Lajçak nga takimi me O’Brien dhe Escobar: Diskutuam për rrugën përpara në dialog

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar me Ndihmëssekretarin amerikan të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien dhe me Zëvendës Ndihmës Sekretarin, Gabriel Escobar.

Lajçak ka deklaruar se me zyrtarët amerikanë ka diskutuar në lidhje me rrugën përpara në dialog dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.

“Kënaqësi të takohem me Jim O’Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin Escobar në Uashington sot për të diskutuar rrugën përpara në dialog dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Rikonfirmuam bashkëpunimin tonë të shkëlqyer”- ka shkruar Lajçak në rrjetin social “X.

Ndërkaq, Escobar ka treguar se cilat kanë qenë temat e diskutimit në takimet me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Në një konferencë online për gazetarë, Escobar tha se me Lajçakun ka folur për strategjitë se si do të vazhdohet tutje me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

“Lajçak ka qenë këtu gjatë këtyre dy ditëve. Një gjë që ai e ka marrë nga vizita në Uashington është që SHBA-ja do të vazhdojë të përkrah dialogun e lehtësuar nga BE-ja … Ky është mesazhi i parë që ai ka marrë me vete. Kemi folur për strategjitë për atë se si do të vazhdohet implementimi i Marrëveshjes së Ohrit në mënyrë që rajoni të përfitojë nga kjo marrëveshje. Dhe, gjithashtu [kemi folur] edhe për çështjen e dinarit se si do të vazhdojmë të kemi një proces transparent. Këto kanë qenë dy temat kryesore të takimit”- ka thënë Escobar.

Ndërkohë, dy emisarët Escobar dhe Lajçak janë në prag të përfundimit të mandatit të tyre dhe fillimit të angazhimit në detyra tjera.