Gërmimet në Hisar-Suharekës. Foto: KALLXO.com.

Gërmimet arkeologjike zbulojnë zona banimi përreth Hisarit në Suharekë - VIDEO

Instituti Arkeologjik i Kosovës po kryen gërmime me karakter shpëtimi në Lokalitetin arkeologjik në Hisar të Suharekë.

Këto gërmime po bëhen në pjesën veriore të këtij lokaliteti, i cili është një prej pikave më të rëndësishme për studimin e kulturave prehistorike në Ballkanin qendror.

Dhjetëra lokalitete arkeologjike antike shtrihen në territorin e komunës së Suharekës, të cilat janë mjaftë të rëndësishme për studimet kulturave që nga parahistoria.

Hisari është një prej këtyre lokaliteteve. Hisari ndodhet në një kodër në jugë perëndim të Suharekës në rrugën për Prizren. Gërmimet arkeologjike në Hisar janë bërë në disa etapa që nga viti 1961 dhe rezultatet e arritura flasin për një lokalitet të rëndëësishëm historik.

Për më shumë se dy muaj arkeologët e IAK-së po bëjnë gërmime shpëtimi në zonën për rreth  (Interlandin ) Hisarit. Enë të ndryshme qeramike, fragmente të banesave të banimit, fragmente furrash e gjurmë të tjerrjes së tekstili janë gjetur gjatë gërmimeve në këtë lokalitet arkeologjik.

Interlandi i Hisarit

Shafi Gashi, arkeolog, thotë për KALLXO.com se qëllimi i këtyre gërmimeve është që të vërtetohet shtrirja e jetës jashtë vendbanimit prehistorike të Hisarit, siç ka thënë ai, në interlandin e këtij vendbanimi dhe cilat periudhat kohore përfaqësohen në këtë zonë.

Sipas tij, Hisari është një ndër pikat më të rëndësishme të Ballkanit qendror për studime e kulturave prehistorike duke filluar nga neoliti i vonë, po, sidomos për periudhën e neolitit ku përfaqësohen 4 horizonte banimi, pastaj periudhat e bronzit  dhe hekurti.

Shafi Gashi- arkeolog. Foto: KALLXO.com.

Gjetjet, sipas Gashit dëshmojnë se edhe interlandi i zonave të banuara (lokaliteteve) ka qenë i populluar në periudha të caktuara kohore.

“Tani kjo vetëm po e dëshmon, sikur edhe në gërmimet tjera që i kemi bërë, krejtësisht në 5-6 vitet e fundit që kanë qenë gërmime me karakter shpëtimi, qoftë në Zegrovc, Dobratin, në afërsi të Budrigës, në Nasalë, në Cërnin e shumë e shumë pika të tjera, dhe e thyejnë atë teorinë që është ndërtua në vitet e ’60-ta, me qëllim që të krijohet një lloj opinioni që popullsia ilire ka pasur një shkëputje dhe ka pasur një moskontinuitet gjatë periudhës bronz – hekur, po ashtu edhe popullsia arbërore gjatë mesjetës.”- ka thënë arkeologu  Gashi.

Gashi ka thënë se këto gërmime kanë rëndësi për hulumtimin, evidentimin dhe shpëtimin e depozitimeve arkeologjikë, para se aty të nisë ndonjë aktivitete ekonomik.

Zbulimet prehistorike

Arkeologu Berat Ademi, thotë se në kuadratet e hapura janë zbuluar depozitime kulturore të periudhës së bronzit, të mesëm dhe të vonë, por edhe depozitime kulturore që lidhe me kulturën klasike helenistike.

Ai ka thënë se pjesa dërmuese e gjetjeve janë enë të ndryshme që janë përdorur në jetën e përditshme. Në disa pjesë, sipas tij janë gjetura edhe gjurmë të fragmentuara të banesave të periudhës së bronzit dhe dy fragmente të furrave të gatimit të gjetura njëra prej tjetrës.

“Janë gjetur edhe peshore që tregojnë se këtu ka funksionuar tjerrja, ose endja e tekstilit, në këtë pjesë në të cilën dëshmojnë, sepse kemi gjetur edhe rrotulla boshti, që e tregojnë këtë pjesë, d.m.th., të periudhës së bronzit, ndërsa për periudha të më vonshme në kemi qeramikë që na dëshmon që këtu banorët vendas kanë pasur komunikim edhe me vende të tjera të rajonit sidomos me vendet e Greqisë së sotme, të Egjeut, d.m.th., kulturës klasike helenistike, sepse një pjesë e këtyre fragmenteve të enëve janë importe të ardhura nga ajo pjesë që ne i quajmë enë me pikturim ngjyrë të zezë në sfond të kuq.”- ka thënë arkeologu Ademi.

Berat Ademi – arkeolog. Foto: KALLXO.com.

Sipas Ademit, rezultatet në gërmimeve po dëshmojë se popullsia e këtij lokalitetit ka pasur shkëmbime tregtare me rajonin, e edhe përtej detit Adriatik.

Lokaliteti arkeologjik prehistorik i Hisarit ndodhet në krahun e djathtë të rrugës Suharekë-Prizren. Hisari është lokalitet që mbrohen nga shteti.

Materiali arkeologjik i zbuluar në Hisar, por edhe në zonën përreth fillon nga neoliti i vonë deri në periudhën e hekurit dhe në veçanti ka vlera të veçanta për studimin e kulturës materiale të banorëve autoktonë dardanë.

Gërmimet në Hisar-Suharekës. Foto: KALLXO.com.

 

Gërmimet në Hisar-Suharekës. Foto: KALLXO.com.

 

Gërmimet në Hisar-Suharekës. Foto: KALLXO.com.