Ilustrim

“Jehona” e vendimit për dinarin, nga hyrja në fuqi deri te takimi në Bruksel

Hyrja në fuqi e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës në fillim të muajit shkurt, e ka përballur Qeverinë e Kosovës me presion ndërkombëtar, kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

Rregullorja për operacionet me para të gatshme, ndër të tjera përcakton atë që Euro të jetë valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë. Kjo çështje ka prekur serbët lokalë, të cilët përdorin dinarin për pagesa. Madje ata marrin edhe pensionet nga Serbia në dinarë. Partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, ka reaguar ndaj vendimit të BQK-së, duke thënë se ky vendim është marrë për dëbimin e serbëve nga Kosova.

Reagimet pati edhe nga ndërkombëtarët, përfshirë Bashkimin Europian, SHBA-në, ambasadorët e QUNIT-it, që kërkonin nga Kosova të shtyje zbatimin e Rregullores.

Më 08.02.2024 më kërkesë të presidentit serb, çështja e dinarit shkoi në Këshillin e Sigurimit të Kombëve të Bashkuara. Në një seancë të jashtëzakonshme u përballën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq tha se kjo Rregullore mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë.

“Institucionet e përkohshme të qeverisjes në Prishtinë kanë krijuar në këtë territor kushte të padurueshme për serbët. Situata e tillë në mungesë të reagimit të mirëfilltë mund të krijojë dëm të pariparueshëm për mbijetesën e serbëve në Kosovë” – u shpreh ai.

Ndërsa, Kurti tha se një ide e tillë është thjeshtë gënjeshtër.

“Ideja që Kosova po kryen spastrim etnik apo persekutim ndaj komunitetit serb është thjesht gënjeshtër që është demantuar nga shumë organizata publike ndërkombëtare. Serbët që largohen nga Kosova dhe ata që largohen nga Serbia e bëjnë këtë për të kërkuar mundësi në Europë, jo për t’i ikur ndonjë spastrimi etnik” – tha në fjalimin e tij, kryeministri Kurti.

Guvernatori Ahmet Ismaili në emisionin “Kallxo Përnime” tha se nuk ka kërkesë zyrtare drejtuar BQK-së për pezullim të kësaj Rregulloreje, veçse ka pasur një kërkesë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shtyrjen e zbatimit të Rregullores. 

“Nuk ka kërkesë për pezullim, të paktën drejtuar BQK-së nuk ka, e as nuk ka diskutim për pezullim”- tha ai më 04.02.2024.

Ismaili tha se Rregullorja nuk ka të bëjë asgjë me një popullatë të caktuar ndërsa shtoi se koha do të dëshmojë që do të jenë ata që do përfitojnë nga ky vendim.

Përmes një plani  10 pikësh, BQK-ja ka vendosur t’i ndërmarrë disa veprime shtesë me synim të lehtësimit të zbatimit të Rregullores për operacione me para të gatshme në komunitete të caktuara në Kosovë.

Ky plan, sipas BQK-së, pritet të realizohet në një afat sa më të shkurtër, por jo më gjatë se tre muaj, në bashkëpunim edhe me bankat dhe institucionet e tjera financiare.

(Mos) pjesëmarrja e Kosovës në takimin në Bruksel

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi më 18.01.2024 tha se Rregullorja nuk ёshtё produkt i negociatave politike nё Bruksel dhe si e tillё nuk ka se si tё këtë ndikim në mbarëvajtjen e procesit tё normalizimit tё raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Prej njoftimit për hyrjen në fuqi të rregullores, Bashkimi Europian tha se pret që çështja e vendimit të BQK-së për dinarin të adresohet në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Po ashtu, BE-ja bëri thirrje “që të ketë një periudhë të mjaftueshme tranzitore që do të mundësonte gjetjen e një marrëveshjeje të negociuar”.

Më 21.02.2024, Bislimi tha se e refuzoi një ftesë të Brukselit për të biseduar lidhur me çështjen e ndalimit të dinarit serb në Kosovë dhe e akuzoi të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, për shkelje të parimeve.

Përkundër deklarimeve të Bislimit, Kosova dhe Serbia patën një përballje në Bruksel më 27.02.2024 për çështjen e dinarit serb. Ndonëse kryenegociatori, Besnik Bislimi e ka refuzuar ftesën e BE-së, një delegacion i lartë i BQK-së kanë zhvilluar takim me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.

Sipas një njoftimi për media të BQK-së, në këtë takim trepalësh, brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese.

“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”- thuhet në njoftimin e BQK-së për takimin e mbajtur më 27.02.2024.

Pikëpyetje rreth partneritetit SHBA – Kosovë

Rregullorja e BQK-së riktheu edhe njëherë vëmendjen e opinionit publik te partneriteti mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës, pasi Kosova u përball me paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. Kjo për shkak të refuzimit të kërkesës për shtyrje të zbatimit të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Njëri prej zyrtarëve më të lartë amerikan të shtetit tha prerazi se nëse nuk trajtohen si partnerë, atëherë as SHBA-ja nuk do ta trajtojë Qeverinë e Kosovës si të tillë.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë Qeverinë e Kosovës si partnere”- tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, James O’Brien, më 13.02.2024 në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Pavarësisht kësaj deklarate, kryeministri Albin Kurti u shpreh i bindur se partneriteti me SHBA-në nuk është vënë në rrezik.

“Kosova nuk ka partner, aleat dhe mik më të rëndësishëm se SHBA-ja. Kështu e konsideroj dhe kështu bashkëpunoj si kryeministër i Kosovës. Ne jemi një Republikë demokratike dhe Qeveria nuk imponohet mbi institucionet e pavarura shtetërore si Banka Qendrore”, tha Kurti më 14.02.2024 gjatë një vizite në Prizren.

Por ndryshe u shpreh një ditë më pas, 15.02.2024, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Ai deklaroi se vendimi për dinarin, ka ndikuar në partneritetin mes Shteteve të Bashkuara dhe Qeverisë së Kosovës.

Më 19.02.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se bashkëpunimi i Kosovës me Shtetet e Bashkuara është i mirë, por se kjo nuk do të thotë që dy vendet “pajtohen absolutisht për gjithçka”.

Kurti tha se Qeveria e tij duhet ta respektojë rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, që e ndalon përdorimin e dinarit serb, sepse me Kushtetutë dhe ligj e ka për detyrë.

Ndërsa, komuniteti serb në Kosovë ka pasur reagime të forta në kundërshtim të kësaj rregulloreje nën arsyetimin se ajo i privon nga mundësia për ta përdorur dinarin si mjet pagese. 

Më 12.02.2024, rreth 2 mijë persona morën pjesë në protestën e organizuar nga Shoqata e Pensionistëve që u mbajt në Mitrovicë të Veriut kundër rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

“Është rrenë që mundesh me hap llogari për me i marrë pensionet. Nuk duam asgjë të huajën, po e duam tonën, atë që e kemi bërë me nderë. Përpos pensionerëve, mijëra të tjerë marrin para si ne” – ka thënë kryetarja e shoqatës së pensionerëve, Dushanka Gjoroviq përgjatë protestës.

Kryeministri Albin Kurti, përmes një video-mesazhi në gjuhën serbe, më 11.02.2024 i ishte drejtuar serbëve lokale se Kosova nuk e ka ndaluar dinarin, siç nuk i ka ndaluar valutat e tjera, por se i vetmi ndryshim është se nga 01.02.2024 “paratë nuk mund të kalojnë kufirin me thasë”.