Medaljoni i Probit. Foto: KALLXO.com.

Medaljoni i Probit, monedha e famshme që ruhet në Muzeun Kombëtar

Medaljoni i Probit është monedha më e famshme antike që ruhet në Kosovë. Ky artefakt i gjetur në Ulpianën antike ruhet në Muzeun Kombëtar të Kosovës (MKK).

Kjo monedhë, është e vetmja prej koleksionit ekskluziv të këtij lloji që nuk u dërgua në Beograd, kur u morë thesari arkeologjik dhe etnologjik i MKK -ja dhe u dërgua në Beograd. Në fund të 1999- ës rreth 1200 artefakte të këtij muzeu u dërguan në Beograd.

Ato artefakte u morën nga ish-organet e dhunshme të muzeut, të instaluara nga regjimi serb, atë kohë, dhe ende  mbahen paligjshëm dhe autoritetet serbe nuk pranojnë t’i kthejnë në Kosovë.

Tomor Kastrati, arkeolog në Muzeun Kombëtar të Kosovës tha për KALLXO.com se Medaljoni i Probit konsiderohet njëri prej artefakteve më të rëndësishme që ruhet në Muzeun e Kosovës.

“Është zbuluar në lokalitetin e Ulpianës dhe daton që nga periudha romake, shekulli i III-të, erës sonë, më konkretisht viti 276-282. Vendi ku është farkuar kjo monedhë konsiderohet Siscia, në vitin 278, të erës sonë. Është një monedhë e përbërë nga materiali i bronzit dhe ka një diametër prej 43 milimetrash dhe peshë 42.145 gram. Ndodhet në Muzeun e Kosovës dhe është ruajtur me numër të inventarit 133”.

Tomor Kastrati- arkeolog. Foto: KALLXO.com.

Kastrati thotë se monedha (medaljon) është shumë mirë e ruajtur dhe paraqet skena të qarta të një ngjarje shumë të rëndësishme të periudhës romake, triumfin ndaj gotëve.

“Është e rrallë dhe në Kosovë është e vetmja e zbuluar deri më tani e që është një prej të paktave që janë zbuluar në botë e që ka marrë vlerën dhe rëndësinë e saj. Ka shpëtuar nga marrja me artefaktet e tjera gjatë viti 1999, kur u morën pjesa dërmuese e artefakteve më ekskluzive të  Muzeut të Kosovës, atëherë”- ka thënë ai.

Medaljoni i Probit është zbuluar në vitin 1956 në Parkun Arkeologjik “Ulpiana”.  Medaljoni i dedikohet perandorit me origjinë ilire Mark Aurel Probit (Marcus Aurelius Probus).

Për shkak të veçantisë, kjo monedhë ruhet në një vitrinë të veçantë në Muzeun Kombëtar.

Medaljoni i Probit. Foto: KALLXO.com.