Burimi Parku Arkologjik IAP

Miratimi i planit menaxhues për parkun ‘Ulpiana’, arkeologët: Vendimi i duhur, sfidë implementimi i tij  

Arkeologët kosovarë e konsiderojnë si të mirëseardhur vendimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për aprovimin e Planit Menaxhues për Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.

Më 18 tetor 2023, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku nënshkroi vendimin i cili i hap rrugën aprovimit këtij plani për “Ulpianën”.

Në 2016-ën, ky lokalitet afër Graçanicës, pak kilometra nga Prishtina është shpallur nga MKRS si park arkeologjik.

Arkeologët thonë se Plani i Menaxhimit synon të sigurojë ruajtjen, konservimin dhe promovimin e lokalitetit arkeologjik të Ulpianës.

E rëndësishme sipas tyre është edhe nisja e procedurave për shpronësimin e pikave kyçe të parcelave ku gjendet Ulpiana antike.

Arkeologu Milot Berisha, përgjegjës i Parkut Arkeologjik të “Ulpianës”, thotë për KALLXO.com se plani synon të sigurojë ruajtjen, konservimin dhe promovimin e lokalitetit arkeologjik të Ulpianës, siç ka thënë ai, një lokalitet me rendësi të madhe kulturore e historike.

Ulpiana e Dardanisë, e njohur edhe si Iustiniana Secunda, ishte një qytet i lashtë romak dhe bizantin i vendosur në prapatokën e Graçanicës se sotme.

Andaj, Berisha thotë se miratimi i Planit të Menaxhimit është një hap vendimtar në mbrojtjen e zonës arkeologjike dhe sigurimin e qëndrueshmërisë së tij afatgjatë.

Sipas tij, plani ofron udhëzime dhe strategji për mbrojtjen dhe mirëmbajtjen e sitit (lokalitetit arkeologjik), si dhe për zhvillimin e programeve edukative, arsimore, ndërgjegjësuese dhe kulturore për të rritur mirëkuptimin dhe vlerësimin e publikut për trashëgiminë e Ulpianës.

 “Sipas planit të miratuar, MKRS-ja në bashkëpunim me institucionet përkatëse vendore dhe ndërkombëtare, do të kryejë gërmime dhe kërkime sistematike ndërdiciplinare arkeologjike për të zbuluar më tej shtresat historike dhe strukturat e lashta dhe për të ruajtur mbetjet e tij arkeologjike.  Plani përfshin gjithashtu dispozita për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e strukturave të gërmuara dhe veprime konsoliduese, restauruese e konservuese”- ka thënë ai.

E rëndësishme thotë ai është se pas 5 vjetëve plani do të revidohet, plotësohet dhe sigurisht edhe do të përmirësohet me vlerësimet dhe diagnostikimet që do të pasqyrohen gjatë proceseve të punës.

Ndërkaq, Arianit Buçinca, arkeolog, thotë se me rendësi është implementimin i planit në praktikë, pasi, thotë se implementimi e bën të rëndësishëm planin dhe e ruan dhe funksionalizon Parkun Arkeologjik.

“Lajm tjetër i mirë është edhe zyrtarizmi i nisjes së procesit të shpronësimit të lokalitetit. Pa shpronësim të lokalitetit do të ishte i pamundur implementimi i planit. Lokaliteti arkeologjik Ulpiana ka qenë dhe mbetet “akademi” e arkeologëve vendor dhe të huaj në Kosovë. Është aset me potencial të jashtëzakonshëm të trashëgimisë arkeologjike romake në Kosovë”- ka thënë Buçinca.

Për MKRS-në Lokaliteti Arkeologjik Ulpiana ka rëndësi universale të jashtëzakonshme si pikë gravituese e një peizazhi historik – kulturor shumështresor.

“Si e tillë ka gëzuar prioritet në programin tonë qeverisës. Fillimisht kemi siguruar mbështetje profesionale vendore e ndërkombëtare për hulumtime shkencore arkeologjike. Më pas kemi ndërmarrë hapin e rëndësishëm për shpronësimin e pronave”- ka thënë MKRS-js pas vendimit për aprovimin Planit për “Ulpianën”.

Plani i Menaxhimit për Parkun Arkeologjik “Ulpiana” të njohur ndryshe “Iustiniana Secunda” (Ulpiana-Iustiniana Secunda- PAUIS), është hartuar për periudhën 5-vjeçare, 2023-2027, dhe parashikohet të revidohet përgjatë zbatimit të tij. Vlerësimi i parë i zbatimit të dokumentit bëhet një vit pas aprovimit të tij, kurse rishikimi bëhet çdo tre vjet.

Zbatimi i këtij plani parashihet të bëhet nën mbikëqyrjen e Bordit Drejtues të PAU-së, që do të ketë edhe një menaxher, stafin profesional dhe teknik.

Ulpiana antike

Lokaliteti arkeologjik Ulpiana është në listën e mbrojtjes së përhershme me emërtimin “Municipium Ulpiana-Justiniana Secunda”, dhe ka numër unik TKRKS2A001.

Areali i përgjithshëm i Parkut Arkeologjik “Ulpiana-Iustiniana Secunda” përfshin një sipërfaqe prej 257.33 ha, nga të cilat perimetri i asetit përfshin 161.10 ha, ndërsa zona e mbrojtur përfshin një sipërfaqe prej 96.23 ha (hektarë).

Lokaliteti arkeologjik i Ulpianës gjendet rreth 12 km në linjë rrugore në jug-lindje të Prishtinës, në komunën e Graçanicës. Shtrihet në një areal mes fshatrave të Graçanicës, Llapnasellës dhe Hajvalisë.

Qyteti i lashtë i Ulpianës (shekujt I-VI) përfshinte një vendbanim të fortifikuar prej mureve që mbulonte një sipërfaqe prej 35,5 hektarë, por kësaj hapësire të madhe të qytetit të Ulpianës duhet bashkëngjitur edhe hapësira e njohur më parë si “castrum”, e cila ndodhet rreth 80 metra larg murit lindor të qytetit. Mbështetur nga rezultatet e fundit të incizimeve gjeoelektrike të vitit 2020 dhe gërmimeve të vitit 2022, është sugjeruar dhe publikuar që në atë areal gjendet aglomeracioni urban Justiniana e Dytë – Iustiniana Secunda, e cila shtrihet në një sipërfaqe prej 18 hektarësh.