Komuna e Prishtinës procedon shkëputjen e kontratës mbi 200 mijë euroshe për parkun në Lagjen e Spitalit

Drejtoria e Parqeve dhe Hapësirave Publike në Komunën e Prishtinës ka bërë të ditur se është dërguar për shkëputje kontrata për ‘Ndërtim të parkut linear’ në lagjen e Spitalit si pasojë e mosrealizimit dhe tejkalimit të të gjitha afateve sipas planit dinamik dhe shkeljes së kontratës.

Në shtator të vitit 2022 Komuna e Prishtinës ka nënshkruar kontratë në vlerë 215 mijë euro me Grupin e Operatorëve Ekonomik BESIONI SH.P.K.; N.T. FLAMURI; Benita Company për këtë projekt që pritej të përfundonte për 90 ditë pune.

Tutje, nga kjo drejtori theksohet se menjëherë pas nënshkrimit të vendimit për ndërprerjen e kontratës, do të fillojnë me procedurat tjera për përfundimin e këtij projekti.

Vëllazërim Mazreku, përfaqësues i këtij grupi të operatorëve ekonomik në një deklarim për Kallxo.com u shpreh se faji është tek komuna, pasi ata si kompani i kanë kryer punët.

Sipas tij, komuna u ka kërkuar të rregullojnë trasenë të cilën nuk e kanë prishur.

“Këtu është faji i tyre, shkaktarë janë vetë organi mbikqyrës me drejtorinë e parqeve që ka ardhur puna deri këtu. E fajësojmë sepse ashtu kanë qenë procedurat në teren, në trasenë tonë i kanë futur edhe kompanitë tjera të punojnë, se traseja nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme e shumë gjëra”- është shprehur Mazreku.

Ai po ashtu theksoi se komuna nuk ka kryer gjithë pagesën për punët që kanë kryer.

“Projekti sipas neve është i përfunduar qysh para 3-4 mujave, vetëm pagesat nuk i kanë kryer ata zotërinjtë sipas planit, diku 60% e pagesave janë kryer. Për trasenë që e ka prishur dikush tjetër kanë kërkuar prej neve të dalim ta rregullojmë, ne nuk jemi marr”- shtoi Mazreku.

Ai tutje shtoi se do ankohen për kërë proces që komuna e ka nisur pa dijeninë e tyre.

Në një deklarim për Kallxo.com, drejtoresha e Parqeve, Donika Çetta tha se operatori në fjalë nuk ka asnjë argument që të thirren në padrejtësi nga ana e komunës.

Sipas saj, nga fillimi i punëve kanë pasur vërejtje e pakënaqësi me punimet që po kryheshin.

“Punimet kanë nisur në tetor 2022 më pas janë ndërprerë për shkak të motit. Dy herë në mars të këtij viti u kemi kërkuar që të rinisin me punët e mbetura pasi nuk kemi parë aktivitet. Derisa, në muajin maj kemi dërguar vërejtjet për shkak të cilësisë së punimeve që nuk ka qenë në nivel”- u shpreh Çetta.

Ajo tha se punë jo kualitative është kryer duke nisur nga dheu, ngjeshja e gurëve, mbjellja e findanëve e ndriçimi.

Drejtoresha tutje theksoi se nuk do pranojnë më operatorë të papërgjegjshëm.

Projekti për parkun ka qenë në plan të implementohet në pjesën ku ka qenë ‘Luna Parku’ si dhe ishujt mbi rrugë.

Në këtë projekt parashiheshin ndërhyrje si në vijim:

-Shtigjet për këmbësorë (materiali nga guri natyror)

-Hapësira të vogla rekreative ( trampolina për fëmijë)

-Mobileri urbane në harmoni me natyrën rrethuese

-Sipërfaqja totale: 16,000m2

-Trajtim i sipërfaqes së gjelbërt: 12,000 m2

-Gjelbrim i shtuar: Drunj dekorativ 200, shkurre dhe bimësi e ulët 380

Kallxo.com ka shkruar edhe më herët për projektin e këtij parku dhe si pritej të dukej në përfundim.

Projekti i parkut linear në lagjen e Spitalit në kryeqytet-FOTO