikuar janë personat me sëmundje kronike të frymëmarrjes,  zemrës, pacientët astmatik dhe të prirur për alergji, të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe gratë shtatzëna. Mos digjni gjethe, goma dhe materiale djegëse të dëmshme për mjedisin. Përdorimi i maskës speciale me filtra ose shall nëse e keni të detyrueshme të qëndroni jashtë. Mos përdorni maskë të sallave kirurgjike pasi nuk kanë asnjë efekt mbrojtës. Reduktoni përdorimin e  veturës, shfrytëzo mjete të transportit kolektiv ose mjete miqësore me mjedisin.

“Disa qytete të Kosovës dhe kryesisht Prishtina po përballen me një mjegull të dendur dhe me një lagështi të lartë të ajrit dhe për pasojë të mungesës së erërave dhe për pasojë kemi krijimin e kësaj gjendjeje alarmante siç e quajmë ne smog dhe pikërisht për shkak të kësaj gjendje po përmallemi, jo vetëm këto ditë, por që nga fillimi i sezonit së dimrit kemi disa ditë me tejkalime të thërrmijave me madhësi 10 dhe pikërisht ato me 2.5”, thotë Ukëhaxhaj.

Ajo ka treguar se ajri i ndotur ndikon edhe në vdekjen e fëmijëve për shkak se kalon drejtpërdrejt në rrugët e frymëmarrjes.

“Nëse një nënë mbërrin që brenda kësaj periudhe të ketë një sezon dimri në një qytet të ndotur dhe me vlera të tejkalimeve të koncentrimeve të thërrmijave shkojnë në rrugët e frymëmarrjes sigurisht se një prej faktorëve dhe nuk po e themi vetëm ne si institut, por edhe hulumtimet e bëra nga OBSh në vit vdesin deri në 7 milionë fëmijë si pasojë e ajrit të ndotur”

Ukëhaxhaj thotë se gjatë këtyre ditëve rritet numri i pranimeve spitalore në të gjitha repartet e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo shton se për shkak të ajrit të ndotur jetëgjatësia e kosovarëve është shkurtuar si dhe është rritur numri i vdekjeve të parakohshme. Po ashtu, Ukëhaxhaj shton se si pasojë e ajrit të ndotur në Kosovë vdesin rreth 3,700 qytetarë.

Edhe pulmologu Skënder Baca ka treguar për JNK se gjatë sezonit të dimrit ka përkeqësim të personave me sëmundje pulmonare kronike pikërisht për shkak të ajrit të ndotur e po ashtu edhe për shkak të duhanpirjes.

Gjithashtu, Baca thotë se ajri i ndotur ndikon në shfaqja e sëmundjeve të mushkërive.

“Një organizëm, i cili është plotësisht i shëndoshë, i cili jeton 30 ose 40 vjet në një ambient, i cili është me probleme të ndotjes së ambientit natyrisht që predispozitat që të krijohet sëmundja e mushkërive është i atakuar, mirëpo, kjo gjithmonë kombinohet edhe me faktorë të tjerë”

Baca shton se sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes renditen gjithmonë lartë e më lartë për kah vdekshmëria, duke lënë në Kosovë vetëm brenda vitit afër 200 persona ndërsa në botë tre milionë.

Ai tregon se gjithmonë apelojnë që qytetarët të kursejnë fëmijët në ambientet e mbyllura ku pihet duhan.

“Ne gjithmonë apelojmë te qytetarët që posaçërisht t’i kursejnë fëmijët edhe në ambientin e mbyllur që të mos qëndrojnë aty ku pihet duhan dhe po ashtu kur kemi nivel më të lartë të ndotjes së ambientit që fëmijët të mos dalin jashtë. Koha më e mirë që fëmijët të dalin të shëtisin jashtë është pas shiut sepse dihet që shiu dhe bora i neutralizojnë këto thërrmija. Po ashtu të gjithë personat e posaçërisht fëmijët duhet që brenda ditës të konsumojnë dy gota qumësht sepse është i vetmi, i cili e lidh plumbin dhe të gjitha metalet e tjera dhe i qet jashtë organizmit”

Edhe në raportin e fundit të Bankës Botërore, Menaxhimi i Ndotjes së Ajrit në Kosovë, i cili shqyrton natyrën dhe nivelin e ndotjes së ajrit në Kosovë. Raporti tregon se sa rëndohen ekonomitë familjare që lidhen me ndikimet që ka ajri i ndotur në shëndet. Gjithashtu në raport jepen edhe rekomandime për uljen e nivelit të ndotjes.

Sipas raportit, nivele të tilla të ndotjes së ajrit janë të pasigurta për popullatën e Kosovës dhe shkaktojnë ndikime të dëmshme në shëndet.

Raporti po ashtu, Prishtinën e vë përballë qyteteve si Pekini, Mumbai dhe New Delhi.

Ky raport është një në një seri prej tre raporteve për menaxhimin e cilësisë së ajrit (AQM) në Kosovë, Bosnje dhe Hercegovina, dhe Maqedonia e Veriut. Ai gjithashtu analizon rolet e burimeve të ndryshme të emetimeve PM2.5 mbi cilësinë e ajrit të ambientit në Kosovë në një nivel kombëtar. Kuadri institucional dhe i politikave për AQM në vendi ekzaminohet, përfshirë kontributet e institucioneve të tjera të zhvillimit në përkrahjen e Kosovës në adresimi i ndotjes së ajrit.

Nivele të tilla të ndotjes së ajrit janë të pasigurta për popullatën e Kosovës prej 1.9 milion dhe shkaktojnë ndikime shëndetësore të dëmshme.

Ekspozimi ndaj thërrmijave me madhësi 2.5 është veçanërisht i rrezikshëm për shëndetin e njeriut sepse këto grimca e gjejnë rrugën e tyre thellë në mushkëri dhe në rrjedhën e gjakut që sjell sëmundje dhe vdekje. Si pasojë, ato mund të shkaktojnë efekte serioze shëndetësore siç janë infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes, bronhitis, kancer të mushkërive, sëmundje të zemrës (IHD), goditje në tru si dhe sëmundje pulmonare obstruktive (COPD).

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.