Foto: KALLXO.com

Në arën me kumbulla, mbishkrimi antik ‘vulos’ lidhjen me Dardaninë (VIDEO)

Grumbuj rëre, gurësh dhe mbeturinash janë hedhur në dy anët e një grope të madhe në Parkun Arkeologjik të Ulpianës, rreth 15 kilometra afër kryeqytetit, përderisa arkeologët e kanë të vështirë ta balancojnë kohën e tyre në mes kërkesave të gazetarëve në vend, paraqitjeve nëpër studio televizive, takimeve me liderët politikë dhe gërmimeve që planifikojnë t’i realizojnë.

Vëmendja ditëve të fundit është e fokusuar në një tokë bujqësore private të mbjellë me kumbulla, që nga momenti kur një fotografi e një zbulimi arkeologjik u bë virale në rrjete sociale.

Në të njëjtin vend arkeologët vitin e kaluar zbuluan një bazilikë antike të shekullit të gjashtë.

Kjo bazilikë, kishë Paleokristiane, doli të ketë një mbishkrim të dedikuar për perandorin Justinian dhe gruan e tij Teodora – ‘Urbem Dardania’ që do të thotë ‘qytet në Dardani’” –  e që sipas arkeologëve këtu dëshmohet origjina dardane e perandorit më të madh bizantin.

Justiniani kishte lindur në Tauresium, që mendohet se ka qenë në afërsi të Shkupit të sotëm.

Mbishkrimi është zbuluar në afërsi prej 100 metrave nga Parku Arkeologjik i Ulpianës, më saktë në kishën që ishte zbuluar në gusht të vitit të kaluar.

Profesori i Arkeologjisë në UP, Arben Hajdari ka thënë për KALLXO.com se ky mbishkrim për nga pesha historike paraqet zbulimet më të rëndësishëm që kanë ndodhur ndonjëherë në arkeologjinë e Kosovës.

Ai ka treguar se një element i rëndësishëm i mbishkrimit është se përmendet qyteti i Dardanisë, duke treguar kështu se populli i dardanëve nuk u romanizua, nuk e humbën identitetin e tyre.

“Kjo është shumë e rëndësishme kur kihet parasysh fakti që në literaturën arkeologjike është investuar shumë, ka artikuj, studime të shumta, të cilat tentojnë të argumentojnë që Dardanët e kishin humbur identitetin e tyre, ishin romanizuar dhe ata zhduken në Mesjetë dhe ky zbulim ka një rëndësi të madhe nëse e shikojmë nga ky këndvështrim” – ka treguar ai.

Kurse, përgjegjësi i Parkut Arkeologjik “Ulpiana” dhe arkeologu, Milot Berisha, ka thënë se mbishkrimi shtrihet në pjesën qendrore të bazilikës, dhe në të kanë arritur t’i zhvillojnë hulumtimet mbi 460 metra katrorë sipërfaqe, ku kanë identifikuar ornamentime të ndryshme, me motive florale dhe të faunës.

“Mbishkrimi na ka lënë gojëhapur sepse është i servuar për ne në mënyrë të vulosur se pikërisht kemi të bëjmë me një qytet dardan, të ndërtuar nga një perandor me origjinë dardane” – ka deklaruar Berisha për KALLXO.com.

Në anën tjetër, për profesorin Christophe Goddard nga Universiteti ‘Ecole Normale Superieure’ në Paris, hera e parë kur kishte ardhur në Ulpianë ishte në vitin 2016, ndërsa më 2017 kishin filluar gërmimet.

Goddard ka theksuar se Kosova është vend i veçantë për arkeologjinë, pasi sipas tij, në Evropë është e rrallë ta gjesh një vend që nuk ka qenë i gërmuar më parë.

Si rezultat i kësaj, ai mendon se Kosova nuk ka të krahasuar në Evropë, duke e përjashtuar këtu Romën.

“Çka ju mund të shihni këtu është një vend që ka qenë i pa prekur para nesh, ne jemi të sigurt për këtë, nuk ka një dyshim të vetëm rreth kësaj, kjo në Evropë është shumë e veçantë, sepse vetëm 1% e kësaj, ndoshta rreth 2%, është e njohur, kështu që ta imagjinosh ne kemi diçka sikur dy Pompei këtu, një është 35 hektarë, dhe tjetri është 19 hektarë’’ – ka thënë Goddard për KALLXO.com.

Gërmimet janë mbështetur nga Bashkimi Evropian në vlerë 1 milion euro, në kuadër të projektit  “Misioni Arkeologjik Evropian në Kosovë: nga Ulpiana në Justiniana Secunda”, i cili u lansua në dhjetor 2021 dhe pritet të përfundojë në dhjetor 2024.

Ndërsa, që nga viti 2017, ka një marrëveshje bashkëpunimi për këto gërmime në mes Universitetit të Prishtinës, Institutit të Arkeologjisë dhe Institutit “Ecole Normale Superieure” nga Parisi.